Bota Nga Netflix e Google e deri te Adidas dhe Nike, kompanitë amerikane...

Nga Netflix e Google e deri te Adidas dhe Nike, kompanitë amerikane dërgojnë mesazhe në mbështetje të protestave

Kompanitë amerikane zakonisht qëndrojnë të heshtura gjatë protestave. Jo këtë herë.

Kompani të teknologjisë, bankave, veshjeve dhe argëtimit publikuan mesazhe në mbështetje të atyre që demonstrojnë kundër trajtimit policor ndaj personave me ngjyrë.

“Jam e tronditur nga numri i drejtuesve që kanë folur për herë të parë,” tha Kellie McElhaney, një profesore në Shkollën e Biznesit në Universitetin Berkeley dhe themeluese e Qendrës për Barazi, Gjini dhe Udhëheqje në këtë shkollë.

Ajo që po i bën firmat të flasin apo të mbajnë një qëndrim, thotë ajo, është brutaliteti i videos që tregon një oficer policie në Mineapolis duke vendosur gjurin në pjesën e pasme të qafës së George Floyd, i cili vdiq.

Kompanitë “drejtohen nga njerëzit”, tha ajo. “Ata kanë punonjës, drejtues dhe klientë afrikano-amerikanë dhe me ngjyrë. Ekzistojnë rreziqe sigurisht, por përfitimi i tejkalon shumë herë rreziqet”.

Netflix, Google dhe Citibank

Netflix ka thënë në Twitter se “të heshtësh është njësoj si të jesh bashkëfajtorë”, duke shtuar “ne e kemi për detyrë që të flasin për anëtarët tanë, punonjësit, krijuesit dhe talentet tonë”

Google shtoi në faqen kryesore të kërkimit: “Ne mbështesim barazinë racore dhe të gjithë ata që e kërkojnë atë.”

Twitter ndryshoi paraqitjen e llogarisë duke shkruar hashtagun #BlackLivesMatter.

Drejtori ekzekutiv i Mikrosoftit Satya Nadella u tha punonjësve “bashkohuni me mua dhe të gjithë ekipin e drejtuesve të lartë, në mbështetje për ndryshime në kompaninë tonë, në komunitetet tona dhe në shoqërinë në përgjithësi.”

“Racizmi vazhdon të jetë në rrënjët e kaq shumë dhimbjeje dhe poshtërimi në shoqërinë tonë,” shkroi shefi i financave të kompanisë Citibank, Mark Mason, i cili është afrikano-amerikan, në një postim në blog. “Për sa kohë që kjo është e vërtetë, idealet e Amerikës për liri dhe barazi do të mbeten jashtë mundësive.”

Kompanitë e shitjeve me pakicë si Target, që është plaçkitur dhe vandalizuar në të gjithë vendin, gjithashtu kanë folur në mbështetje të protestave. Vdekja e Xhorxh Floidit nga një oficer i bardhë i policisë ka nxjerrë në dritë “dhimbjen e shtypur të shumë viteve”, tha drejtori ekzekutiv i Target, me seli në Mineapolis.​

Rreziqet e të shprehurit përkundër heshtjes

Duke marrë një qëndrim, kompanitë rrezikojnë të humbasin klientët, partnerët, furnitorët dhe punonjësit që nuk pajtohen me pozicionin e korporatës, thotë zonja McElhaney. Ata gjithashtu rrezikojnë të akuzohen se po përdorin rastin për të promovuar markat e tyre pasi disa nuk i shohin deklaratat e mbështetjes së korporatave si autentike.

Por bizneset gjithashtu përballet me rreziqe nëse nuk thonë asgjë, shpjegon ajo. Punonjësit e rinj kërkojnë që drejtuesit e kompanive të shprehin qëndrimin e tyre.

“Kam tendencën të besoj se njerëzit janë duke folur sepse nuk ka asnjë mundësi tjetër,” thotë ajo. “Çdo punonjës po kërkon që drejtuesit e tyre të flasin, veçanërisht punonjësit me ngjyrë.”

Në vitin 2018, Nike realizoi një reklamë në mbështetje të Colin Kaepernick, ish-futbollisti profesionist që protestoi kundër trajtimit policor të afrikano-amerikanëve. Disa njerëz e pëlqyen atë. Të tjerë dogjën produktet e Nike-it. Sipas raportimeve, reklamimi i debatueshëm nuk e dëmtoi në fund të fundit kompaninë.

Ndërsa protestat u përhapën në SHBA. pas vdekjes së Floidit, Nike publikoi një video në mbështetje të mesazhit të protestuesve: “Mos i ktheni shpinën racizmit. Mos pranoni të merren jetë të pafajshme. Mos bëni më justifikime”.

Adidas, rivalja e Nike, e publikoi këtë përsëri në Twitter.