Politika Nga Nishani tek Marku, PD zgjedh anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të...

Nga Nishani tek Marku, PD zgjedh anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve

Mbi 2500 kandidatura të përzgjedhura nga anëtarësia e Partisë Demokratike në rrethe do të kalojnë në filtrin e komisionit të vlerësimit.

Ka qenë kryesia e kësaj force politike që ka emëruar 5 anëtarët e strukturës që do bëjë seleksionimin e kandidatëve të propozuar për deputetë.

Sipas vendimit të Kryesisë që iu përcoll edhe anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD, në përbërje të komisionit janë ish-Presidenti Bujar Nishani, i cili njëherazi është edhe Kryetar i këtij këshilli, dy ish- themelues të Partisë Demokratike, ish –deputetët, Besnik Mustafaj dhe Genc Ruli.

Enriketa Papa, është një tjetër emër që vjen nga bota akademike dhe që aktualisht është anëtare e Bordit të Institutit për Studime të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

Sakaq emrave të anëtarëve u shtohet edhe ai i ish-deputetit të Partisë Demokratike, Mark Marku, njëherazi analist e pedagog në Universitetin e Tiranës.

Në ndihmë 5 anëtarëve të komisionit do t’i vijnë edhe dy sekretarët, ai Organizativ Sahit Dollapi dhe i Burimeve Njerëzore, Ervin Minarolli.

Për herë të parë, në Partinë Demokratike përzgjedhja e kandidatëve për deputetë e kryetarë bashkie nuk do të jenë më tagër i kryetarit. 80% e tyre do të propozohen nga anëtarësia dhe 20% nga kryesia.

Pasi të kalojnë në filtrin e komisionit, kandidaturat do t’i kthehen anëtarësisë për t’u votuar përmes parimit “një anëtar një votë”. Gjithsesi fjala e fundit ne proces i mbetet Kryesisë se Partisë Demokratike.