Sport Nga Pirlo te Klose, rrëfehet Reja: Ja ndeshja më e bukur e...

Nga Pirlo te Klose, rrëfehet Reja: Ja ndeshja më e bukur e karrierës

Shqipëria iu afrua pranë kualifikimit, por një episod bëri që gjithçka të thërrmohej. Mirëpo, në pankinë është një 74-vjeçar, i cili me eksperiencë nuk bëri asnjë skandal në dhomat e zhveshjes, por të kundërtën. Motivoi grupin dhe u tregoi lojtarëve se çfarë janë të aftë të bëjnë në rast se besojnë deri në fund.

Jo më kot, Edi Reja ka kaluar të 1000 pankinat në drejtim. Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, italiani çon nëpër mend të gjithë karrierën e tij. Lojtarin më të madh, e përmend por nuk zgjedh Pirlon, ndeshjen më të bukur, presidentin më të bezdisshëm.

Italiani ka edhe një batutë, pikërisht me statistikat e tij personale, teksa jetëgjatësia në këtë profesion ia ngatërron numrat. Në fund, një urim por pse jo edhe “kërcënim” për Deshamp. “1000-ja ime e mund 100-ën e Deshamp”, tregon trajneri i Kombëtares për gazetën.

Mister, cili është momenti më i bukur që keni përjetuar me Shqipërinë?

Nuk ka ardhur akoma. Shpresoj të jetë në ndeshjen ndaj Francës momenti më i bukur që do të përjetoj me Shqipërinë. Do të më pëlqente që të bënim një paraqitje të mirë ndaj Andorrës si fillim dhe më tej një paraqitje të jashtëzakonshme ndaj Francës. Shpresoj shumë të jetë momenti më i mirë për mua që kur kam ardhur në Shqipëri.

Në karrierën tuaj, kush është lojtari më i madh që keni stërvitur? Hmmm (mendohet…)

Në fakt kam pasur Pirlon, kam pasur shumë të tillë. Mirëpo, lojtari referuar aspektit profesional, ka qenë Klose. Ai, jo më kot ka luajtur edhe në tre Botërorë.

Çfarë ka pasur të veçantë Klose?

Klose nuk është se ka qenë një futbollist i jashtëzakonshëm, por po flasim për një futbollist shumë inteligjent.

Në ç’aspekt?

Sidomos në fazën sulmuese. Ashtu siç i sulmonte ai hapësirat, nuk kam pasur tjetër të dytë. Ka qenë eksperiencë shumë pozitive me të në ekip.

Cila ka qenë eksperienca juaj më e bukur në një skuadër?

Eksperienca më e bukur që kam pasur ka qenë në Napoli.

Po skuadra më e fortë që keni krijuar?

Qesh… Jua thashë Napolin për atë që kam kaluar atje, ama për skuadrën më të fortë në aspektin individual, ka qenë ai vit me Lacion. Skuadër në të cilën ka qenë edhe Klose. Gjithashtu ishin edhe lojtarë të një niveli të jashtëzakonshëm. Futbollistë të rëndësishëm të një niveli të lartë.

Po ndeshja më e bukur në karrierën tuaj, cila është?

Ndeshja më e bukur, në fakt janë dy ato që më kanë dhënë gjithçka. Një me Napolin kur arritëm Serinë A. Barazuam me Xhenoan. E dyta dhe do të mbetet gjithmonë në memorien time si historike, është derbi i Romës. Lacio-Roma, si gjithmonë me Klosen që ka shënuar gol në minutën e 90+3. Ka qenë një shpërthim emocionesh, kënaqësie që më ka mbetur ende në mendje dhe në zemër mbi të gjitha./Panorama Sport