Bota Nga Pushkini te kallashnikovi, lidhjet e panjohura ruso-afrikane

Nga Pushkini te kallashnikovi, lidhjet e panjohura ruso-afrikane

Aleksandre Pushkin

Rusia kërkon të dyfishojë brenda pesë viteve shkëmbimet tregtare me Afrikën, deklaroi sot presidenti rus, Vladimir Putin duke hapur samitin e parë Rusi-Afrikë, simbol i një interesi të madh rus për kontinentin afrikan.

“Ne eksportojmë aktualisht ushqime me vlerë 25 miliardë dollarë, vlerë më e madhe se ajo e eksportit të armëve që përbën 15 miliardë dollarë. Dhe ne jemi të aftë të dyfishojmë këto shkëmbime në pesë vitet e ardhshme”, deklaroi presidenti rus gjatë seancës plenare të këtij samiti të organizuar në Soçi para disa dhjetëra presidentëve afrikanë.

“Në Afrikë, ka shumë partnerë potencialë që kanë perspektiva të mira zhvillimi me një potencial të madh rritjeje”, shtoi ai.

Ai theksoi përveç të tjerave se Rusia kishte anuluar këto vitet e fundit borxhet afrikane me vlerë prej 20 miliardë dollarë.

Lidhjet e panjohura ruso-afrikane

Sigurisht që Rusia nuk ka qenë një fuqi koloniale, por lidhjet e saj historike e bashkojnë me Afrikën. Vlerësimi i këtyre marrëdhënieve lidhet me lindjen e Pushkinit.

Pushkini dhe liqeni Çad

I adhuruar në vendin e tij, Aleksandre Pushkin (1799-1837) është poeti që i dha fisnikërinë e tij gjuhës dhe letërsisë ruse.

Pak e dinë, por shkrimtari kishte një stërgjysh afrikan, Abraham Hannibal (1696-1781), i lindur pranë liqenit Çad dhe i shitur, që fëmijë, si skllav për rusët.

I zbuluar dhe i liruar nga Pjetri I, i cili i ofroi arsimimin më të mirë, ai do të bëhej i afërt me carin dhe madje dhe i gjeneralit të përgjithshëm perandorak.

Autori i ”Jevgenij Onjegin” shenjtëroi një libër, i mbetur i papërfunduar, për fatin e stërgjyshit të tij, i konsideruar si negri i Pjetrit të Madh.

Me Etiopinë, një fe e zakonshme

Mes vendeve afrikane që kanë shfaqur interesin rus, Etiopia zë një vend të mirë. Ky gjigant prej 100 milionë banorësh disponon një ekonomi në rritje dhe me një të kaluar komuniste. Dy vendet kanë gjithashtu ngjashmëri të mëdha lidhur me kishat.

Ndërtuar që prej shekullit IV, kisha etiopiane ”Tewahedo”, e ngjashme me kishën ortodokse ruse, është një prej më të vjetrave në botë dhe mbledh rreth 40% të popullsisë.

Moska, ku kisha ortodokse ka rifituar ndikimin që prej rrëzimit të ish-Bashkimit Sovjetik, kërkon të kapitalizojë këtë afërsi.

Gjatë udhëtimit në vitin 2018, të shefit të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov u takua me patriarkun e Etiopisë, Abuna Mathias.

Një kallashnikov në një flamur!

Mozambiku, vend i Afrikës Jugore, që laget nga Oqeani Indian, ka fituar pavarësinë në vitin 1975, pas një lufte të gjatë kundër kolonizatorëve portugezë.

Miratuar disa vite më vonë, flamuri i vendit simbolizon këtë luftë, një armë ruse AK-47 e zbukuron atë, një rast unik në botë.

Sipas Kushtetutës së Mozambikut, ushtria përfaqëson rezistencën ndaj kolonializmit dhe sovranitetin kombëtar.

Kallashnikovi, që ndodhet në pothuajse të gjitha konfliktet në botë që prej viteve 1950, është një simbol i dyfishtë rus, ai i rolit të ish-Bashkimit Sovjetik në dekolonizim dhe ai i shitjes së armëve, që përbën ende dhe sot një pjesë të madhe të shkëmbimeve tregtare mes Afrikës dhe Rusisë.

Presidentët e arsimuar në Rusi

Afrikano-jugori, Thabo Mbeki, angolezi Jose Eduardo dos Santos… këto janë disa prej drejtuesve afrikanë të arsimuar në Universitetin moskovit Patrice-Lumumba, i riquajtur Universiteti rus i Miqësisë së Popujve pas rrëzimit të ish-Bashkimit Sovjetik

Që prej hapjes së tij në vitin 1961, ai u në simbol i bashkëpunimit ruso-afrikan duke arsimuar rreth 20 000 studentë, të thirrur për t’u bërë kuadro të planit të parë në atdheun e tyre.

Kjo influencë u ul ndjeshëm që prej rrëzimit të ish-Bashkimit Sovjetik, por Universiteti është rikthyer këto vitet e fundit, me 49 marrëveshje ndër-universitare për t’u përballur me konkurentët kinezë, sauditë dhe francezë.

Luftërat për dekolonizim

Nëse ka një kohë kur Moska u vendos në Afrikë, ajo ka qenë nga viti 1945 deri më 1975, kohë kjo kur ish-Bashkimi Sovjetik luajti një rol thelbësor në dekolonizimin e shumë vendeve afrikane duke dhënë mbështetje ushtarake dhe financiare për lëvizjet indipendentiste në emër të luftës kundër imperializmit kapitalist.

Shumë natyrshëm, disa vende të reja të pavarura ranë në kampin socialist dhe shumë këshilltarë ushtarakë sovjetikë u shpërndanë në mbarë kontinentin.

Më vonë, në Angola dhe në Mozambik, ish-Bashkimi Sovjetik dhe blloku perëndimor mbështetën kampe të ndryshme gjatë luftërave civile.

Racizmi

E vështirë të flasësh për marrëdhëniet ruso-afrikane pa përmendur racizmin.

Nëse sulmet shënjestrojnë më shpesh kaukazët dhe shtetasit e vendeve të Azisë qendrore, njerëzit me ngjyrë dhe arabët kanë pësuar gjithashtu pjesën e tyre të agresioneve, veçanërisht gjatë dekadës 2000-2010, kur studentët afrikanë shpreheshin se kishin frikë të dilnin nga shtëpitë e tyre.

Këto vitet e fundit, autoritetet e kanë marrë më seriozisht problemin duke përfshirë në mënyrë të veçantë tifozët e futbollit dhe kanë aplikuar dënime të rënda për autorët e krimeve raciste.

Që prej janarit, pesë persona janë vrarë dhe 31 të tjerë janë plagosur në Rusi gjatë sulmeve raciste.