Histori Nga Roma e lashtë tek Rusia e Putinit: Të gjitha vendet e...

Nga Roma e lashtë tek Rusia e Putinit: Të gjitha vendet e shtrembërojnë historinë për avantazhin e tyre

President rus Vladimir Putin duke ndezur një qiri para një monumenti të madh të një princi legjendar të Mesjetës

Nga Richard Cohen

Një nga karikaturat e kohëve të fundit në media, paraqiste një mbret të ulur në fronin e tij, që i thotë një oborrtari: “Jam i shqetësuar për trashëgiminë time. Vriti të gjithë historianët!”. Dhe në fakt kjo ka ndodhur në të kaluarën.

Mënyra se si e regjistrojmë të kaluarën, është ende një lajm kryesor. Në shkurtin e vitit 2020, Matju Koneli i Universitetit të Kolumbias, SHBA, shkroi se si nën presidentin Donald Trump “informacionet jetike po fshihen, ndaj askush – as media dhe mbikëqyrësit e qeverisë sot, dhe as historianët nesër – nuk do të kenë mundësi që t’i shohin ato”.

Dy muajt e fundit kemi mësuar se presidenti i Kinës, Xi Jinping, po planifikon ta rishkruajë historinë e vendit të tij. Ndërkohë presidenti rus, Vladimir Putin, e ndaloi grupin kërkimor “Memorial” dhe shkatërroi arkivat e tij që dokumentojnë kampet e gulagëve sovjetikë.

Natyrisht, se cila formë e historisë duhet të mësohet, ky është objekt i një debati të fortë edhe në SHBA. Përkrahësit e “Projektit 1619”, mbështetin një version të historisë së Amerikës, ndërsa një version tjetër mbrohet me forcë nga një grupim, më i madh, që përbëhet kryesisht nga të bardhët, ungjillorët dhe republikanët.

Ndaj e kaluara është tani një çështje politike jetike. Megjithatë, një revizionizëm i tillë ka në vetvete një histori të gjatë, që nis të paktën që nga Roma e lashtë. Taciti e fillon kështu librin e tij “Analet e historisë”:” Historitë e Tiberit dhe Kaligulës, Klaudiusit dhe Neronit, u falsifikuan gjatë jetës së tyre nga frika. Më pas, pas vdekjes së tyre, u shkruan histori të reja nën ndikimin e urrejtjeve që vlonin ende”.

Nga rrëfimi i historisë së Armadës Spanjolle (anijet e vogla por të shkathëta britanike, kundër anijeve gjigante spanjolle) tek rrëfimet heroike mbi Betejën e Britanisë, historia britanike është e mbushur me mite. Pas vitit 1945, Britania mburrej me tregimet se si vendi ishte bashkuar i gjithi plot guxim, duke ruajtur rolin e saj si një nga tre fuqitë e mëdha të botës.

Edhe francezët e mendonin veten si një faktor vendimtar në përfundimin e Luftës së Parë Botërore. Shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara, kanë vetëm një ide të turbullt se kush i ndihmoi ata ta fitonin Luftën e Dytë Botërore.

President i Ganës në vitet 1960–1966, Kwame Nkrumah, porositi realizimin e muraleve të mëdha, që tregonin sikur shkencëtarët evropianë udhëzoheshin nga ata shkencëtarët e lashtëafrikanë, një trillim që ai e konsideronte të nevojshëm për krenarinë kombëtare.

Vështirë se ka ndonjë komb apo vend, që nuk e ka deformuar historinë në avantazhin e tij. Historiani francez i fundit të shekullit XIX-të, Ernest Renan është i famshëm për deklaratën e tij se “harresa është thelbësore në krijimin e një kombi”. Ndërkohë Gëte thoshte se “patriotizmi e korrupton historinë”.

Është kjo arsye pse nacionalizmi, e sheh shpeshherë historinë si një kërcënim. Ajo që qeveritë deklarojnë se është e vërtetë është një realitet, ndërsa gjykimet e historianëve janënjë gjë krejtësisht tjetër. “Historia e vë gjithnjë theksin tek ngjarjet përfundimtare!”- u tha nazisti Albert Shper hetuesve të tij amerikanë menjëherë pas përfundimit të luftës.

Ai e urrente idenë se ato që ai i shihte si arritjet e mëparshme të qeverisë së Hitlerit, do të eklipsoheshin nga shpërbërja përfundimtare e Rajhut të Tretë. Një tjetër shembull tipik mund të gjendet në Japoni. Midis dhjetorit 1937 dhe janarit 1938, ushtria japoneze pushtoi Kinën, duke vrarë brenda 6 javësh 300 mijë civilë, dhe duke përdhunuar më shumë se 20 mijë gra.

Të dyja këto shifra janë vlerësime që bën Kina, dhe ka të ngjarë të jetë të fryra, por duke qenë se nuk janë mbajtur të dhëna, nuk dihet shifrat e sakta. Gjatë 7 viteve të ardhshme, pati dhe krime të tjera, nga përdorimi i gazit helmues deri tek Marshimi i Vdekjes në Batan.

Por Japonia e pasluftës nuk u pajtua me një fakt të tillë. Historianët nacionalistë filluan të pyesin nëse kishte ndodhur ndonjëherë Masakra e Nankingut. Madje në tetor 1999 u botua një libër shkollor alternativ për nxënësit e shkollës, Kokumin no rekishi (Historia e një kombi), ku lavdërohet sjellja e Japonisë gjatë kohës së luftës, ndërsa sulmohen ashpër ata që pretendojnë të kundërtën.

Themeluesi i këtij fraksioni, mësuesi Nobukatsu Fujioka, tha se ngjarjet e së kaluarës nuk ishin një tabelë fikse: “Historia nuk është vetëm diçka që përfshin zbulimin dhe interpretimin e burimeve. Ajo është gjithashtu diçka që duhet të rishkruhet në përputhje me ndryshimin e realitetit të së tashmes”.

Deri më sot, Japonia nuk ka ndjekur penalisht asnjë kriminel lufte. Që nga viti 1985 e tutje, kryeministrat e saj vizitojnë faltoren Jasukuni në qendër të Tokios, ku janë varrosur eshtrat e më shumë se 1 mijë kriminelëve të luftës. Pranë faltores ndodhet një muze, që përsërit pikëpamjen revizioniste të historisë së kohës së luftës.

Masakra e Nankingut cilësohet si një “një incident”, dhe historia shndërrohet në një mit, dhe më pas bëhet një formë propagande. Kjo është e kuptueshme, por edhe tragjike. Dikush mund të thotë se të gjitha luftërat kërkojnë një narrativë heroike, për të frymëzuar ushtarët të rrezikojnë jetën e tyre.

Dhe pas përfundimit të konfliktit, për të siguruar që ata dhe të mbijetuarit e tyre të besojnë se nuk kanë vuajtur ose vdekur më kot. Megjithatë, një ngushëllim i tillë vjen me një kosto të madhe. Siç ka thënë Xhon Karej: ”Një nga detyrat më të dobishme të historisë, është të na tregojë se sa fort, sinqerisht dhe me dhimbje, brezat e kaluar ndoqën disa qëllime që tani na duken të gabuara ose të turpshme”.

Megjithatë, pa u përballur me realitetin e dikurshëm, mbeten të pamësuara leksionet.

Japonia nuk është e vetmja që e ka deformuar të kaluarën e saj. “Unë e di se është modë të thuash, se shumica e historisë së regjistruar është gjithsesi një gënjeshtër”- shkroi XhorxhOruell në vitin 1942, duke reflektuar mbi propagandën pro-frankiste tek pasojat e Luftës Civile Spanjolle.

“Unë jam i gatshëm të besoj, se historia është në pjesën më të madhe e pasaktë dhe e njëanshme. Por e veçantë për epokën tonë, është braktisja e idesë se historia mund të shkruhet”- shtoi ai. Oruell e satirizoi këtë dukuri në librin e tij “1984” me fjalorin e tij të pushtetit shtetëror dhe mashtrimit – Big Brother, Java e Urrejtjes, Mendimi i Dyfishtë dhe Mendimi Policor: “E kaluara u fshi, gënjeshtra u bë e vërtetë… Historia ka ndaluar. Asgjë nuk ekziston përveç një të tashmeje të pafundme, në të cilën partia ka gjithmonë të drejtë.”

Në qershorin e vitit 2007, gjatë një konference kombëtare të mësuesve të shkollave të mesme në Moskë, Putin u ankua për konfuzionin që ai pa në mënyrën se si mësohej historia sovjetike, dhe bëri thirrje për kritere të mirë-përcaktuara. Ai u tha mësuesve të historisë: “Ne kemi pasur disa faqe problematike në historinë tonë. Por cili shtet nuk ka të tilla?

Dhe ne kemi pasur më pak faqe të tilla se sa disa shtete të tjera. Dhe tonat nuk ishin aq të tmerrshme sa ato të disa shteteve të tjera. Në historinë e çdo shteti, ndodhin të gjitha llojet e gjërave. Por ne nuk mund t’ia lejojmë vetes të mbytemi nga faji”. Ndërkohë, beteja për një histori të mirë vazhdon. Siç e tha dikur Frensis Bejkën “e vërteta është bija e kohës, dhe jo e autoritetit”. / TIME – Bota.al