Sport Nga “San Paolo”, në “Maradona”, priftërinjtë kundër ndryshimit të emrit të stadiumit...

Nga “San Paolo”, në “Maradona”, priftërinjtë kundër ndryshimit të emrit të stadiumit të Napolit

Rruga për të ndryshuar emrin e stadiumit të Napolit për nder të futbollistit Diego Armando Maradona duket se do të ketë vështirësitë dhe pengesat e saj.

Dëshirës së qytetarëve napoletanë dhe tifozëve të kaltër iu është kundërvënë mendimi i priftërinjve të këtij qyteti, të cilët i kanë dërguar një letër famullitarit të Bazilikatës së San Giovanni Maggiore, me destinacion kartinalin Sepe.

“Stadiumi i San Paolos duhet të qëndrojë me emrin e shenjtit që na solli Jezusin. Ndjej me përulje dhe përgjegjësi që ta thoja këtë gjë”, shkruhet mes rreshtave në letrën që përfaqëson shumë priftërinj të Napolit.

“Është shumë e trishtueshme që ndërsa të fuqishmit fshijnë emrat dhe shenjat e besimit nga qytetet tona, ne të krishterët qëndrojmë në heshtje ose në rastin më të keq e mbështesim këtë gjë”, vijon letra.

Ideja e ndërrimit të emrit të stadiumit erdhi disa ditë pas vdekjes në moshën 60-vjeçare të argjentinasit Diego Armando Maradona, i cili ka bërë histori në futbollin e qytetit të Napolit.