Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka zhvilluar një takim informal me gazetarët ku ka shpërndarë detaje rreth hetimeve dhe strategjive që po ndjek SPAK për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Një nga temat e diskutuara ishte publikimi i strategjisë për hetimin e krimeve zgjedhore.
Dumani ka konfirmuar se kjo strategji është në fazë përfundimtare dhe pritet të miratohet së shpejti, ndërkohë që një plan veprimi dhe një urdhër janë gjithashtu në punë, por ende nuk mund të bëhen publike.
Në lidhje me çështjen e komunikimeve në SkyECC, Dumani shpjegoi se SPAK nuk ka akses në të gjithë databazën e kësaj platforme, ndërsa theksoi se akuza përdor kërkime specifike për të gjetur kode që dalin nga hetimet.
Ai theksoi se nuk është e vërtetë që nuk ka pasur arrestime të politikanëve, duke përmendur rastin e ish-deputetit Jurgis Çyrbja.
Sipas tij, SPAK është gjithmonë i vëmendshëm në ndarjen e provave nga thashethemet dhe është angazhuar të mbetet objektiv.
Dumani shtoi se janë të gatshëm të veprojnë menjëherë nëse provohet përfshirja e ndonjë personi të dyshuar.
“SPAK është një nga kontribuesit më të mëdhenj me institucionet e tjera ligjzbatuese, sa i përket këtij aplikacioni. Kur kemi patur prova, apo nëse do kemi do godasin çdo nivel politikani. SPAK ushtron ndjekjen penale për këdo”.
Ai u pyet nga gazetarët edhe në lidhje me pasuritë e politikanëve jashtë Shqipërisë.
Për këtë Dumani theksoi se SPAK ka pasur indicie të tilla për të cilat ka dërguar letërporosi.
“Megjithatë ende nuk ka gjë konkrete të ndonjë pasurie të sekuestruar apo konfiskuar jashtë”.
Një tjetër çështje që Dumani ka diskutuar ishte hetimi ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili është aktualisht në fazën e hetimit paraprak.
Dumani nënvizoi se SPAK po heton për veprat penale të dyshuara dhe se kontrollet e realizuara janë pjesë e procesit për të mbledhur prova.
Një tjetër pikë e diskutuar ka qenë pezullimi i hetimeve ndaj Ols Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama, lidhur me laboratorin e drogës në Xibrakë.
Dumani sqaroi se hetimet ndaj tij u pezulluan për mungesë provash, pasi emri i Ols Ramës nuk ishte regjistruar si person nën hetim, dhe kështu nuk ka pasur bazë ligjore për vazhdimin e çështjes.
“Në rast se do ishte nën hetim, do kishte pushim të çështjes”, theksoi Dumani.
Dumani siguroi se SPAK do të veprojë me transparencë dhe në përputhje me ligjin, duke garantuar se do të merren masa ndaj kujtdo që do të provohet të ketë kryer vepra penale.