Bota “Nga sot Cosa Nostra e ka më të lehtë të vrasë Kapitenin...

“Nga sot Cosa Nostra e ka më të lehtë të vrasë Kapitenin Ultimo”

Më 15 janar 1993 ai u bë polici më i famshëm në botë, pasi arrestoi një prej bosëve më të mëdhenj të historisë së krimit të organizuar, Toto Riina.

Që prej asaj kohe, Sergio de Caprio, ose Kapiteni “Ultimo”, ka jetuar gjithmonë i shoqëruar, për frikën e ndonjë hakmarrjeje nga ana e Mafias siçiliane. Por 27 vite më pas, shteti italian vendosi t’i heqë eskortën, pas një vendimi të Gjykatës Administrative të rajonit të Lacios.

“Nga sot do të jetë më e lehtë të godasësh Kapitenin Ultimo”, shkruan De Caprio në Facebook. “Sonte në Romë do të kujtojmë arrestimin e Riina në shtëpinë e familjes. Ju pres bashkë me karabinierët e atëhershëm, karabinierët e përhershëm, që nuk braktisin. Falënderoj me lot në sy 157 mijë personat që më kanë mbështetur dhe më mbështesin akoma, të cilët kanë firmosur peticionin online. Dashuria juaj është një nder i madh për mua. Ju kam të gjithëve në zemër”.

Në gusht të vitit 2019, Gjykata fillimisht kishte pezulluar e më pas anuluar vendimin për t’i hequr eskortën De Caprio-s, por pas ankimimit nga ana e shtetit italian në tetor, të mërkurën gjykata vendosi përfundimisht ta lërë pa mbrojtje.

Toto Riina, i njohur në Itali si “capo dei capi” ishte kreu i “Cosa Nostra”-s për dekada. Ai konsiderohet si urdhëruesi i qindra vrasjeve në Italinë e viteve ‘70-’80, mes tyre edhe të prokurorëve Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino. Ai u arrestua pasi kishte kaluar 23 vite në arrati, një ngjarje që në Italinë e fillim viteve ’90 u vlerësua për goditjen e rëndë që i dha Mafias.

Për Sergion de Caprion, ose Kapitenin “Ultimo” dhe kapjen e Toto Riina-s, janë bërë disa filma në Itali, ku më i njohuri është “Ultimo” me protagonist Raoul Bova-n.