Bota Nga stjuardesë në truprojë dhe tani mbretëreshë (FOTO)

Nga stjuardesë në truprojë dhe tani mbretëreshë (FOTO)

Mbreti i Tajlandës është martuar me zëvendës shefen e trupës që merret me sigurinë e tij personale dhe i ka dhënë asaj titullin “Mbretëreshë”.

Njoftimi befasues u bë para se ceremonia e kurorëzimit të Mbretit të fillojë të shtunën. Maha Vajiralongkorn u bë monarku sundues i vendit në moshën 66-vjeçare, kur babai i tij ndërroi jetë në vitin 2016. Ai ka qenë i martuar tri herë të tjera më parë dhe nga të tre martesat ka 7 fëmijë.

Në një njoftim për mediat thuhej: “Mbreti Vajiralongkorn ka vendosur që të promovojë Gjeneral Suthida Vajiralongkorn Na Ayudhya, bashkëshorten e tij, duke e shpallur Mbretëreshë, titull që do të mbajë si pjesë e familjes mbretërore”.

Mbretëresha Suthida është prej vitesh partnerja e Mbretit Vajiralongkorn dhe është parë shpesh në shoqërinë e tij në publik, edhe pse marrëdhënia e tyre nuk ishte pranuar kurrë zyrtarisht. Të mërkurën në televizionin shtetëror u shfaqën pamje nga ceremonia martesore, ku Mbreti u pa duke i hedhur ujë të shenjtë Mbretëreshës e më pas të firmosnin në regjistrin e martesave.

Në vitin 2014, Mbreti Vajiralongkorn emëroi Suthida Tidjai, një ish-stjuardesë e Thai Airways, si zëvendës komandante të njësisë së truprojave të tij. Në dhjetor 2016, ajo mori edhe titullin ushtarak Gjeneral.

Mbreti i mëparshëm, Bhumibol Adulyadej, sundoi për 70 vjet, duke u bërë monarku me sundimin më të gjatë në botë, para se të ndërronte jetë në vitin 2016.