Kulturë Nga Teatri Kombëtar te Muzeu Hebraik dhe “itinerari fishtian”, Margariti rendit kantieret...

Nga Teatri Kombëtar te Muzeu Hebraik dhe “itinerari fishtian”, Margariti rendit kantieret e kulturës

Një nga projektet më ambicioze të qeverisë, sa i përket kulturës në 2023, është “Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë”.

“Kjo qendër ka nisur të marrë jetë në hapësirën e ish Gardës”, tha sot ministrja e Kulturës, Margariti gjatë publikimit të arritjeve në vitin 2022 dhe objektivat për vitin 2023.

Përtej Teatrit të Kukullave e kurseve të muzikës e pikturës, në këtë qendër një hapësirë e konsiderueshme do i lihet kurseve të teknologjisë dhe artizanatit. Do të ketë hapësira të dedikuara për fëmijët që do të mësojnë poçerinë e zejtari të tjera, pjesë të identitetit unikal shqiptar.

Por, kantieri më i madh i Ministrisë së Kulturës, mbetet Teatri Kombëtar. “Në momentin që realizojmë këtë objekt, do të kemi një inkubator idesh e festivalesh ndërkombëtare dhe puna për këtë ka nisur me drejtorin e ri, duke krijuar sinergji e bashkëpunime të reja”, u shpreh Margariti.

Dy kantiere të tjera që veçoi ministrja e Kulturës ishin dhe Muzeu Hebraik në Vlorë dhe Piramida e Tiranës.

“Muzeu Hebraik vjen për të sjellë traditën e bukur shqiptare të mikpritjes dhe mbështetjes ndaj këtij komuniteti. Shpesh fëmijët tanë nuk e dinë historinë e bukur të mikpritjes kombëtare dhe përveç kësaj shpresojmë që ky muze të shërbejë si magnet ndaj turistëve dhe vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta me komunitetin hebre”, u shpreh Margariti.

Muzeu Hebraik do të vijë si një muze dixhital, ku do të vihet theksi tek elemente audio-vizuale dhe s’do të jetë një muze i prekshëm.

Ndërsa Piramida e Tiranës, një nga objektet më simbolike të një periudhe të errët, po transformohet në një objekt drite.

“Me partnerë të rëndësishëm si Fondi Amerikan i Zhvillimit, brenda 6-mujorit të parë do të kemi përfundimin e këtij inkubatori të teknologjisë”, tha ministrja e Kulturës.

Më tej ajo renditi të tjera nisma te ministrisë që drejton, të cilat janë shpërndarë në nivel kombëtar, nga veriu ne jug, për të çuar përpara listën e rriskut apo të emergjencës për restaurime të objekteve të trashëgimisë.

Margariti ka veçuar “itinerarin fishtian” te lidhur ngushtë me komunitetin, duke sjellë një tjetër lloj turizmi.

Shumë shpejt do të nisë muzealizimi shtëpisë së Fishtës dhe memoriali i tij, duke e kthyer në një rezidencë artistësh.