Aktualitet Nga tentativat për vrasjen e Lul Berishës te përdhunimi i një vajze....

Nga tentativat për vrasjen e Lul Berishës te përdhunimi i një vajze. Të gjitha krimet e Endritit Dokles

Endrit Dokle, i dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë krimesh, përfshirë vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale pritet të lirohet nga burgu me kusht.

Gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë në Krujë, Enkeleida Hoxha, vendosi lirimin nga qelitë të tij pas disa vendimeve të mëparshme që i kishin krijuar lehtësira Dokles.

Po, kush është Endrit Dokle, ish-pjesëtar i bandës së Durrësit?

I lindur në Kukës në vitin 1983, Dokle u përfshi në një sërë krimesh, duke nisur nga vrasjes. Ai akuzohet për vrasjen e shtetasit Dritan Disha, më 9 korrik 2000. Gjithashtu, është përfshirë në vrasjen e shtetasit Erion Lame, ngjarje e ndodhur më 14 janar 2002. Një nga armiqtë e tij të betuar, dikur bashkëpunëtor është edhe Lulzim Berisha, ndaj të cilit ka organizuar katër atentate, përkatësisht më 5 prill, 5 maj, 30 gusht dhe një tjetër atentat po në gusht të vitit 2005. Gjithashtu, Endrit Dokle akuzohet për përfshirje në vrasjen e shtetasit Avni Fashi, ngjarje e ndodhur më 12 maj 2005. Në dosjen e Prokurorisë, ai akuzohet për pjesëmarrje në organizata kriminale, rrëmbim dhe mbajtje peng personi, mbajtje të armëve dhe municioneve, mos kallëzim krimi, etj.

Dy pjesëtarët e organizatës, përkatësisht Dokle dhe Indrit Taullai më datë 01.12.2000 në Tiranë rrëmbejnë me forcë një vajzë V.J në sytë e prindërve të saj dhe e dërgojnë në një shtëpi të vjetër në Spitallë të Durrësit.

“Në këtë shtëpi kjo shtetase mbahet nga i pandehuri Indrit Taullai e Endrit Dokle deri në muajin qershor 2002 kohë në të cilën del nga burgi Klodjan Saliu”, thuhet në vendimin e Gjykatës. Gjatë gjithë kësaj kohe, vajza kishte komunikuar dy herë me motrën, duke u treguar se ishte në Greqi dhe se ishte mirë. Sipas dëshmisë së saj, ajo përdhunohej nga pjesëtarët e grupit në vijimësi pa dëshirën e saj. “Fillimisht ne kete shtepi rrinte dhe Indrit Taullai, pasi me mbanin aty per te mos kallezuar rreth vrasjes se Marsel Sotirit, pasi kishin frike se mos policia me kapte dhe me pyeste per kete ngjarje ne nje kohe qe Klodi ishte ne burg. Gjate qendrimit ne kete shtepi perveç Indrit Taullait qe kryente marredhenie seksuale me mua kane kryer marredhenie te tilla dhe Endrit Dokle, Arjan Saliu, vellai i Klodit jashte deshires sime”, thotë ajo në dëshmi.

Pjesëmarrja në Bandën e Durrësit dhe “ndarja” me Lulzim Berishën

Lulzim Berisha, aktualisht i dalë nga burgu dhe shtetasi Klodian Saliu (i vrarë) që nga viti 1998 e deri në vitin 2002 kanë krijuar dhe drejtuar një organizatë kriminale me shtrirje dhe aktivitet në rrethin e Durrësit dhe më gjerë.

Në këtë grup kriminal merrnin pjesë të pandehurit Plaurent Dervishaj, Adriatik (Dritan) Coli,  Ilir Xhunga (i vrarë) Arben Paja (i vrarë), Endrit Dokle, Indrit Taullai, (i lirë) etj. Në vitin 2002 organizata kriminale ndahet në dy pjesë ku si i pandehuri Lulzim Berisha ashtu dhe shtetasi i vrarë Klodjan Saliu drejtonin të pavarur nga njëri tjetri dy grupime kriminale rivale. Në datë 26.02.2005 shtetasi Klodjan Saliu vritet dhe drejtimin e organizatës tashmë e merr i pandehuri Endrit Dokle. Ai njihej në organizatë edhe si “Endriti i vogël”.

“Në qytetin e Durrësit rreth shtetasit Klodjan Saliu rrinin anëtarët e organizatës kriminale si Adriatik (Dritan) Coli, Indrit Taullai, Plaurent Dervishaj, Endrit Dokle si dhe bashkëpandehurin të pandehurin Bujar Gashi e shtetas të tjerë. Bashkëpandehuri Bujar Gashi së bashku me të pandehurit Endrit Dokle, Adriatik Coli, Indrit Taullai, etj shoqëronin në mënyrë të vazhdueshme shtetasin Klodjan Saliu dhe përmbushnin të gjitha detyrimet si anëtarë të organizatës kriminale, ndërsa vihej re një ftohje midis tij dhe të pandehurit Plaurent Dervishaj”, thuhej në dosjen hetimore.

Organizata kriminale e drejtuar nga i pandehuri Endrit Dokle edhe pse plagosi shtetasin Lulzim Berisha me datë 05.05.2005 nuk resht përpjekjet e saj për ta eleminuar atë fizikisht. I pandehuri Endrit Dokle, të pandehurit Altin Olloni, Elvin Hoxhosmani, Selman Heti e Alban Neli i inkuadron plotësisht në organizatën kriminale që drejtonte duke ju vënë si pikësynim kryesorë vrasjen e shtetasit Lulzim Berisha.

Të ardhurat për shpenzimet që kishin të gjitha këto sipërmarrje të organizatës siguroheshin nga trafikimi i lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Në ditë në vijim i bashkohen organizatës në radhët e saj të pandehurit Kujtim Buna e Spartak Kalthi. I pandehuri Kujtim Buna ishte vëllai i kunatit të të pandehurit Endrit Dokle ndërsa i pandehuri Spartak Kalthi ishte bashkëpunëtor i të pandehurve  Elvin Hoxhosmani, Selman Heti e Alban Neli nga Burreli.

Me gjithë përpjekjet e mësipërme qëllimi kryesor i organizatës nuk po realizohej lidhur me vrasjen e shtetasit Lulzim Berisha, pasi ky i fundit ruhej dhe kryente lëvizje të kufizuara dhe ato pak lëvizje i bënte me makinë të blindur. Në këto kushte, organizata kriminale e drejtuar nga Endrit Dokle planifikon ta godasë shtetasin Lulzim Berisha me armë të rënda kundratank dhe për këtë i pandehuri Kujtim Buna i krijon disa lidhje në Kosovë.

Në bazë të komunikimeve me shtetasit kosovarë të të pandehurit Kujtim Buna, organizatës i vijnë në Tiranë tek rruga “Komuna e Parisit” dy armë zjarri antitank me një përdorim me vlerë nga 500 euro copa. Këto armë do të përdoreshin për të goditur shtetasin Lulzim Berisha por asnjëri prej anëtarëve të organizatës nuk dinte t’i përdorte. E në këto kushte i pandehuri Kujtim Buna ju kërkon bashkëpunëtorëve të tij kosovarë dy shtetas nga Kosova që të bëjnë të mundur goditjen me kundratank të shtetasit Lulzim Berisha, kundrejt shumës prej 80 mijë eurosh.

Mbi këtë propozim me date 28.08.2005 organizatës kriminale i vihen në dispozicion dy të pandehurit Osman Korpuzi e Ahmet Ajeti të cilët do të paguheshin në vlerën e cituar më lart për vrasjen e shtetasit Lulzim Berisha. Të pandehurit nga Kosova takohen me të pandehurit Endrit Dokle, Adriatik Coli, Kujtim Buna e Sardjan Sulejmani tek rruga “Komuna e Parisit” në Tiranë. Gjatë këtij takimi atyre ju tregohen të dhëna për shtetasin Lulzim Berisha e lëvizjet e tij dhe në bisedë ata preferojnë ta godasin Lulzim Berishën me pistoletë dhe jo me armët antitank.

Pas kësaj bisede ata dërgohen po me date 28.08.2005 nga i pandehuri Sardjan Sulejmani në qytetin e Durrësit dhe sistemohen në një hotel. Të nesërmen më datë 29.08.2005 të pandehurit Endrit Dokle e Adriatik Coli shkojnë në hotelin ku ishin të sistemuar të pandehurit Osman Korpuzi e Ahmet Ajeti dhe ju japin atyre dy armë zjarri pistoleta njëra tip “zastava” me silenciator dhe tjetra tip “Uzi” amerikan të vogël me silenciator. Ata nisën aksionin për vrasjen, por bashkëpunëtorët e Lulzim Berishën i kuptuar dhe reaguan duke plagosur njërin prej tyre. Në këtë mënyrë dështoi edhe kjo tentativë./Panorama/