Kryesore Nga vrasja e një gruaje te dhëndri i Qazim Sejdinit: Rrëfimet e...

Nga vrasja e një gruaje te dhëndri i Qazim Sejdinit: Rrëfimet e plota të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt

Ndonëse kanë kaluar mbi 12 orë nga nisja e ekzekutimeve të urdhër-arresteve të lëshuar për disa nga emrat e njohur në botën e krimit në vendin tonë, vijojnë të dalin detaje nga dosja voluminoze që i inkriminon ata në krime të rënda. SPAK ka mundur të zbërthejë veprimtarinë e disa grupeve kriminale, ndërsa ta, Ervis Martinaj, Suel Çela, etj. I përfshirë në krime ka qenë edhe Nuredin Dumani, i arrestuar pak javë më parë në Fier, pas atentatit të dështuar ndaj tij në Elbasan ku mbeti i plagosur me një plumb në shpatull. Mirëpo, ka qenë dëshmia e këtij që ka zbuluar detaje për disa ngjarje të ndodhura në vendin tonë.

Para prokurorëve të posaçëm, Nuredin Dumani ka deklaruar se është paguar 100 mijë euro për vrasjen e Endrit Dokles. Një krim ky, sipas Dumanit, i paguar nga Ervis Martinaj. Dumani ka thënë se Martinaj kërkonte konflikt me Doklem, mirëpo edhe pse shuma ka qenë e madhe, ai nuk ka pranuar të eliminojë Endrit Doklen. Ky i fundit i dënuar për veprat penale “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të organizatës kriminale.

Pjesë e dosjes hetimore është edhe një tjetër porosi e pakryer. Florenc Çapja, i njohur në qytetin e Elbasanit dhe prezent në disa ngjarje kriminale, sipas Dumanit, ka kërkuar vrasjen e Sokol Sanxhaktarit. I është ofruar e njëjta shumë si ajo e Dokles dhe porosia duhej kryer. Sanxhaktari është dhëndrri i ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdinit, i cili tashmë ndodhet në burg, i dënuar për vrasjen e shokut të tij, Florenc Lamçja.

Më tej, një tjetër emër në dosje është edhe Talo Çela. Ky i fundit vijon të qëndrojë në arrati. Mirëpo, ka dëshmitë e mbledhura dhe hetimeve të kryera nga SPAK, Talo Çela akuzohet për vrasjen e shtetases Fatmira Deda. Për këtë kërkohet edhe shtetasi Festim Çoli.

Referuar dosjes hetimore të SPAK, thekson se Talo Çela akuzohet se vrau Fatmira Deden, pasi kjo e fundit kërkonte drejtësi për djalin e saj Elvis Deda që ja vranë dhe nuk po gjente dot autorët. Elvisin thuhet në dosjen e SPAK, e vrau shtetasi Henrik Hoxhaj dhe Festim Qoli, mbasi ky i fundit kishte konflikte prone. Fatmira Deda, u gjet e vdekur më 14 shtator 2013. 60-vjeçarja u qëllua me mjete metalike, teksa po futej në garazhin e një pallati pranë banesës saj në lagjen “Skëndërbej” në zonën e Fermentimit për të marrë makinën e saj. Në momentin që ajo ndodhej e vetme në garazh, disa persona e kanë qëlluar atë me mjete të forta në pjesën e pasme të kokës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa autorët e krimit janë larguar në drejtim të paditur.

Sakaq, një tjetër krim që është kërkuar të kryhet nga Dumani është dhe porosia që ka bërë Suel Cela, i cili i ka kërkuar që të vrasë një biznesmen. Sipas SPAK, ngjarja ka ndodhur pak muaj më parë, dhe biznesmeni që duhet të vritej ishte shtetasi Lulzim Masha, administrator i një shkolle private. Atentati ndaj tij u tentua të finalizohej në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, mirëpo nuk pati sukses. Skerdi Tase dyshohet se ishte në rolin e ekzekutorit, i shoqëruar nga Henrik Hoxhaj.

Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj shpjegojnë se si porositej një vrasje, si negociohej për çmimin, përgatitjet dhe ekzekutimit. Më poshtë mund të lexoni disa nga momentet kyçe të dëshmisë së tij, të ndara sipas ekzekutimeve:

Vrasja e Ervis Dedës dhe nënës së tij, Fatmirës, rrëfim i Nuredin Dumanit

“Në fund të vitit 2012 ose fillim 2013 (nuk jam i sigurt), në lagjjen 14 ku unë jetoja në qytetin e Durrësit, ishte një person i cili kishte emër dhe reputacion, quhej Festim Qoli. Ai kishte reputacion pasi ka shumë para dhe biznese. Festimi ka pasur një karburant në Shkozet afër Urës së Dajlanit që e ka shitur në vitin 2020. Ka gjithashtu një godinë tre katëshe në zonën e njohur si Nishtulla, në të cilin ka aktivitet Bar Kafe “Spiranca”, ushqimore me shumicë edhe një restorant dasmash. Takoheshim gjithmonë tek lokali i tij që ishte në lagjje. Shkurt e thërrisnim Festa. Si pikë takimi ishte Bar “Spiranca”. Aty u njoha me Festimin, kisha pasur një konflikt më parë me Festim Qolin dhe kushërinjtë e tij pasi i kisha rrahur kushërinjtë. …….Më pas u bëmë shokë së bashku. Një ditë ishim duke bërë palestër, tek palestra e Festimit brenda kompleksit të tij, po diskutonim për ngjarjen që ishte vrarë Ervis Deda, që akuzohej Festim Qoli i cili e kishte mbyllur çështjen duke më thënë se vetëm këtyre “qenve” këtu në Durrës ju kam dhënë 200.000 Euro”

Këtë e dija se ishte bërë publike. E kam dëgjuar edhe nga njerëz të tjerë që thonin se e ka bërë ai Festo, por unë nuk kisha folur me Feston. Më pas kur krijova relata më të ngushta me Festimin u njoha edhe me Henrik Hoxhën aty e mora vesh tamam që në vrasjen e Ervis Dedës ka qenë Festimi vetë dhe Henriku. Këtë ma pohuan të dy. Festim ka qenë shofer i automjetit që kanë përdorur për të ekzekutuar Ervisin ndërsa ekzekutori ka qenë Henriku me armë automatike.

Festimi ishte 6 muaj në kërkim më pas u kthye. E dinin të gjithë që ishte në kërkim pasi edhe shteti vinte e kërkonte te shtëpia, madje kur erdhi policia që ta merrte në shtëpi kam qenë në lagjje pasi ai shtëpinë e ka te kafja e lagjes dhe mesa mbaj mend e morën me një makinë ML jo me makinë policie. Një ditë kur unë, Festimi dhe Henriku po pinim të tre bashkë alkool dhe kokainë, gjatë diskutimeve duke u mburrur për ngjarjet që ne kishim bërë, ata më treguan sesi e kishin realizuar vrasjen e Elvis Dedaj. Ditën e ngjarjes ata kanë qenë duke pirë një një lokal anës rrugës së Kënetës në të cilën ka kioska që pjekin mish. Kanë qenë në pritje të informacionit se ku ndodhej Elvisi. Vendin ku ndodhej Elvisi, Festo e ka mësuar nga….ka qenë duke ngrënë drekë së bashku me Elvisin në një restorant në rrugën dytësore pranë Shkëmbit të Kavajës…Festo më ka treguar se e ka pyetur vetë Elvisin me telefon se ku ndodhet? Kjo sipas Festos ka dalë edhe nga hetimet. Pasi Elvisi është ngritur nga tavolina ka shkuar në makinë për t’u larguar, në atë moment Festimi me Henrikun kanë qenë duke e pritur. Sapo Elvisi është futur në makinë ka shkuar Henriku dhe e ka qëlluar me armë. Pas ngjarjes janë larguar me makinën Mitsubishi L200, të cilën e kanë djegur në Kodër Arapaj. Nga djegia e makinës Festimi ka djegur vetullat dhe fytyrën.

Vrasja e Fatmira Dedës, rrëfim i Nuredin Dumanit

“…Gjatë diskutimit Festim Qoli më tha, po më ngushton nëna Ervis Dedes, kjo pasi po interesohej vazhdimisht në Prokurori për vrasjen e djalit dhe ajo akuzonte direkt Festimin. Më kërkoj nëse mund ta ndihmoja me eliminimin e saj. Ajo ishte nëna e Ervisit. Emrin e kishte Fatmira Dedaj. Pasi diskutuam më tha do të jap 40.000 mijë euro po ta vrisja. I thashë do flas me disa persona, nuk e di atë ditë apo më vonë por di që shkova i vetëm në Elbasan tek Talo Çela. Talon me sa mbaj mend e kam takuar tek lokali/servisi i Gent Sharrës (Gentin e kam njohur nga Talo Çela ne Elbasan, pasi kishim kryer grabitje bashkë. Jeton në Elbasan përballë parkut. Është i gjatë 1.70m, ka flokë kaçurrela të zeza mesa mbaj mend, është diku tek të 50tat, ka një djalë dhe tre goca mesa mbaj mend) në Bradashesh. Ishte diku 300 metra nga shtëpia e Talos në krahun e majtë kur vjen nga rruga e vjetër nga Peqini për në Elbasan, luanim bilardo, poker. Kam diskutuar me Talon dhe Gent Sharrën për këtë pjesë i thash që janë shumë lekë. Unë i thash më thënë të drejtën janë 30.000 Euro pasi doja të fitoja diçka më shumë. Talo e pranoi ofertën që i thash për momentin…..di që jeton ke rrotondo e luleve kur vjen nga Peqini diku 100m larg ne krahun e djathtë në një pallat të vjetër. Aty afër jetonte dhe ish gruaja e Talos me vajzën. I mbante flokët lart gjithmonë, ishte trup normal i gjatë diku tek 1.75m…. Atë ditë nuk mora përgjigje, ma mori përsipër pothuajse pranoi. Erdhi pas disa ditësh Talo Çela, i kam treguar vendin, emrin, lëvizjet e Fatmira Dedes. E ndoqa bashkë me Talon me makinë disa ditë, nuk i mbaj mend makinat. Ajo shkonte çdo ditë në varrezat e Durrësit në mëngjes. Ideja ishte ta vrisnim tek varrezat. Në ndjekjen e saj kemi futur dhe Dorjan Shkozën i cili kishte një makinë Suzuki ose Toyota me portobagazh të vjedhur ngjyrë e kuqe. Dorjani e ndiqte dhe na jepte ne të dhënat ku ishte ku shkoi. Talo donte ta bënim tek varrezat pasi sipas tij krijonte lehtësi në largim në drejtim të Spitallës, por unë nuk pranova. Mbasi folëm me Festimin ai më tha që të bëhej tek garazhdi pasi duhej të dukej si grabitje dhe jo si vrasje pasi aty do kishim dhe Agronin që do na ndihmonte me telefon për lëvizjet e saj. Për çdo lëvizje që bënte Fatmira unë flisja më të vëllain e Festimit, Petritin të cilin e informoja për çdo lëvizje por jo për planin. Petriti merret me biznes. Ka pas ndërtuar pallate, me sa di ka dhe 2/3 pershkarexhe për peshkim. Mesa di ka dhe një piceri Erdogan ngjitur me ish Apolloninë që u shemb pas tërmetit. Petriti është diku sot tek 50-55 vjeç, është 1.80m i gjatë, i shëndoshë mban mjekër gjithmonë. Është i martuar po ska fëmijë. U vendos përfundimisht që ta eliminonim Fatmirën tek garazhdi i pallatit ku banonte. Festimi ndërkohë ishte jashtë shtetit. Mua më ka thënë që ishte në Itali por mesa mora vesh më vonë nga biseda më të se kishte qenë në Greqi…. Largimi i tij nga Shqipëria ishte i planifikuar. Kishim biseduar më parë që para se të kryhej vrasja duhet të ishte jashtë shteti. Kjo me qëllim që policia mos të kishte dyshime tek ai. Unë e lajmërova Petritin të largohej nga Shqipëria se do mbaronim punë. Unë e di që iku për në Greqi, por nuk e di a është e vërtetë. Mesa mbaj mend Petritin e kam lajmëruar 10 ditë para vrasjes. Mesa di unë iku jashtë. Na dha 2 telefona nokia të vjetër Petriti vëllai i Festimit. Një për mua një për Agronin. Agroni është djali i xhaxhait të Festimit dhe Petritit. Agroni di që merret me ndërtim dhe është diku tek 50 vjeç. Aktualisht nuk e di se ku punon Agroni. Agroni jetonte në të njëjtin pallat me viktimën. Petriti na i dha telefonat për punë vëzhgimi, kur hyn kur del Fatmira. Ditën e ngjarjes shkuam me suzukin/toyotën, Talo ka kaluar tek pjesa mbrapa ishte me xhama të zinj, unë isha shofer i mjetit. Kemi bërë rrugën dhe po prisnim tek hyrja e garazhdit. Me vete kishim një pistoletë TT dhe një thikë të cilën e mbante Talo Çela. Talo kishte doreza dhe kapuç, ndërsa unë kam pasur vetëm doreza edhe një triko sportive me kapuç dhe kapele, mesa mbaj mend pasi unë isha në timon. Goni na bëri mesazh që Fatmira kishte dal dhe e dinim që do kthehej. Agroni na jepte të gjitha informacionet kur hynte dhe dilte Fatmira. Ajo lëvizte me Citron C4 ishte lehtësisht e verifikueshme. Kemi pritur kthimin e saj rreth 1 orë dhe e pamë që erdhi, u nisa mbas saj me makinë tek garazhdi, hymë njëkohësisht tek garazhdi. Ajo zbriti nga makina pasi parkoi dhe po dilte për punën e saj. Unë po rrotullohesha tek parkimi dhe Talo doli nga makina dhe po priste momentin. Unë pashë që Talo po e godiste me shqelma, ndërsa ajo nuk reagonte. Talo kishte dhe armën me vete po se përdori. Ai përdori thikën më pas për ta eleminuar. Ajo ishte e shtirë pa ndjenja nga goditjet e tij me grushta dhe shqelma ai i drejtoi thikën dhe më duket se e goditi në qafë. Unë nuk mund ta shikoja dot. Kështu donte dhe Festimi që të ndodhte pasi donte të dukej jo si vrasje por si grabitje prandaj u përdor konflikti. Talo më pas i grabiti çantën, nuk e di se çfarë kishte brenda se kam parë. Isha i tensionuar nga gjaku dhe nga vdekja e zonjës. Pastaj u larguam, kemi shkuar me të njëjtën makinë deri në Plepa tek ura. Unë mora taksi tek Plepat ndërsa Talo mori makinën dhe nuk e di ku shkoi më pas makina e ngjarjes. Më rëndoi shumë vrasja. Telefonin e hodha tek kanali i ujërave të zeza. Hodha dhe rrobat. Më pas shkova në shtëpi. Pas disa ditësh unë po prisja tek lokali i Festimit ardhjen e Petritit. Me sa mbaj mend Petriti erdhi me një ML gri, më tha dil tek nën kalimi i Shën Vlashit aty bëmë një xhiro me benzin dhe më tha ja ku e ke pagesën. Më falënderoi, më tha që do kemi shumë punë. Lekët i kishte futur tek marshi i makinës. Eurot që mora kanë qenë në disa prerje. Më la pas xhiros përsëri tek nënkalimi dhe ika më pas në shtëpi. Shkova në Elbasan atë ditë ose të nesërmen dhe komunikova me Talo Çelën që po shkoja ta takoja. Komunikoja vetëm me mesazhe. Talon e kam takuar tek pilafi në Bradashesh, Elbasan. I dhashë 30.000 mijë Euro Talo Çelës dhe 10.000 euro i mbajta për vete. Unë me Festimin jam takuar disa herë më mbrapa por nuk e ka hapur asnjëherë bisedën për vrasjen. Më ka falënderuar për vrasjen dhe më pas kemi prerë gishtat së bashku, jemi bërë vëllezër gjaku. Të shtëpisë time dhe të atij e dinë që jemi vëllezër gjaku”.

Vrasja e Andi Zylyfit, rrëfim i Nuredin Dumanit

Në vitin 2019, pasi kam dalë nga burgu më ndodhi një konflikt me Talo Çelën. Pas vrasjes së Andi Zylyfit e ndjeva veten të përdorur për arsye se benzi që u përdor në ngjarjen e vrasjes mua ma kishin falur dhe unë po e mbaja që ta shfrytëzoja për ndonjë ngjarje tjetër, grabitje ose vrasje këto ma kërkuan duke më thënë që i duhej shpejt pasi do kryenin vrasjen e Andi Zylyfit. Makina ishte Mercedez Benz E ose C Clas, ngjyrë gri, të cilën e kam patur tek garazhi i Gim Gjinit. Kjo makinë ka ndryshuar ngjyrë tre herë nga e bardhë, e zezë dhe gri, tek servisi Dorjan Shkozës, në zonën e Nishtullës. Unë vetë i kërkova Talo-s të merrja pjesë pasi kisha mbetur pa lekë por ai më tha nuk të fus dot se është në pjesë Miri Haxhia dhe Altin Ndoci, ata kanë marrë kaparin. Talo më tha që do të ta zëvendësonte makinën pasi të mbaronte ngjarja. Makinën nuk ma zëvendësoi dhe nuk më dha as lekët që më premtoi. Disa ditë më vonë 2 ose 3 ditë pas ngjarjes po debatoja me Talo Çelën se ngjarja kishte ndodhur në Peqin dhe ato kishin ardhur në Durrës për kontroll te shtëpia ime, thërritën dhe vëllain e madh po ska lidhje. Fajin Talo fajin ja vinte Tos Gosës sepse ky ishte informator i lëvizjes së Andi Zylyfit. Tos Gosa është bashkëpunëtor tek të gjitha vrasjet që kanë ndodhur në Elbasan duke filluar nga Indrit Dylgjeri, 2 vëllezërit Baho dhe tek Andi Zylyfi. Tosi është diku mbi 40 vjeç, ka një lokal ose restorant në Peqin, ka pasur një golf i zi dhe një BMV seria 3. Tosi është kuqalosh diku tek 175cm. Këtë j’ua them me siguri pasi e kam takuar dhe vetë Tosin. Mbasi i është bërë atentati Andi Zylyfit kam shkuar me urdhër të Talos tek Dine Çami, i cili ka një lokal diku në qendër të Elbasanit, ka fast food. Kam shkuar tek Dine Çami kam marr një qese të zezë me lekë të ndara në 2 pjesë. Unë Dine Çamin nuk e kisha parë më parë por kisha dëgjuar për të. Në dijeninë time, Dine Çamit lekët për vrasjen e Andi Zylyfit ja ka dhënë Kel Kamami. Dine Çami është burri i tezes së Kel Kamamit. Dine ka patur lidhje familjare me Kelin nëpërmjet tij ka krijuar kontakt dhe me grupin e Çopajve (vëllezërit Çopja) dhe kjo i ka mundësuar Dine të investojë shuma parash të marra prej tyre në biznese të ndryshme. Dine ka një lokal, fast food dhe një servis. Ka shumë prona që janë investime të Çopajve. Dine Çami është trup i shkurtër, i shëndoshë dhe qeros. Talo më tha do marrësh disa lekë, ato të voglat ndarjen me të vogël do ja japësh Tos Gosës. Tos Gosën e kam takuar tek pishat në Peqin mesa mbaj mend ka patur një makinë të vogël por se mbaj mend, ndërsa Tosi ka ardh me një golf 5 i zi. Kemi biseduar pak dhe i kam thënë ja ku e ke porosinë tënde. Pjesën tjetër ja kam dhënë Altin Ndocit, i cili ka ardhur tek rrugica e lagjes time. Altini ka ardhur më një C Class 2008/2009. Mbaj mend që ka qenë aksham kur i kam dhënë lekët. Altinin e pyeta për pjesën time, ai më tha për këtë punë merret Lala (Talo Çela). Konflikti vazhdoi më Talon edhe në telefon edhe ballë për ballë. Ai për çdo gjë me sillte Altin Ndocin për të biseduar ndërkohë kishte lidhje me Dorjan Shkozën. Një ditë kam sharë/ofenduar Altinin te lagjja. Dorjani nuk më la ta godisja Altinin. Unë isha me vëllain tim Dashnorin. Pas 2 ose 3 ditësh Altin Ndoci i ka dalë vëllait tim Dashit e ka ndaluar në rrugë, vëllai ka qenë me BMV seria 3, Altini i ka nxjerr pistoletën me mulli vëllait siç duket ka shkrep armën por nuk ka realizuar qitjen. Në atë moment vëllai del dhe e rreh keq Altinin në afërsi të lagjes time. Vëllai më vuri në dijeni për ngjarjen. Unë i shkruajta Talos dhe e shava goxha rëndë dhe i thash tani e tutje keni punë me mua pas kësaj ngjarje. Talo më tha që nuk e kam bërë s`kam çuar njeri dhe vëllait tënd i blej dhe makinë të re. Altin Ndoci na provokonte goxha herë bashkë me Mirin e Kolës, saqë nuk po dinim të reagonim në atë kohë. Pashë situatën që nuk ishte e mirë, Dorjan Shkoza ishte gjatë gjithë kohës pas meje në çdo lëvizje duke më vëzhguar. Më pas u ula me vëllain dhe i thashë që duhet të largohemi nga Shqipëria pasi ato duan të na vrasin, unë nuk lëvizja dot pasi isha me ekspuls…….

Vrasja e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdias dhe e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia

Prokurorët nuk shkruajnë në dosje rrëfimin në vetën e parë të Dumanit. Por pranohet se Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj, kanë dhënë të dhëna për përfshirjen e tyre në këto dy episode si dhe të shtetasve të tjerë. Nga deklarimet e tyre të cilat janë në unison me njëra-tjetrën ka rezultuar se në vrasjen e shtetasve Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia në datën 02.03.2020, janë të përfshirë të hetuarit Arjan Spahija (i vrarë në Belgjikë), Erjon Alibej, Eljo Bitri, Henrik Hoxhaj, Nuredin Dumani, Klevis Alla, Asllan Plaku. Në deklarimet e shtetasve Henrik Hoxhaj dhe Nuredin Dumani shpjegohet roli dhe veprimet e secilit prej pjesëmarrësve në ngjarjet e datës 02.03.2020 dhe 27.04.2020, të ndodhura në Durrës.

Vrasja e Emiljano Ramazanit në Elbasan, rrëfimi i Henrik Hoxhaj

Henrik Hoxhaj  jep detaje shumë të rëndësishme në lidhje me porositësin, ekzekutorin si dhe rolin e tij në kryerjen e kësaj vepre penale. Ndërmjet të tjerave ky shtetas deklaron se ai ka qenë në rolin e ndihmësit në kryerjen e këtij krimi ku ka qenë personi i cili shfaqet si drejtuesi i automjetit tip Volsvagen që ka vajtur në vendin e ngjarjes dhe me të cilin janë larguar po nga vendi i ngjarjes. Gjithashtu ky deklarues identifikon ekzekutorin e veprës penale i cili është Skerdi Tasi (personi i cili afrohet tek automjeti i viktimës dhe qëllon me armë zjarri ndaj viktimës Ramazani). Gjithashtu Henriku shpjegon se këtë vrasje e ka bërë me pagesë pasi këtë ia ka kërkuar i dyshuari tjetër në krim Nuredin Dumani.

Në lidhje me këtë vrasja ka dhënë shpjegime edhe shtetasi Nuredin Dumani, i cili ndër të tjera ka shpjeguar se ka marrë porosi për vrasjen e shtetasit Emiljano Ramazani nga shtetasit Erion Alibej dhe Arjan Spahiu.

Vrasja e Bujar Çelës, rrëfim i Nuredin Dumanit

“Në lidhje me vrasjen e Bujar Çelës të ndodhur në Elbasan në 17 Shtator të vitit 2020 dua të sqaroj se, arsyeja që u vra Bujari ishte se 2 ditë më parë më datë 15 shtator të vitit 2020 u vra miku im Klevis Kapllani në Rrogozhinë (dyshoj se ngjarja është kryer nga Talo Çela dhe njëri nga vëllezërit Manhasa). Arsyeja e vrasjes së Kapllanit ishte se kishte dërguar pistoletën në ngjarjen e Ramazanit tek servisi i Seit Manhasës vëllait të autorit. Unë u organizova me Enver Diven dhe me Besmir Xhixhën. Komunikova me Erjon Alibej edhe i thashë që do ndërroj objektiv nuk do ti bëj atentat Dine Çamit por do organizoj vrasjen e vëllait të Talo Çelës për të marrë hakun e shokun tim. I thash Erjonit do t’i jap çunave 60.000 Euro, Enverit dhe Besmirit. Jemi takuar në 16 Shtator me Enverin dhe Besmirin në fshatin Pajovë dhe kemi qëndruar gjithë natën në një arë në Pajovë duke pritur orën 04:00 të mëngjesit pasi Bujar Çela në këtë orë çohej për të shkuar tek autobuzat që vinin nga Greqia dhe pinte kafe aty.

Në orën 4:00 kemi shkuar tek shtëpia e Bujar Çelës por na diktuan. Unë së bashku me çunat i shkova para shtëpisë dhe po prisja që të hapej dera e banesës për të dalë jashtë Bujari. Duke qëndruar në pritje vjen pas meje një shtetas të cilin nuk e njihja dhe e pyes kush je ti ? Më tha që jam i shtëpisë këtu. Unë isha veshur me një jelek antiplum dhe i them personit jam i Policisë. I thash çunave, o komandant hajde se na pikasën dhe u larguam. Unë isha me mjetin Mercedes E Class i vitit 2012 i cili ishte e vjedhur…. Pasi ikëm direkt tek kthesa e Cërrikut që të largoheshim nga lagja e Bujarit. U ktheva edhe njëherë bashkë me Besin dhe Enverin tek lokali ku unë e dija që ai e pinte kafen në mëngjes. Për vendndodhjen se ku e pinte kafen Bujari më kishte informuar Eljo Bitri. Eljon e kisha si informator por në këtë ngjarje nuk e dinte që do vritej atë ditë Bujari… Kur jam kthyer nga kthesa e Cërrikut për te lokali që do kryenim ngjarjen, kam ndaluar tek një karburant dhe kam hedhur naftë. Më pas shkova drejt vendngjarjes. Nuk e mbaj mend nëse isha unë para apo makina tjetër. Rrugës afër lokalit pashë që doli nga makina Bujar Çela në atë moment bëra rreth rrotullimin dhe e ndalova makinën pak më përpara lokalit. Enveri me Besin ishin me makinën Renault përballë lokalit ku po prisnin që të afrohesha unë. Kur ata më panë që unë zbrita nga makina, Enveri doli nga makina ku po qëndronte dhe shkon në drejtim të Bujar Çelës për ta qëlluar. Personat që ishin në tavolinë me Bujarin u çuan dhe u larguan, në atë moment Enveri e goditi me armën Scorpions 7.65 diku tek 20 herë. Unë shkova për ta qëlluar por pistoleta me ngeci. Ishte pistoleta që me kishte falur Talo Çela. Bujari nuk kishte vdekur akoma por unë e doja të vdekur. Meqenëse mua mu bllokua arma që kisha thërras Besin që ishte shofer dhe i thash hajde më sill armën. Më tha ça të bëj, i thash ta godiste në kokë. Ai qëlloi dy herë me pistoletë 9 mm nuk e mbaj mend armën. Jemi larguar direkt pastaj secili me makinë të vetë në drejtim të Peqinit ku unë ika shumë para dhe prita sa të vinin çunat me Renault. Ja bëra me shenjë kur i pashë që të ktheheshin tek vendi ku do digjeshin makinat. Çunat e futën makinën dhe e dogjën dhe që të 2 erdhën te makina ime tip Benz. U larguam deri në Fushë Krujë me benzin….Armët i kemi hedhur në kanal. I kemi hedhur tek rruga dytësore në Plepa tek kanali. Mbas shinave ku është rotondo jemi kthyer djathtas dhe kemi hedhur armët. Nëse shkoj në vendin e ngjarjes mund ta identifikoj vendin. Lekët mi ka sjellë Erjoni nëpërmjet një personi në Vorë ku unë kam nxjerr Enverin dhe Besin të marrin lekët me sa mbaj mend. Erdhën lekët tek unë dhe ja ndava të dyve. Unë nuk mbajta asnjë lek. Të dyve i ranë nga 30.000 Euro për kokë. Unë pastaj u largova për në Kosovë. Arjanit i kam shkruar për këtë ngjarje.

Plagosja e Arben Çetës, rrëfimi i Nuredin Dumanit

Nuredin Dumani ka shpjeguar se ka qenë shtetasi Talo Çela që i ka kërkuar të vriste këtë shtetas, ka qenë Talo që i ka treguar se cili ishte personi që do të vritej, se si ka studiuar lëvizjet e këtij shtetasi për disa ditë. Talo i ka dhënë si ndihmës shtetasin Tom Çela i njohur si Tom Qorri i cili do të ishte edhe ai në vrasje, Talo i ka thënë se këtë porosi e kishte marrë nga shtetasi Kamber Mehja, se për këtë vrasje do të merreshin 60 000 Euro, ndërsa vetë Nuredini do merrte 30 000 Euro. Në këtë ngjarje do të vinte dhe Talo si shofer. Nuredini shpjegon se ka takuar Kamberin i cili i ka dhënë një armë si dhe i ka treguar se ku ishte personi që do të vritej. Kanë shkuar tek lokali dhe Talo me makinë qëndron jashtë ndërsa Nuredini hypi në një pishë që ndodhej në anësoren e parkingut te lokalit. Makinën e personit e kishte rreth 15 metra larg dhe e shikonte. Tomi ishte jashtë parkingut dhe do të ndërhynte nëse do të rrezikohej jeta ime. Pas rreth 1 orë e 20 min del personi nga lokali dhe ishte i shoqëruar me persona te tjerë. Zbres nga pisha dhe shkoj në drejtim të tij me armë në dorë. Ai më pa por jo vetëm ai edhe personat që ishin së bashku me të. Pasi më pa tentoi të nxirrte një grua para tij dhe u largua duke u fshehur nëpër makina. Unë e ndiqja dhe e qëlloja. E kam plagosur në këmbë. Kur ai donte të hynte në lokal e ndoqa nga pas por mua më mbaruan fishekët dhe ia vura pistoletën tek koka por shoh qe pistoleta s’kishte me fishekë. Ai më thotë çfarë ke me mua? Unë nuk i them asnjë fjalë. Në këtë ngjarje kam qenë i maskuar me kapuç në kokë ku dukeshin vetëm sytë dhe goja dhe me rroba peshkimi. Largohem në drejtim të makinës ku më priste Talo dhe në atë moment Tom Çela qëllon mua pa dashje pasi ngatërroi objektiv dhe plumbi kap xhamin e makinës së atij që do të vrisnim. Më pas jemi larguar të tre në drejtim të Cërrikut. Unë në kthesën e Cërrikut afër stacionit të trenit marr A Clasin tim dhe i ndjek nga pas, Talon dhe Tomin deri në Cërrik. Aty e lëmë benzin e ngjarjes në një parking pallati dhe atë benz e ka hequr Talo të nesërmen. Tek ura e zezë kemi hedhur armën e ngjarjes dhe rrobat dhe jemi larguar. Me makinën time kam çuar Talon dhe Tomin në lokalin e Talos që ndodhet përballë burgut në Metalurgjik. Për këtë ngjarje nuk morëm lekë pavarësisht se Talo më premtoi. Më vonë rashë në burg dhe skisha kontakte më me ta.

Tentativa për vrasjen e Lulzim Mashës në Tiranë, rrëfim i Nuredin Dumanit

“Gjatë komunikimit që kam pasur me Suel Çelën në Matrix më dha një kontakt të një mikut të vet, që ishte i interesuar për eleminimin e pronarit të shkollës Wilson. Më dha kontaktin e këtij personi dhe me këtë person fola disa ditë dhe më kërkoi eliminimin e pronarit të shkollës Wilson për shumën 150.000 Euro. Më kishte dërguar disa foto, garazhin e banesës (i cili ishte me hyrje dhe dalje të ndryshme), në zonën e Bllokut, foton e personit që kishte shkollën, foto ku ishte së bashku me gruan dhe djalin e tij në një restorant. Unë fillimisht që të kryeja këtë punë i kërkova 200.000 Euro. Ai më ofroi shumën prej 150.000 Euro. Këtë person nuk e kam parë asnjëherë dhe nuk e njoh dot. Në telefon regjistrova vetëm numrin e kontaktit të tij. Për këtë vrasje unë kontaktova Henrik Hoxhaj (Rikun) dhe shokun e Rikut që thirrej nipçja dhe për të cilin kam dhënë shpjegime edhe më parë. I thashë Rikut që do ti jepja 100.000 Euro që të kryente këtë punë. Me Rikun kontaktova në telefon me aplikacionin “Matrix”. Rikun në Matrix e kam regjistruar kusho. Riku pranoi dhe unë i dhashë atij fotografinë e personit si dhe të ambienteve që mi kishte dërguar i interesuari për të realizuar vrasjen. Henriku më ka treguar se pronari i shkollës Wilson e pinte kafen zakonisht te lokali përballë garazhit. Gjithashtu, Riku më ka thënë se ndjekjen e pronarit të shkollës Ëilson e ka bërë edhe …………. që ka lokalin në …….., duke informuar Henrikun për lëvizjet e tij pasi banesa e tij ishte afër me lokalin e ………… Riku ka ardhur në Kosovë me një makinë Ëolksvagen Passat ose Pheiton dhe në bisedë me të i thashë për objektin që duhej të vriste si dhe i dhashë një armë skorpions 7.65 mm të cilën e mbaja vetë. Mbaj mend që Riku ka ardhur edhe një herë tjetër dhe më ka takuar në Kosovë ku ishte së bashku me nipçen. Kur ka ardhur me nipçen Rikut i kam dhënë edhe një pistoletë. Organizimin e vrasjes së këtij personi e ka bërë Riku. Gjatë kohës që unë isha në Kosovë, kam komunikuar me Rikun nëpërmjet telefonit, i cili më kërkoi një automjet për të realizuar atentatin ndaj pronarit të shkollës Ëilson. Për këtë unë i kam shkruar …………………, të cilit i kërkova një automjet për punë (atentate) …Makina ishte Golf 4, ngjyrë blu e errët. Këtë makinë Riku e ka marrë dhe e ka sjellë në Tiranë dhe më ka thënë se është në një garazh por se di se ku. Në dijeninë time kjo makinë nuk është përdorur për punë nga Riku. Pagesën për këtë makinë ia ka bërë Riku personit i cili ka dalë me një Jep Cheroke blind. Riku më ka treguar se, kur ka shkuar të marrë makinën e kanë pritur dy persona, ku njëri prej tyre e ka nxjerrë makinë 30 metra larg nga blindi dhe më pas kanë qëndruar të dy në makinën e blidnuar duke pritur mbërritjen e Rikut, “nipçes”… Sipas Rikut njëri nga personat në blind ka qenë trup i mbushur dhe qeros. Ditën e ngjarjes Riku komunikoi me mua në Matrix dhe me tha “kusho lëre se u fëlliqëm”. Riku më tha se i ishte bllokuar arma. Sipas Rikut në drejtim të objektivit ka qëlluar nipçja. Nuk e di se çfarë makine kanë përdorur për të vajtur apo për tu larguar nga ngjarja. Pas ngjarjes i shkrova kontaktit që më dha Suel Çela dhe i thashë me fal se dështuam. Ky personi me tha se e kishte marrë vesh dhe më tha të jenë mirë çunat. Fola dhe me Suelin për këtë por e trajtuam si me shaka, pasi ai ishte i kujdesshëm në bisedë. Për këtë porosi Henriku ka marrë 10.000 Euro kapar. Personi i cili ishte i interesuar dhe që ma kishte dhënë Sueli, më tha nxirr dikë te Tegu të marri kaparin prej 10.000 Euro. Më pas unë komunikova me Rikun të cilit i thashë të shkonte te parkingu i Tegut që të merrte 10.000 Euro. Henriku më ka thënë se ka shkuar me një makinë ML dhe kur ka qenë te parking e kam thënë të presi në makinë, më pas i ka shkaur te xhami një person që i ka dhënë porosinë prej 10.000 Euro. Edhe pse puna nuk u krye nuk e kemi kthyer shumën prej 10.000 Euro”.

Porosia e Suel Çelës për vrasjen e Ot Kilës në Elbasan, rrëfim i Henrik Hoxhës

“Nuredinin e kam njohur tek ditëlindja e një mikut tonë të përbashkët. Njohja ime me Nuredinin ka qenë graduale dhe me kalimin e kohës unë e kam forcuar lidhjen time me të. Gjatë periudhës 3-4 vjeçare kontaktet nuk i kemi pasur të shpeshta me përjashtim të rasteve kur Nuredini më kërkonte ta ndihmoja për të bërë ndonjë punë periudha në të cilat i kemi shpeshtuar kontaktet dhe lidhjet me njëri tjetri..Nuredini ka ardhur nga Kosova që të mbaronin një punë për të cilën e kishte porositur më parë…. Konkretisht rreth 15-20 ditë para se të vinte Nuredini më ka shkruar mesazh në telefon duke më dërguar foton e një personi në Elbasan emrin e të cilit nuk e di por më ka treguar se ai kishte një pikë shitje automjetesh e cila ndodhet përpara Restorant “Zykollari” në krah të një karburanti dhe mobilierie. Më tej Henriku ka shpjeguar se ka vajtur disa herë në Elbasan që të vriste personin foton e të cilit ia kishte dërguar Nuredini me foto. Nuredini i ka premtuar se do të paguhej 70 000 Euro…Pasi ka studiuar terrenin e ka parë të vështirë që ta vriste vetëm këtë person dhe në këtë mënyrë ka ardhur Nuredini që ta kryenin bashkë vrasjen. Më datë 26.03.2022 kanë vajtur me Nuredinin për të vrarë personin në fjalë por nuk e kanë parë. Më tej Henriku shpjegon se kanë vendosur të shkojnë në Elbasan në datën 29.03.2022 për të mbaruar punën…. Ne jemi nisur nga Fieri rreth orës 09.15, unë dhe Nuredini, ai me BMV X5 me targa AA…. dhe unë me automjetin Benz me targa AA…. Unë isha para BMV për të hapur rrugën dhe Nuredini pas meje. Para se të niseshim, Nuredini ka futur në automjetin BMV X5 dy automatikë kallashnikov me fishekë në fole dhe dy pistoleta. Unë kam ndaluar për ti hedhur benzit tim karburant në një karburant që nuk kishte kamera para se te shkosh te Jet Oil në Rrapëz. Kam hedhur 30 mijë lekë naftë ndërsa Nuredini në këtë kohë ka parkuar në rrugë para karburantit tek një xhep rruge. Pasi hodha naftën unë jam nisur për destinacion dhe rreth orës 11.30 kam arritur në Elbasan. Unë vazhdoj për në qytet duke marre unazën dhe jam kthyer tek karburant “Feleqi” ndërsa Nuredini me BMV e tij ka qëndruar tek vendi ku rrinte zakonisht tek kryqëzimi CËrrikut. Nuredini do të qëndronte aty derisa unë ta njoftoja që kisha në sy personin qe do të vrisnim. Në ikje e sipër kam kaluar para vendit ku shet makina personi qe do vrisnim dhe nuk e kam parë të ishte aty dhe për këtë arsye kam futur makinën time për ta larë tek një lavazho që është përballë me servis “Kadiun” dhe vetë jam ulur në lokal për të pirë një birë. Kam qëndruar tek lokali rreth një orë e gjysmë dhe më pas bëra një xhiro me makinë duke kaluar para pikës së shitjes së makinave të personit që do të vrisnim me qëllim për të parë nëse personi ishte aty por nuk e kam parë personin aty dhe kam vazhduar rrugën për qytet dhe më pas jam kthyer dhe kam shkuar për të ngrënë diçka tek lokali “Eurodriza” tek Rotondo në hyrje të Elbasanit. Gjatë kësaj kohe unë i thashë Nuredinit se nuk e kisha parë personin që do vrisnim por kam fiksuar një benz të parkuar aty jashtë dhe e kam pyetur Nuredinin nëse personi që ne kërkonim kishte apo jo benz por ai më tha që donte parë ai mjet. Unë e pashë mjetin por nuk fiksova persona dhe kam njoftuar Nuredinin për faktin. Duke parë këtë gjë mosgjetjen e personit që ne kërkonim unë jam ulur për të ngrënë buke tek “Eurodriza” siç thashë ku kam qëndruar për një kohë të gjatë, dhe më pas jam çuar dhe kam ikur me mjetin Benz përsëri tek lavazho te “Kadiu”. Qëndrova tek lavazhi dhe e lava përsëri mjetin nga jashtë për të shtyrë kohën dhe ndërkohë që automjeti po lahej vazhdoja komunikimin me mesazhe me Nuredinin. Ai më ka thënë se vazhdonte të qëndronte aty ku e kisha lënë në fillim tek kryqëzimi Cerrikut. Në një moment Nuredini më pyeti me sms duke më thënë që edhe kjo ditë na iku bosh. Pas këtij mesazhi unë kam qëndruar edhe rreth 10 minuta dhe jam nisur drejt Nuredinit, vendit ku ai kishte parkuar automjetin. Rrugës për aty më ka ndaluar policia rrugore dhe sapo më lanë të lirë policët nga Nuredini më ka ardhur sms ku më ka njoftuar të shkoja ta merrja se e kishin plagosur. Unë nuk kam arritur ta pyes se çfarë ndodhi por kam ecur drejt tij. Unë kam konstatuar mjetin BMV X5 me targa AA801 të dëmtuar anash rrugës në krahun e majtë timin me drejtim Elbasan Peqin anash një restoranti. Ndalova tek mjeti duke marrë kthesën dhe kam shkuar direkt paralel me mjetin BMV. Aty kam parë se mjeti BMV i kishte gomat dhe disqet e dëmtuara pashë shishen e benzinës së hapur dhe kam spërkatur pak me të me qëllim djegien e mjetit BMV por nuk kam mundur ta ndez. Gjithashtu kam fiksuar Nuredinin i ulur tek sedilja e parë e pasagjerit të mjetit BMV me këmbën e djathtë të zbritur poshtë dhe po lëvizte me vështirësi por unë e kam kapur nga sqetullat për ta lëvizur pasi kishte dhimbje sepse më tha se ishte plagosur në kurriz. Unë e kam futur Nuredinin në makinën Benz tek sedilja prapa nga ana pasagjerit dhe kur po e fusja në makinë kam parë se ai në xhepin e djathtë kishte një armë zjarri pistoletë model izraelit Boll-5 si dhe në sediljen e parë të pasagjerit ku ai ishte ulur gjendjen pistoleta model TT të cilën unë e kam futur në brezin tim. Unë nuk kam fiksuar brenda mjetit BMV dy automatikët kallashnikov që kishte vendosur tek makina BMË Nuredini para se të niseshim. Mora TT e futa në brez, mora dhe armën Izraelite e lashë në makinë. Pasi hipa Nuredinin në makinë me shpejtësi jam nisur drejt Fierit pa ndaluar në asnjë vend. Rrugës e kam pyetur Nuredinin se kush i kishte shtënë me armë dhe ai më ka thënë se një mjet Benz me targa të Elbasanit të vjetra ku ndodheshin tre persona me maska i kishin shtëne me armë në befasi. Direkt nga Elbasani kam shkuar tek shtëpia në Fier dhe me vështirësi e kam futur Nuredinin në ashensor dhe më pas tek shtëpia ku ishte e dashura e tij. Kur e futa në shtëpi e kam zhveshur Nuredinin dhe pasi u zhvesh ai filloi të villte. Menjëherë duke parë gjendjen e Nuredinit kam dalë dhe kam kërkuar për ndihmë mjekësore ku kam gjetur shtetasit Bledar Berdalli, dhe dy tjerët nuk i njoh me emër të cilët i kam të njohur në qytet dhe janë me profesion mjek e infermier. Të tre ata kanë ardhur tek shtëpia dhe i kanë dhënë ndihmën mjekësore Nuredinit për sa kishin mundësi dhe më pas janë larguar. Rreth orëve të mbrëmjes orën e saktë nuk e di mua më ka kapur policia në trotuarin para pallatit ku ishte Nuredini dhe në brez më ka gjetur armën TT që kisha marrë nga makina e Nuredinit. Më pas kam parë që policia u fut edhe te hyrja e pallatit ku ishte Nuredini. Unë jam shoqëruar në polici dhe nuk fiksova gjë tjetër se vfarë ndodhi aty.

2.2 Shtetasi Nuredin Dumani në lidhje me këtë ngjarje ndër të tjera ka shpjeguar se ka qenë Suel Çela që i ka kërkuar që të vrasë shtetasin e thirrur Oti. Sueli i çonte foton e Otit në telefon. Duke qenë se Henriku nuk po e gjente Otin Nuredini ka ardhur vetë nga Kosova. Në deklarimet e tij shtetasi Nuredin Dumani ka shpjeguar hollësisht rrethanat lidhur me këtë fakt penal dhe personat e përfshirë në kryerjen e këtij akti.

Rrëfimi i Henrik Hoxhajt për vrasjen e Endrit Dokles

Nuredin Dumani ka deklaruar ndër të tjera se ka marrë porosi nga shtetasi Ervis Martinaj për të vrarë shtetasin Indrit Dokle. Ka rënë dakord që Ervisi të jepte për vrasjen e Indritit shumën prej 500 000 Euro dhe se ka marrë paradhënie shumën prej 100 000 Euro. Gjithashtu Nuredini shpjegon se në emër të Ervisit kanë vajtur dhe e kanë takuar në Kosovë dy shtetas një i thirrur Eli dhe një tjetër që është vëllai i Besian Xhixhës. Ata kanë vajtur me një automjet tip Hummer. Gjatë takimit Eli ka komunikuar me Ervisin dhe më tej me telefonin e Elit ka komunikuar me Elvisin i cili i ka propozuar vrasjen e Indrit Dokle.

Nga hetimi është bërë e mundur që të ientifikohet se shtetasi Eli është pikërisht shtetasi Elvin Merlika, kurse shtetasi që Nuredini e prezanton si vëllai i Besianit është pikërisht shtetasi Alket Xhixha. Alket Xhixha dhe Elvin Merlika kanë udhëtuar në drejtim të Kosovës me automjetin tip Hummer të cilin e identifikon Nuredin Dumani. Në vijim të komunikimeve Nuredini ka marrë një shumë prej 100 000 Euro nga Ervisi.

Në lidhje me këtë moment Henriku ka shpjeguar se: …Po kështu Nuredini më ka dhënë porosi për vrasjen e shtetasit Indrit Dokle. Kjo ka qenë rreth para një viti ku unë bisedoja shpesh me Nuredinin të cilin unë e njihja edhe me emrin Luli. Në një nga këto biseda që ne po kryenin në telefon ai më thotë do gjetur ku është Indrit Dokle dhe duhet të merrnin masa për ta bërë. Çmimi ishte mbi 500.000 Euro pasi sipas Nuredinit personi nga i cili kishte marrë porosinë i kishte thënë kërko sa të duash, para i kishte lënë dorë të lirë tek çmimi. Gjithashtu, Nuredini kishte informacion se Indriti jetonte tek një vilë në kompleksin Rolling Hills. Po me makinë me qira kam shkuar deri tek TEG për të vënë re nëse mund ta shihja Indritin por nuk e kam parë. Nga muhabete lart e poshtë kisha dëgjuar se Indriti lëvizte me një fuoristradë të blinduar Toyota. Në një nga këto lëvizje tek TEG unë e kam parë këtë makinë tek rrotondo që ndodhet tek diga e liqenit artificial afër kopshtit zoologjik. Thjesht e kam parë por nuk kam bërë asnjë ndjekje. Ky objektiv nuk ishte i lehtë dhe kjo porosi ngeli vetëm me fjalë dhe nuk kam kryer asnjë veprim. Nga bisedat në celular me Nuredinin e kemi lënë pezull dhe kemi biseduar për gjëra të tjera. Nuk kisha dijeni se ku ndodhej Nuredini gjatë kësaj kohe që unë po kryeja verifikime për Indritin”.

Porosia për vrasjen e dhëndrit të Qazim Sejdinit në Elbasan

Lidhur me këtë fakt janë marrë deklarimet e shtetasit Nuredin Dumani i cili ka shpjeguar se i është kërkuar nga shtetasit Florenc Çapja, Vis Korçari, Bledar Muça dhe Eljo Bitri, që të godiste shtetasin Sokol Sanxhaktari për një shumë prej 200,000 euro, pasi ai ishte lidhje e Suel Çelës. Në lidhje me këtë fakt penal bashkëpunëtori i drejtësisë Henrik Hoxhaj i cili ndër të tjera ka shpjeguar se: Në lidhje me shtetasin Sokol Sanxhaktari unë kam biseduar me Nuredinin në kohën kur ishim tek shtëpia e tij para vrasjes së vëllezërve Haxhia. Gjatë një bisede Nuredini më tha se kishte marrë një ofertë për vrasjen e shtetasit Sokol Sanxhaktari që ishte dhëndri i kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini. E lamë për të takuar shtetasin Bled Muça pasi Nuredini e kishte marrë porosinë prej këtij shtetasi. Takimi me Bledin nuk u realizua pasi u realizua vrasja e vëllezërve Haxhia. Në lidhje me përgatitjen për vrasjen e Sokolit, Nuredini kishte çuar njerëz për të marrë informacion mbi lëvizjet e tij dhe kishte mësuar se Sokoli dilte në mëngjes ose mbasdite i shoqëruar nga një person i armatosur, me makinë që të dy. Për ta takuar Bled Muçën do shkonim të dy kurse për ta bërë punën do ta bëja unë sepse nuk doja që lekët të ndaheshin me persona të tjerë. Ai që do të përdorej si shofer në vrasje do të ishte dhe informatori për lëvizjet e Sokolit. Unë do të merrja 150.000 euro ndërsa shoferi 50.000 euro. Kjo shumë më është thënë mua nga ana e Nuredinit. Nuk e di arsyen se përse do të kryhej vrasja. Unë nuk kam kryer asnjë takim me asnjë person përveç se me Nuredinin.