Bota Ngacmimet seksuale, Biden i kërkon dorëheqjen guvernatorit të Nju Jorkut

Ngacmimet seksuale, Biden i kërkon dorëheqjen guvernatorit të Nju Jorkut

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka bërë thirrje guvernatorit të shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, të japë dorëheqjen, pasi një raport zbuloi se ky i fundit ka ngacmuar seksualisht 11 gra.

“Mendoj se ai duhet të japë dorëheqje. Unë e kuptoj se legjislatura e shtetit mund të vendosë për gjykimin. Unë e di atë në fakt”, tha Biden për guvernatorin demokrat në përgjigje të një pyetjeje nga një reporter në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas një hetimi pesë-mujor, të detajuar të martën nga Prokurorja e Përgjithshme e shtetit të Nju Jorkut, Guvernatori Andrew Cuomo ka ngacmuar seksualisht gra të shumta në kundërshtim me ligjin amerikan dhe shtetëror.

Por guvernatori kundërshtoi me shpejtësi se kishte kryer ndonjë sjellje të papërshtatshme dhe e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.

“Dua ta dini drejtpërdrejt nga unë se kurrë nuk kam prekur askënd në mënyrë të papërshtatshme apo të kem bërë ngacmime të papërshtatshme seksuale“, tha Cuomo, një demokrat që ka shërbyer si guvernator që nga viti 2011. “Unë jam 63 vjeç. Kam jetuar tërë jetën time të rritur në sytë e publikut. Nuk jam ndryshe. Dhe nuk kam qenë ndonjëherë si më përshkruajnë”.

Hetimi arriti në përfundimin se zoti Cuomo është përfshirë në ngacmime, puthje dhe përqafime të padëshiruara dhe ka bërë komente të papërshtatshme për gjithsej 11 gra, tha Prokurorja e Përgjithshme Letitia James në një konferencë shtypi të martën, duke shtuar se zyra e guvernatorit ishte bërë një “vend toksik pune” që mundësonte të ndodhnin ngacmimet. Ky ishte një hetim civil dhe nuk do të çojë drejtpërdrejt në akuza penale kundër guvernatorit.