Aktualitet Ngjarja e rëndë në Deçan, Meta, Rama dhe Basha: Mbështetje për Kosovën...

Ngjarja e rëndë në Deçan, Meta, Rama dhe Basha: Mbështetje për Kosovën në këto momente

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për ngjarjen e rëndë në Kosovë ku u qëllua me armë një autobus që transportonte nxënës shkolle dhe për pasojë dy prej tyre humbën jetën bashkë me drejtuesin e mjetit.

Kreu i Shtetit, i cili më herët gjatë ditës qëndroi në Prishtinë iu shprehu ngushëllimet familjare dhe kërkoi nga autoritetet përgjegjëse që të zbulojnë këtë krim të rëndë.

“Thellësisht i tronditur nga akti kriminal në Gllogjan të Deçanit, ku sipas të dhënave paraprake raportohet për tre humbje jete dhe një të plagosur.

Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin e plotë familjeve të të vrarëve dhe të gjithë popullit të Kosovës, duke bashkëndarë me ta dhembjen e madhe për këtë ngjarje shumë të rëndë.

Të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë dhe përgëzoj ekipet mjekësore për përkushtimin dhe profesionalizmin, që po dëshmojnë!

Kam besimin e plotë se institucionet përgjegjëse dhe drejtësia në Republikën e Kosovës do të zbulojnë sa më parët autorët, që meritojnë ndëshkimin më të ashpër ligjor”, tha Meta.

Kryeministri Edi Rama iu është bashkuar ngushëllimeve për ngjarjen e rëndë në Deçan, ku persona të maskuar qëlluan me automatik në drejtim të një autobusi duke iu marrë jetën 3 personave, 2 prej të cilëve nxënës.

Kreu i qeverisë shprehu mbështetjen për institucionet e Kosovës në këtë moment sfidues.

“Jetët e marra në Kosovë nga plumbat e një egërsie që meriton ndëshkimin ekstrem të drejtësisë, na kanë brengosur të gjithëve. Ngushëllime vëllazërore familjeve të goditura në zemër nga humbja absurde. Kurajo e mbështetje institucioneve të Kosovës në këtë moment sfidues”, shkruan Rama.

Për këtë ngjarje reagoi dhe kreu i PD, Lulzim Basha i cili e konsideroi atë si një krim makabër që duhet zbardhur.

“Dhimbje dhe trishtim për ngjarjen e sotme në Deçan. Ngushëllimet më të ndjera familjeve të viktimave. Shërim të shpejtë nxënësit që po merr ndihmën mjekësore. Jam i sigurt se autoritetet do bëjnë gjithçka për zbardhjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij krimi makabër”, shkruan Basha.

Albin Kurti: Policia po heton këtë krim të rëndë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Deçan. Në një reagim në mediat sociale, Kurti shkruan se është tronditur nga kjo ngjarje dhe sqaron se kanë mbetur të vrarë 3 qytetarë, dy prej tyre nxënës.

Kreu i qeverisë, u shpreh ngushëllimet familjarëve të viktimave dhe shton se policia është duke punuar për zbardhjen e ngjarjes.

“Sonte u tronditëm nga lajmi për sulmin me armë zjarri ndaj autobusit me nxënës në Gllogjan të Deçanit. Sipas Policisë së Kosovës nga ky sulm kanë mbetur të vrarë tre qytetarë të vendit tonë, prej të cilëve dy nxënës.

Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve, shokëve e shoqeve, që humbën më të dashurit në këtë sulm. Të plagosurit i dëshirojmë shërim të shpejtë. Policia është mobilizuar me kapacitetet e saj të plota për ta hetuar këtë krim të rëndë, e për të mundësuar drejtësi”, shkruan Kurti.