Bota Ngjarje e rëndë në Itali, dy vëllezër vrasin dy policë në Kuesturë

Ngjarje e rëndë në Itali, dy vëllezër vrasin dy policë në Kuesturë

Ka përfunduar në tragjedi arrestimi i dy personave të dyshuar për vjedhjen e një motori në Trieste të Italisë. Dy vëllezërit e ndaluar për vjedhjen e mjetit motorik janë përleshur me oficerët e policisë në ambientet e Kuesturës dhe i kanë marrë armën njërit prej tyre dhe më pas kanë qëlluar në drejtim të oficerëve të tjerë duke lënë të vdekur dy prej tyre.

Ngjarja ka ndodhur pikërisht kur një prej të ndaluarve që dyshohet të jetë me probleme psikike i kërkoi njërit prej agjentëve që ta shoqëronte në tualet dhe më pas u përlesh me të dhe i rrëmbeu armën.

Si pasojë e të shtënave tre efektivë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Pas ngjarjes të dy vëllezërit me origjine domenikane tentuan të largoheshin nga Kuestura, por u ndaluan.

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i krerëve më të lartë të shtetit italian që kërkuan zbardhjen e ngjarjes, nxjerrjen e përgjegjësive dhe dënimin e autorëve të këtij krimi të rëndë.