Politika Ngushëllimet e shqiptarëve për tërmetin në Turqi, Rama dhe Haradinaj bëjnë diferencën

Ngushëllimet e shqiptarëve për tërmetin në Turqi, Rama dhe Haradinaj bëjnë diferencën

Krerë të politikës shqiptare i kanë shprehur Turqisë ngushëllime të shumta për tërmetin në lindje të vendit, me pasoja dhe njerëzore.

Nga Izraeli ku ndodhet për vizitë, presidenti Ilir Meta tha se “me shqetësim dhe dhimbje të thellë po ndjek situatën në Turqinë mike, të goditur nga tërmeti tragjik.

Shumë i tronditur nga viktimat në njerëz, ju shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve e të dashurve të tyre, të gjithë popullit turk dhe Presidentit Recep Tayyip Erdogan, duke u lutur që të mos ketë të tjera humbje jetësh.

Në këto momente tepër të vështira, unë dhe populli shqiptar jemi në krah të Turqisë mike”.

Kreu i opozitës Basha tha se në këto momente shqiptarët janë solidarë me popullin turk.

“Ngushëllimet e mia të thella për njerëzit e Turqisë dhe Presidentin Erdogan për viktimat e tërmetit. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave. Ne i dëshirojmë shërim të shpejtë të dëmtuarve dhe të qëndrojmë në solidaritet me njerëzit e Turqisë”, shkruan Basha.

Por diferencën e bën Ramush Haradinaj, i cili veç ngushëllimeve shpreh dhe gatishmëri për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit, duke qenë ende në pozita vendimmarrëse si kryeministër.

“Me shqetësim mora lajmin për tërmetin që goditi qytetin Elazig të Turqisë. Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta ndaj shtetit turk, qytetarëve dhe familjeve të viktimave si dhe u dëshirojmë shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve nga kjo ngjarje tragjike. Mendimet dhe lutjet e mia janë me të gjithë qytetarët atje. Institucionet e Kosovës janë të gatshme për ndihmat e nevojshme humanitare përfshirë edhe njësitë operacionale nga FSK-ja. Në këtë tragjedi Kosova qëndron pranë shtetit mik, Turqisë!”, shkroi Haradiaj.

Ndërsa kryeministri Edi Rama është ndër ata që në ngushëllime, fjalën “lutje” nuk e lë pa Zot pas. “Shumë e trishtueshme fatkeqësia që ra mbi Turqinë mike prej një tërmeti të rëndë, ku janë shënuar edhe jetë të humbura! I jemi pranë popullit turk dhe lutemi që Zoti t’u japë autoriteteve të vendit dhe Presidentit Erdogan të gjithë forcën për ta përballuar këtë tragjedi”, shkruan Rama.