Sport Nike vs. Adidas, “beteja” më e ashpër e marketingut në futboll

Nike vs. Adidas, “beteja” më e ashpër e marketingut në futboll

Shpërndaje

Futbolli nuk është vetëm ajo çfarë shohim të luhet në fushat e gjelbra të lojës, por ka edhe një aspekt “të fshehtë”, marketingun.

Dy kompanitë më të rëndësishme të veshjeve sportive, Nike dhe Adidas janë prej kohësh në një “luftë” të hapur në këtë fushë, me përpjekjet e tyre për të pasur kontrata me klubet që u sigurojnë më shumë të ardhura.

Kompania amerikane Nike, që po kërkon të japë një ndihmesë në transferimin e Neymar te Reali i Madridit, krenohet me faktin se ka nënshkruar me disa prej ekipeve dhe futbollistëve më të mire në botë.

Për këtë mjafton të shohësh listën e lojtarëve që garojnë për Topin e Artë. Në dhjetëshen e parë të kësaj liste, 7 janë lojtarë që kanë Nike si sponsor, e mes tyre është edhe Cristiano Ronaldo, fituesi aktual i këtij trofeu. Ndërsa po ta zgjerojmë këtë listë në 25 futbollistë, 16 janë me kontrata me Nike, 7 me Adidasin dhe dy me Pumën.

Kështu, futbollistët që sponsorizohen nga Nike – përveç Ronaldos, – janë Neymar, Modriç, Ramos, Mbappe, Lewandowski dhe Kane.

Në krahun tjetër, Adidas ka në “skuadrën e tij” yllin e Barcelonës dhe përfaqësueses argjentinase, Lionel Messi, si dhe Luis Suarezin e Paul Pogbanë, por gjithsesi betejën me Nike për kontratat individuale me futbollistët e ka të humbur.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë kur bëhet fjalë për skuadrat më të rëndësishme të Europës.

Këtu, beteja mes Adidasit e Nike është më e rivalizuar. Po të shohim listën e “Forbes”-it të 10 klubeve më të vlefshme në botë, 4 prej tyre kanë kontrata me Adidasin dhe 4 me Nike.

Nëse analiza bëhet për 20 klubet më të vlefshme, Nike fiton një avantazh të lehtë, me 8 klube nën kontratë kundrejt 6 të Adidasit.