Aktualitet Nikoll Sherrniku, shoku i ngushtë i Brilant Martinajt, i përfshirë në masakrën...

Nikoll Sherrniku, shoku i ngushtë i Brilant Martinajt, i përfshirë në masakrën e “Don Boskos”

Në foto Nikoll Sherrniku dhe viktima e Don Boskos, Mimoza Paja

Policia e Tiranës ka njoftuar se pas hetimeve për atentatin në “Don Bosko”, ngjarje e ndodhur më 12 Mars të këtij viti, ku humbi jetën banakierja Mimoza Paja, rezulton i përfshirë edhe 28-vjeçari Nikoll Sherrniku.

Policia ka njoftuar se të riut i është komunikuar akuza në burg pasi aktualisht ndodhet në qeli. Sherrniku është arrestuar në gusht të vitit të kaluar për një atentat që ishte planifikuar të bëhej në Lezhë. Por Sherrniku ka qenë i arrestuar edhe më herët për vrasjen e efektivit të FNSH-së, Xhulio Prela.

“Sot më datë 07.06.2023 u bë ekzekutimi i vendimit Nr. 1220 datë 07.06.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë e cila ka vendosur caktimin e masës të sigurimit personal atë të “Arrest në burg“ ndaj personit nën hetim Nikoll Sherrniku, 28 vjeç, lindur dhe banues në Fushë – Kuqe, Laç, (aktualisht nën hetim me masën e sigurisë “Arrest në burg” edhe për vepra të tjera penale) si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje””, njoftoi policia.

Sipas hetimeve rezulton se Sherrniku ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për ngjarjen e rëndë ku humbi jetën banakierja Mimoza Paja dhe u plagosën 6 persona të tjerë. Lokali ndaj të cilëve u qëllua ishte në pronësi të vëllezërve Murati.

Nikoll Sherrniku, të gjitha materialet që janë përdorur për vrasjen më 12 Mars të këtij viti i ka siguruar para se të arrestohej në 18 gusht 2022.

Ai ka marrë disa targa të huaja në Gjermani dhe i sillte për t’i përdorur për atentate nga persona të tjerë. Këta të fundit, pasi i merrnin, i përdornin në ngjarje të ndryshme. Njëra prej targave të sjella nga Sherrniku, është përdorur për atentatin në ‘Don Bosko’.

“Këto veprime konsistojnë në marrjen e targave të huaja ne shtetin gjerman, sjelljen e tyre në Shqipëri, dhe vënien në dispozicion të këtyre targave personave të tretë (autorëve), të cilët më pas i kanë ruajtur dhe përdorur këto targa në një automjet tip “BMË” seria 5, ditën e ngjarjes. Automjeti tip “BMW”, sëbashku me targat gjermane, është gjetur i djegur në fshatin Likmetaj, Manëz, Durrës”, njoftoi policia.

Sipas uniformave blu në funksion të këtij procedimi janë kryer veprime të shumta hetimore dhe ekzekutuar letër-porositë në Gjermani dhe në Kosovë.

Kush është Nikoll Sherrniku

Nikoll Sherrniku është vënë në prangat e policisë që në 20 dhjetor të vitit 2020. Ai akuzohet për vrasjen e efektivit të FNSH-së, Xhulio Prela, ngjarje e ndodhur mëngjesin e datës 5 Dhjetor. Dyshimet janë se Sherrniku, së bashku me shokun e tij Brilant Martinaj e ekzekutuan policin pas një sherri për motive banale. Kujtojmë se Brilant Martinaj u vra në një atentat në mbikalimin e Fushë-Krujës.

Mes dy autorëve dhe Xhulio Prelës ka pasur një përplasje verbale. Shkak mendohet se kanë qenë dritat e gjata të makinës, por ende nuk dihet se cili prej personave e nisi konfliktin.

Xhulio Prela sapo kishte shoqëruar një shokun e tij në Shkodër dhe po kthehej për në banesën e tij në Tiranë. Në afërsi të fshatit Gajush në aksin Lezhë – Milot, Prela ka dalë nga rruga kryesore dhe nga kamerat e sigurisë u pa se ai ka debatuar me autorët nga brenda makinës.

Në një moment ai është qëlluar nga një person tjetër. Prela u qëllua me një plumb në zemër nga një distancë e afërt dhe humbi jetën në vend. Sherrniku ka mohuar që të ketë qenë i përfshirë në këtë krim.

“Atë ditë kam festuar ditëlindjen dhe kam qenë në shtëpi. Akuzat nuk janë të vërteta dhe nuk ka prova ndaj meje”, është shprehur Sherrniku nëpërmjet avokatit të tij.

Ngjarja e 12 Marsit në ‘Don Bosko’

Tirana do të tronditej nga breshëritë e armës mbrëmjen e 12 Marsit 2023. Të shtënat ishin drejt një lokali në pronësi të vëllezërve Murati. Si pasojë e plumbave humbi jetën banakierja 58-vjeçare Mimoza Paja, ndërsa nga mbetën të plagosur Shehat Murati 50 vjeç, Astrit Meraj 42 vjeç, Emanuel Sala 47 vjeç, Ermir Bejuku 45 vjeç dhe Genc Shohalli 55 vjeç, si dhe u dëmtua e mitura 10-vjeçare mbesë e Mimoza Pajës. Kjo e fundit kishte vetëm 10 ditë që kishte nisur punë në këtë lokal.

Pas hetimeve, policia doli në konkluzionin se atentati ishte vijimësi e disa ngjarjeve të tjera mafioze të regjistruara në Tiranë, Laç dhe Lezhë (Lexo më shumë). Sipas grupit hetimor objektiv i këtij atentati kanë qenë familjarët e Fatjon Muratit. Ngjarja ka motiv hakmarrjen për një sërë vrasjesh zinxhir të kryera për shkak të konflikteve të disa grupeve rivale, thuhet në dosje.

Fatjon Murati është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Në momentin e kësaj ngjarje ai ishte me masë sigurie arrest shtëpie, por nuk u gjend nga policia në banesë. Ditët e fundit ndaj tij ishte bërë kontrolli i prezencës në banesë. Fatjon Murati e kishte firmosur këtë deklaratë, por më vonë rezultoi se ishte larguar.