Politika Nikos Dendias: Çështja e detit në Hagë pas zgjedhjeve në Shqipëri

Nikos Dendias: Çështja e detit në Hagë pas zgjedhjeve në Shqipëri

Shqipëria dhe Greqia do të nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi për të zgjidhur çështjen e kufirit detar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës pas zgjedhjeve të 25 prillit. Kështu shprehet ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias në një intervistë për gazetën “Kathemirini”. Dendias duke folur për takimin e fundit me Edi Ramën, tha se ka një “bashkëpunim të sinqertë me kryeministrin e Shqipërisë“.

“Ne tani kemi një marrëdhënie të bazuar në bashkëpunim të sinqertë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Kam diskutuar me të gjatë vizitës sime në Tiranë dhe gjatë vizitës së tij në Athinë. Për çështjen e Gjykatës së Hagës, ekipet teknike janë duke punuar. Qëllimi është të firmosim një marrëveshje të përbashkët mirëkuptimi sa më shpejt të jetë e mundur dhe besoj se do të realizohet pas zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në Shqipëri në prill.

Të gjitha forcat politike në Shqipëri janë të mendimit se çështja e kufirit detar mes dy vendeve duhet zgjidhur mbi bazën e Ligjit Ndërkombëtar të Detit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Kjo është ekzaktësisht ajo që u kemi thënë dhe bashkëbiseduesve turq. Rikujtoj që Rama e ka cilësuar si të drejtë të Greqisë zgjerimin me 12 milje në Jon duke shtuar se Shqipëria ka bërë të njëjtën gjë 30 vite më parë. Asnjë vend i tretë nuk mund të kundërshtojë këtë të drejtë apo me keq, që të kërcënojë me luftë”, shpreh Dendias.

Ministri i Jashtëm grek foli edhe për zgjerimin me 12 milje në Jon, duke thënë se ky është zgjerimi i parë i kufirit shtetëror që prej vitit 1947.

“Ligji pritet të kalojë për votim në Parlament shumë shpejt. Nuk duhet nënvlerësuar rëndësia e tij vendimi. Është zgjerimi i parë i kufijve shtetëror të Greqisë që prej 1947, gjithmonë në rrugë paqësore dhe në përputhje me ligjet ndërkombëtare.

Ky zgjerim është një e drejtë e pamohueshme e vendit tonë. Ne po përgatitemi gjithashtu për zgjerim në pjesë të tjera të vendit. Po ndërmarrim hapat teknikë për të qenë gati, se kur do të ndodhi është zgjedhje politike”, tha Dendias.