Bota Nis gjyqi ndaj Organizatës Trump për mashtrim tatimor. Ish-presidenti e cilëson një...

Nis gjyqi ndaj Organizatës Trump për mashtrim tatimor. Ish-presidenti e cilëson një “gjueti shtrigash”

Filloi në New York me përzgjedhjen e jurisë gjyqi kundër Organizatës Trump, kompanisë familjare të Donald Trump, me akuzën e mashtrimit dhe evazionit fiskal.

Ish-presidenti nuk është vetë i pandehur në atë gjyq penal, por ai ka akuzuar rivalët e tij politikë, demokratët dhe presidentin Joe Biden, se kanë vazhduar një “gjueti shtrigash” dy javë përpara zgjedhjeve afatmesme të nëntorit.

Gjyqi, në Gjykatën e Lartë të Manhatanit, ka të bëjë me parregullsitë në kontabilitetin e kompanisë nga viti 2005 e në vazhdim, si dhe fshehjen nga autoritetet tatimore të kompensimit të marrë nga drejtuesit e Organizatës Trump.

Ish-shefi financiar i kompanisë, Allen Weiselberg, 75 vjeç, arriti një marrëveshje me prokurorët në gusht dhe u deklarua fajtor për 15 akuza për mashtrim dhe evazion fiskal që përfshinin 1.76 milion dollarë – të ardhura që ai nuk i raportoi në IRS midis 2005-2021. Ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Trump nuk është i pandehur, por dëshmitar në gjyq. Ai pranoi se kishte marrë, pa i deklaruar ato, shumë në natyrë, si për shembull një apartament në Manhattan, kostot e qirasë së dy Mercedesëve për veten dhe gruan e tij dhe para në dorë për pushimet e tij. Ai konsiderohet si një dëshmitar kyç në gjyqin kundër kompanisë, e cila tani drejtohet nga dy djemtë e ish-presidentit, Donald Trump Jr. dhe Eric Trump.

Kompania zotëron pasuri të paluajtshme, hotele dhe fusha golfi. Dy nga filialet e saj, Trump Corporation dhe Trump Payroll Corp, janë gjithashtu në shënjestër nga autoritetet gjyqësore.

Trump, përmes faqes së tij në Truth Social, faqja e tij e rrjeteve sociale, akuzoi demokratët se “torturuan” dhe kërcënuan një drejtues në kompaninë e tij për vite me radhë, pa përmendur emrin e Weiselberg.

“Allen Weiselberg pranoi në gjykatë se ai përdori pozicionin e tij në Organizatën Trump për të mashtruar taksapaguesit dhe për t’u pasuruar personalisht”, tha në gusht prokurori i SHBA Alvin Bragg, kur ish-CFO u deklarua fajtor.

Sipas marrëveshjes për pranimin e fajësisë me prokurorët, Weiselberg do të duhet të paguajë rreth 2 milionë dollarë taksa të prapambetura – plus interesa dhe gjoba – dhe të dëshmojë në gjyq. Ai deri më tani ka refuzuar të dëshmojë kundër vetë Trumpit personalisht.

Kompania akuzohet se mbante libra të dyfishtë nën vëzhgimin e Weiselberg për të fshehur shpërblimet që ai dhe drejtuesit e tjerë morën. Nëse shpallet fajtore, ajo mund të gjobitet deri në 1.7 milionë dollarë.

Gjyqi pritet të zgjasë dy javë.

Një tjetër hetim po zhvillohet kundër Donald Trump, nga Prokurorja e Përgjithshme e New York-ut, Leticia James, me dyshimin për shkelje tatimore në Organizatën Trump. Në shtator, James njoftoi se ajo do të padiste Trump dhe fëmijët e tij, Donald Trump Jr., Eric dhe Ivanka. Ai po kërkon 250 milionë dollarë dëmshpërblim në emër të shtetit të New York-ut.