Sport Nis me afrimin e Contes dhe largimin e Icardit: Ja si lind...

Nis me afrimin e Contes dhe largimin e Icardit: Ja si lind Interi i sezonit të ri

Fillimisht do arrihet objektivi: Liga e Kampionëve. Më pas le të nisë revolucioni! Për sezonin e ardhshëm 2019-20 parashikohet një Inter i rindërtuar. Klubi zikaltër në fakt i ka idetë e qarta lidhur me projektin dhe strategjitë. Gjithçka, siç është raportuar nga mediat italiane, pritet të nisë nga stoli, ku Lucciano Spatletti-t do i “duhet” t’i lëshojë vendin Antonio Contes. Administratori i deleguar Beppe Marotta ka kontaktuar disa herë ish-trajnerin e Çelsit, i cili ka mbyllur raportet me blutë dhe ka kërkuar të azhurnohet vazhdimisht mbi ngjarjet brenda ambienteve interiste.

Madje, ka bërë një kërkesë fillestare: largimin e Mauro Icardit! Për Conten, ish-kapiteni nuk shihet si pjesë thelbësore e skuadrës.

“La Gazzetta dello Sport” ka analizuar situatën duken vënë theksin se Interi i sezonit të ardhshëm do të jetë komplet ndryshe, duke parë që edhe Beppe Marotta do jetë për herë të parë në krye të dritares së transferimeve, i ndihmuar nga Piero Ausilio.

Teksa në mbrojte është siguruar ardhja e Diego Godin nga Atletico Madrid, një veteran lider, nga i cili Skriniar e de Vrij mund të marrin më shumë besim dhe eksperiencë.

Në mesfushë parashikohet një lëvizje e madhe. Kërkohet që talentit dhe moshës së re të Nicolo Barella, objektiv prej kohësh i klubit zikaltër, t’i shtohet edhe një emër si Ivan Rakitic, 32-vjeçari i Barcelonës që do sillte një vlerë të madhe në mesin e fushës.

Ndërkohë që për në krahun e majtë parashikohet largimi i Ivan Perisic, për t’i hapur rrugë një lojtari të ri. Më i pëlqyeri është Bergwijn i PSV-së, mirëpo për holandezin ka konkurrencë të fortë nga klube elitare në Europë.

Në sulm, e ardhmja e Icardit shikohet gjithmonë e më larg Interit, për këtë Edin Dzeko është zgjidhja ideale. Kjo për faktin se 33-vjeçari ka eksperiencën e duhur për të luajtur në nivel të tillë edhe për disa vite. Kjo do i siguronte një bomber brenda zone skuadrës, ndërsa mosha e tij e madhe do lejonte që të kishte hapësirë edhe për Lautaro Martinez. Në këtë mënyrë argjentinasi rritet në skuadër dhe boshnjaku largohet duke e rritur vetë pasuesin e tij.