Kjo e hënë shënoi ditën e seancës së parë parlamentare për vitin 2024. Ddeputetët e opozitës ashtu siç kishin paralajmëruar më herët, bllokuan foltoren me pankarta në duar.
Teksa kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla nisi të lexojë pikat e rendit të ditës, kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazmend Bardhi kundërshtoi zhvillimin e seancës në kushtet kur Garda është e pranishme. Ndërkohë kolegë të tij krijonin zhurmë duke mos lejuar Presidentin Bajram Begaj të marrë fjalën.
Ishte parashikuar që Kreu i Shtetit të mbante fjalën e tij në nisje të sesionit të ri parlamentar për të dhënë mesazhe për dialog mes palëve politike. Prej situatës së shkaktuar nga deputetët e PD-së, Begaj ka njoftuar se do e mbajë fjalën e tij në ambientet e Presidencës në orën 18:00.
Të pranishëm në sallën e Kuvendit ishin edhe dy ambasadorë, ai gjerman dhe britanik.
Noka akuza Presidentit: Erdhi si ministër propagande, jo si faktor uniteti
Flamur Noka i PD-së deklaroi jashtë ambienteve të Parlamentit se ndryshimi i vetëm në këtë seancë parlamentare ishte se u thellua kriza mes mazhorancës dhe opozitës. Ai e cilësoi Presidentin Bajram Begaj si faktor destabiliteti, duke theksuar se është shndërruar në “ministër propagande”.
“Sot Presidenti u pa qartë para qytetarëve, ai erdhi si ministër, jo si faktor uniteti. Sot Edi Rama nuk bëri asgjë më shumë veçse e thelloi skandalin në raport me opozitën Presidenti ishte faktor destabiliteti me prezencën e tij, ja pse mosbindja civile është e vetmja zgjidhje.
Absolutisht Presidenti nuk pranohet nga opozita si ministër propagande! Për sa kohë mazhoranca ashpërson masat ndaj opozitës, më thoni ku është vendi për tryezë. Tryezën duhet ta thirrte Presidenti, duhet të kthente ligjin për komisionet hetimore, rregullorja e re është diktaturë. Kur vjen lexon hartime, është ministër propagande. Presidenti i drejtohet me akte Kuvendit, jo me hartime. Nëse do ta luante detyrën e tij kushtetuese, opozita do ta respektonte. Ka vetëm një ndryshim nga viti i kaluar, opozita është më e dhunuar”.
Po a pati komunikim me Lulzim Bashën, i cili ishte i pranishëm sot në sallë?
“Ju po më flisni për marionetat e pushtetit”, përfundoi Noka.