Aktualitet Nis ndërtimi i banesave të dëmtuara nga tërmeti në Korçë, Balluku: Prioritet...

Nis ndërtimi i banesave të dëmtuara nga tërmeti në Korçë, Balluku: Prioritet familjet më në nevojë

Ka nisur puna në terren për ndërtimin e banesave në zonën e Korçës të cilat u dëmtuan pak javë më parë si pasojë e lëkundjeve të tërmetit. Janë 124 banesa të cilat janë vlerësuar si të pa banueshme dhe që është parashikuar të ndërtohen plotësisht.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me kreun e Emergjencave Civile, Haki Çako, ishin në fshatin Floq të Korçës ku njoftuan fillimin e punës për ndërtimin e 40 banesave të para.

Ministrja Balluku bëri të ditur se që pas evidentimit të situatës, Qeveria Shqiptare u angazhua për ngritjen e fondeve të solidaritetit në mënyrë për të përballuar këtë ngjarje dhe për ti dhënë një zgjidhje sa më optimale. Balluku tha se krahas fondeve të Qeverisë Shqiptare dhe Bashkive, janë ngritur fonde solidariteti edhe nga ambasadat, bizneset e ndryshme private por edhe nga bankat e nivelit të dytë.

“Të 124 shtëpitë, të cilat janë absolutisht të pabanueshme, do të ndërtohen menjëherë dhe këtu në Floq fillojmë me shtëpinë e parë. 40 nga shtëpitë në këtë zonë, të cilat janë tashmë të pabanueshme, janë marrë përsipër nga investitorët të cilët bashkëpunojnë me projektet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe unë gjej rastin që t’i falënderoj”, u shpreh Balluku.

Duke e cilësuar nisjen e punimeve për ndërtimin e banesave si një premtim të mbajtur nga ana e Qeverisë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se do të punohet paralelisht në disa kantiere me qëllim përfundimin në një kohë sa më shpejt të tyre por duke u dhënë përparësi familjeve të cilat kanë nevojat më të mëdha për tu sistemuar sa më parë në banesat e reja.

“Kantieret do hapen menjëherë në zonë. Secili nga investitorët që është ofruar për të bashkëpunuar me ne, për të mbështetur komunitetin e goditur nga tërmeti në të gjitha fshatrat e zonës së Korçës ku ka pasur problematika, do të nisin punën menjëherë. Për ne ka qenë e nevojshme të krijojmë një prioritet për të nisur dhe për të përshpejtuar ata që kanë nevojën më të madhe”, nënvizoi ministrja Balluku.

Nga ana e tij, kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako sqaroi se projektet e banesave të reja janë përcaktuar në bazën e numrit të pjesëtarëve të familjes që do të banojnë në to. “Janë hartuar projektet specifike bazuar mbi disa standarde që janë përcaktuar për numrin e banorëve të cilët kanë banesa absolutisht të pabanueshme. Duke filluar nga kjo banesë sot do të fillojë ndërtimin e tyre sipas premtimit të bërë dhe nga kryeministri për të arritur realizimin e tyre dhe për të sistemuar të gjithë banorët”, tha Çako.

Krahas fshatit Floq, paralelisht do të punohet për rindërtimin e banesave edhe në dy fshatrat e tjerë të qarkut Korçës, të cilat janë dëmtuar gjatë lëkundjeve të tërmetit të rënë disa javë më parë.