Aktualitet Nis puna për nënstacionin e ri në Kombinat, Balluku: Përmirësojmë furnizim me...

Nis puna për nënstacionin e ri në Kombinat, Balluku: Përmirësojmë furnizim me energji elektrike për 120 mijë banorë

Ka nisur puna për ndërtimin e nënstacionit të ri në zonën e Kombinatit i cili do të bëj të mundur furnizimin me energji elektrike me cilësi më të lartë për afro 120 mijë banorë.

Nënstacioni aktual është një nënstacion i ndërtuar në vitin 1948 dhe tashmë, në saj të një investimi të përbashkët të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Bankës Botërore, me vlerë 10 milionë euro, do të bëhet e mundur ndërtimi i një nënstacioni të ri.

Në projekt përfshihet ndërtimi i fiderave të rinj 20 kV, rikonstruksioni i kabinave ekzistuese muraturë dhe ndërtimi i kabinave të reja 20/0.4kV.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku së bashku me Administratorin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela, dhe përfaqësues të Bankës Botërore në Shqipëri inspektuan fillimin e punimeve për ndërtimin e nënstacionit të ri.

Ministrja Balluku tha se projekti në fjalë synon rritjen e standardeve të shpërndarjes së energjisë, duke minimizuar humbjet por edhe ndërprerjet apo defektet. “Investimi në nënstacionin e Kombinatit është një investim prej 10 milionë eurosh i financuar nga Banka Botërore. Është një financim i cili do të ndihmojë në rritjen e sigurisë përsa i përket rrjetit të tensionit të mesëm duke qenë se ky rrjet kabllor ka ndikim minimal nga kushtet atmosferike dhe si rrjedhojë numri i aksidenteve zvogëlohet minimalisht. Nga ana tjetër, ky projekt synon rritjen e standardeve të shpërndarjes së energjisë, të furnizimit me energji elektrike, sipas kodit të shpërndarjes, duke minimizuar humbjet në rrjet, humbjet teknike por edhe ndërprerjet apo defektet”, tha Balluku.

Ministrja theksoi se punimet për këtë projekt pritet të përfundojnë në muajin dhjetor të këtij vit, gjashtë muaj para afatit të parashikuar, duke nënvizuar se ky projekt është në kuadër të investimeve që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe OSHEE-ja po ndërmarrin në rrjetin elektrik me qëllim rritjen e standardeve.

“Ky projekt, siç na u premtua edhe nga drejtori i OSHEE-së, do të dorëzohet gjashtë muaj para afatit, pra do të dorëzohet në dhjetor të këtij vitit megjithëse afati i dorëzimit është parashikuar për pas 12 muajsh, pra për prillin e vitit tjetër. Kështu që do jetë edhe një projekt i suksesshëm edhe përsa i përket dorëzimit jo në kohë por dhe para kohe. Ka ndikim tek 120 mijë abonentë, sot po zëvendësojmë, dhe është diçka për tu parë dhe për t’u ruajtur, nënstacioni i vjetër që kemi është një nënstacion i vitit 48-të, nënstacion i prodhimit rus i cili ka vazhduar dhe ka funksionuar për më shumë se gjysmë shekulli por ka ardhur koha për ta zëvendësuar. Në kuadër të investimeve që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe OSHEE-ja vazhdojnë dhe bëjnë në rrjetin elektrik për të përmirësuar të gjitha standardet ky është një nga investimet më të fuqishme në fushë që ne do ta dorëzojmë para afatit”, u shpreh Balluku.

Nga ana e tij, administratori i OSHEE-së, Adrian Çela, bëri të ditur se në muajin janar të 2020-ës, kur ky nënstacion të jetë plotësisht në funksion, do të bëjë të mundur lehtësimin e nënstacioneve të tjerë që janë aktualisht në Tiranë, të cilët për shkak të ngarkesës janë duke punuar në limitet e veta. “Mbas kësaj Tiranës i mbetet vetëm zona e Valiasit, dhe atje jemi duke bërë studim, dhe Tirana kompletohet brenda standardit të 20 kilovolt gjithçka. Kjo është një gjë që në janar do i shihet leverdishmëria dhe nënstacioni këtu do na lirojë dhe ngarkesat që kemi në nënstacionet e qendrës që janë në limite të veta, Kashari, Selita, që ne e kemi gjithmonë problemin e këtyre ngarkesave”, deklaroi Çela.

Ky projekt do të mbulojë me rrjet elektrik 20 kV zonat: Yzberish pallate, Kombinat Qendër dhe periferi (rrugët Haki Stermilli, Llambi Bonata, Kroi i Banës, Vangjel Ceco, Altin Basha, Hazbi Serani), ish Kombinati tekstileve, bizneset brenda ish kombinatit, pjesën veriore dhe jugore te Kombinatit , zonën përgjatë rrugës nacionale Tiranë –Durrës, nga ish TEC deri tek Ura e Beshirit, zona e Sharrës – deri tek Landfilldi i Sharrës, zonën Administrative Vaqarr deri në Damian si dhe fshatrat që janë gjatë rrugës së Prushit deri në Gropaj.