Aktualitet Nis puna për spitalin e Fierit, çfarë kërkoi Rama për familjet e...

Nis puna për spitalin e Fierit, çfarë kërkoi Rama për familjet e shpronësuara

Puna për ndërtimin e spitalit të ri të Fierit ka nisur. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja Belinda Balluku dhe ministrja Ogerta Manastirliu ka vizituar kantierin e punës që është hapur e që mes Presidentit Erdogan dhe kreut të qeverisë është vendosur një bast. E këtë bast, Rama nuk ngurroi t’ia kujtonte inxhinierëve që do ndërtojnë spitalin.

“3 muaj janë, s’ka kohë më të shpejtë të mundshme, 3 muaj janë”, tha Rama.

“Ne do ta bëjmë sa më shpejt, jemi në dijeni të pozicionit që kemi dhe presionit që kemi”, u shpreh inxhinieri.

Nga ana tjetër kryeministri kërkoi që familjet që janë shpronësuar nga toka ku do të ndërtohen ambientet e reja të nisin punën në kantier bazuar në aftësitë që ata kanë.

“Unë kam një kërkesë që atyre familjeve që janë shpronësuar me mirëkuptim duhet t’i takosh dhe që nga ai zotëria që unë fola atë ditë t’i ofroni mundësinë që të punojnë këtu, në çfarëdo lloj pozicioni që ata mund të punojnë, duke pasur parasysh aftësitë dhe nevojën e tyre për të qenë të punësuar këtu. Që nga roje kantieri, teknikë, punëtorë se nuk e di çfarë aftësish kanë”, tha Rama.

Ministrja Balluku tha se është përmbyllur me sukses faza e shpronësimeve dhe janë marrë të gjitha masat edhe për punëtorët turq dhe inxhinierët që do të vijnë.

“Jemi në afate kemi pasur bashkëpunim me të gjitha institucionet kemi përmbyllur fazën e shpronësime për 12 familjet dhe në bashkëpunim me bashkinë procesi është përmbyllur me sukses dhe kemi nisur nga puna për kantier dhe deri të hënën të ketë fuqi punëtore mbi 200 dhe 20 inxhinierë që të nisin ndërtimin e spitalit. Kanë nisur kontaktet me kompaninë vendase. Ne kemi marrë masat për punëtorët turq që vijnë nga Turqi janë 200 veta dhe për inxhinierët dhe duke pritur grupet që do të merren me pjesën elektrike”.

Ministrja Manastirliu theksoi se ka përfunduar projekti mjekësor i cili do të përfshijë të gjitha shërbimet mjekësore dhe aparaturat.

“Kemi përfunduar detajin teknik për pajisjen dhe aparaturat do kalojë marrëveshja në këshillin e Ministrave. Shërbimet janë përcaktuar nga ekspertët e të dy palëve. Është me të gjitha shërbimet dhe pajisjet mjekësore urgjencë, kirurgji, ORL, okulistikë. Dhe një departament për kirurgjinë speciale dhe një pavijon infektiv ku do përfshihet dhe një pavijon kovid”.

Në kantierin e Spitalit Rajonal në Fier do të punohet me tre turne dhe do të angazhohen në procesin e ndërtimit brenda 3 muajsh 1200 forca pune.