Kryesore Nisen në Bergamo 30 mjekë, Rama: Italia është edhe shtëpia jonë

Nisen në Bergamo 30 mjekë, Rama: Italia është edhe shtëpia jonë

Janë nisur këtë pasdite drejt Bergamos së Italisë 30 mjekë dhe infermierë shqiptarë.

Pas një marrëveshjeje të nënshkruar mes palës shqiptare dhe asaj italiane, 30 mjekët dhe infermierët do të asistojnë për një muaj në Bergamo, një nga zonat më të prekura të Italisë nga koronavirusi.

Ndërsa i kanë përcjellë deri në aeroportin e Rinasit, Rama së bashku me tre ministrat e tij, Ogerta Manastirliu, Belinda Balluku dhe Gent Cakaj, kreu i qeverisë tha se Shqipëria nuk e harron mikun në kohë të vështirë, ndërsa tha se shumë shtete të pasura kanë nisur të mbyllin dyert.

“Ju falënderojë për gatishmërinë, e di që disave u duket e çuditshme që 30 mjekë dhe infermierë të armatës sonë të vogël nisen sot për në vijën e zjarrin. E di po ashtu se nuk e përmbysin raportin mes forcës vrastare dhe atyre të mjekëve që luftojnë për ta mundur, por di që edhe andej është shtëpia jonë që kur Italia shpëtoi dhe na mikpriti dhe adaptuan në shtëpinë e tyre kur Shqipëria digjej nga dhimbjet e papërshkrueshme. Ne po luftojmë me të njëjtin armik të padukshëm, nuk mund t’i mbajmë rezervë teksa në Itali po kurohen shqiptarë që janë plagosur nga armiku”, u shpreh Rama gjatë ceremonisë së nisjes së avionit drejt Italisë.

Ndërsa ju do të jeni në shërbim, ne do të kujdesemi për familjet tuaja”, ishte ky mesazhi që Manastirliu iu dha të rinjve para se të niseshin drejt vendit fqinj që po kalon një situatë dramatike si pasojë e Covid-19.