Bota “Nisin testimet e vaksinës për Covid-19 në bazën sekrete të qeverisë britanike”

“Nisin testimet e vaksinës për Covid-19 në bazën sekrete të qeverisë britanike”

Britania e Madhe është ngritur në këmbë për të përballuar pasojat e koronavirusit dhe autoritetet në këtë vend vijojnë pa reshtur përpjekjet për gjetjen e një vaksine që do ndalojë përhapjen e mëtejshme të këtij virusi.

Sipas mediave britanike, tashmë Universiteti i Osfordit ka përgatitur një vaksinë e cila do të nisë të eksperimentohet tek njerëzit dhe kafshët duke filluar nga java që vjen në bazën sekrete shkencore të qeverisë në Porton Down.

Sipas The Times, Faza II e testimeve do të nisë përpara se të dalin rezultatet e eksperimenteve te kafshët, për shkak se kriza nga virusi po përshkallëzohet ndjeshëm.

Megjithatë ekspertë paralajmërojnë se vaksina për Covid-19 nuk do të jetë gati për një kohë shumë të shkurtër.

Drejtori i Emergjencave Shëndetësore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Mike Ryan, ka treguar se sa kohë duhet për të krijuar një vaksinë kundër koronavirusit COVID-19.

Duke folur për BBC, ai u shpreh se duhet të paktën 1 vit që të zhvillohet një vaksinë e tillë. Megjithatë, ai thotë se deri më tani është bërë progres nga disa kompani të cilat janë duke punuar për të gjetur vaksinën ndaj koronavirusit.

COVID-19 ka paralizuar të gjithë botën, ku numri i të infektuarve është mbi 300 mijë persona. 13 mijë pacientë kanë humbur jetën në mbarë globin, ndërsa 92 mijë të tjerë janë shëruar.