Politika Nisma për shkarkimin e Metës, Moisiu: Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme

Nisma për shkarkimin e Metës, Moisiu: Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme

Për ish-Presidentin Alfred Moisiu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme që shumica kërkon të shkarkojë Presidentin Ilir Meta. “Çështja duhet të ece në rrugë kushtetuese, por ne na mungon Gjykata Kushtetuese, edhe pse kjo është faza e fundit. Nuk ka asgjë të keqe që politika të kërkojë, referuar Kushtetutës, shkarkimin e një zyrtari. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme”, tha Moisiu, i pranishëm në Samitin e Paqes të Europës Juglindore.

Sa i përket krizës politike në vend, ish-Presidenti tha se palët duhet të ulen dhe të bisedojnë për të ardhmen. “Ne më shumë dëgjojmë veten se sa të tjerët dhe kjo na ka penguar.  Shqipërinë do ta bëjmë ne shqiptarët. Miqtë tanë na kanë ndihmuar, por të mos presim që gjërat tona të na i zgjidhin të tjerët. Kjo nuk është e drejtë”, tha Moisiu.

“Politikanët tanë duhet të mendojnë më pak për veten dhe më shumë për popullin. Shpresoj që reformat që po bëhen të pastrojnë klasën politike shqiptare nga personat e pavlefshëm”.