Bota “Një ditë e keqe për Putin”, cili do të jetë ndikimi i...

“Një ditë e keqe për Putin”, cili do të jetë ndikimi i hyrjes së Finlandës dhe Suedisë në NATO

Pas lëvizjes së Finlandës për t’u bashkuar me aleancën, edhe Suedia pritet të shpallë vendimin e saj të dielën. Nëse vendi skandinav vendos të bashkohet, do t’i jepte fund 200 viteve të mos-angazhimit ushtarak.

Ekspertja britanike e inteligjencës Louise Jones, ofroi për Sky News një panoramë se cili do të jetë ndikimi në botë nëse Finlanda dhe Suedia i bashkohen NATO.

Finlanda, e cila zakonisht mban një qëndrim neutral, ka njoftuar sot se do të ecë përpara për t’u bashkuar me aleancën ushtarake.

“Për të kuptuar se sa lëvizje e madhe është kjo, duhet të shikojmë historinë e NATO-s. Ajo u formua pas Luftës së Dytë Botërore, e fokusuar kryesisht në vendet e Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe natyrisht SHBA-dhe kryesisht në Europën Perëndimore. Qëllimi kryesor ishte kundër Bashkimit Sovjetik”.

Jones tha se pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitet 1990, “shtetet baltike të Estonisë, Lituanisë dhe Letonisë, aplikuan për anëtarësimin në NATO pothuajse menjëherë”.

“Vendet si Finlanda dhe Suedia, të cilat kishin ruajtur mjaft neutralitet gjatë Luftës së Ftohtë, vendosën të vazhdojnë të ndjekin ato politika.”

Ekspertja thotë se momenti kur këto dy vende do i bashkohen NATO-s, do të jetë “ditë e keqe për presidentin (Vladimir) Putin”.

“Kjo nuk është fare ajo që ai donte. Neutraliteti i Finlandës dhe Suedisë i përshtatej dhe më pas ai mund të fokusohej më në jug. Por tashmë Putin ka shumë pak gjëra në dorë”, tha Jones.

Në Finlandë, që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, popullariteti i NATO-s ka arritur në një rekord prej 76%, sipas sondazhit të fundit të opinionit.

Në Suedi situata është ndryshe. Sondazhet sugjerojnë se 57% e popullsisë dëshiron t’i bashkohet aleancës mbrojtëse. Ky proporcion është shumë më i lartë se para luftës, por socialdemokratët e Suedisë janë ndarë për këtë çështje dhe aktualisht janë duke mbajtur një konsultim të brendshëm.

Por vendimi i Finlandës do të ketë një ndikim. Ministrja e Jashtme suedeze Ann Linde tha: “Finlanda është partneri më i ngushtë i sigurisë dhe mbrojtjes së Suedisë dhe ne duhet të marrim parasysh vlerësimet e Finlandës”.