Aktualitet Një ditë në Mirditë

Një ditë në Mirditë

Një rrëfim i gjatë dhe bashkëbisedim dhe prekje me shqisat dhe me zemër e Mirëditës dje me ftesën dhe në shoqërinë e çmuar të mikut tim të vjetër Gjon Dedaj, pedagog, poet, shpirt dhe mendje intelektuale, ish kryetar i Bashkisë të Rrëshenit.

O Zot, sa vend i vogël jemi, si popullsi më pak se e një lagjeje e një aglomeracioni të madh si Parisi, Roma, Stambolli, Londra, e ku e di unë tjetër.

Por, cfarë larmie kulturore, cfarë dramash njerëzore, ngërthyer në vite, cfarë identitetesh kolektive të diversifikuara!

E çfarë nuk morëm në “shqyrtim” dje ne,
kanunin,
bajraqet,
kullat e ndërtuara nga djemtë që nuk e harrojnë traditën,
varrezat e cvendosura,
Kishën dhe aksionin e saj për shkollat profesionale, si shpëtim për rininë e zonave rurale, por edhe të familjeve që nuk kanë mundësira të tjera arsimimi dhe futje në tregun e punës të fëmijëve,
unazën e re që po bëhet të Rrëshenit,
dy pedonalet që ishin goxha të lezetshme,
nevojën për sisteme ujitëse në një zonë të thatë, e gjithçka.

Folëm edhe për ca gjëra të tjera edhe më të ndërlikuara por që janë për veshët e mi dhe jo për gojën time!

Midis lartësive të Dejës dhe atyre të Dervenit, kaluar anash Prosekut ku miku im Gjon Dedaj ka parë për herë të parë dritën e Diellit, ka bërë shkollimin, ka fis e prindër, zhytur në zonën e Kthellës, kodra të buta, banuar me njerëz me vlera fisnike, që dinë të respektohen dhe të respektojnë, një ndriçim hyjnor diellor rënë mbi bimësinë dhe pemëtarinë jeshile dhe ngjyrën thekre të tokës dhe bimëve që duan ujë, shumë ujë, sepse më ngjan ajo zonë si mrekullia rurale rreth e rrotull Firences së madhe.

Kater police bejne muhabet me njeri tjetrin qete para komisariatit te qytetit. Nuk besoj te kete krime ne kete zone ku i zoti shtepise kontrollon si duhet cfare ndodh dhe ku familjet fqinje me njera tjetren deri ne shtate breza e konsiderojne veten te nje gjaku. Krime ka ne qytetin e madh kriminal.

Këta malsorë ish të persekutuar dhe keqtrajtuar diku, që prej dy dekadash kanë nisur udhëtimin drejt një jete të re, a pranojnë lekë në shkëmbim të votës, o Gjon?

Jo, nuk ka lidhje përmirësimi i jetës së tyre, me bindjet e tyre politike! Lekë nuk mund t’u japësh se t’i hedhin në fytyrë që t’u ndryshosh bindjet atyre! – më përgjigjet miku im duke parë përpara rrugën ku vozit duke rrotulluar lehtë timonin.

Dhe shton : Megjithatë po ta lesh të lirë shqiptarin më shumë voton majtas se djathtas. Kjo është përvoja gati tridhjetvjeçare. Vlerat e së djathtës konservatore a liberale, nuk lindin vetiu, ato edukohen.

Krahas ish shtëpizave të rrenuara të se shkuarës, edhe ndërtesa si vila disa katëshe të mbira mbi kodra atje ku bajraqet ngrinin jetën dhe kokat e tyre krenare. Cdo kodër një shtëpi e madhe dhe disa shoqëruese.

Rruga drejt Kthellës gjynah që nuk shkon deri në Lurë, e ta çajë tej e tej krahinën, gjynah që rruga e ndërtuar disa vite më parë atje vende – vende ka nisur të çahet, mos e lini të degradojë o miq se është gjynah, gjynah që për të vajtur deri në mes të krahinës sinjalizimi i fshatrave dhe i vetë Rrëshenit në rrugën e madhe të kombit është disi kaotik, gjynah që në disa segmente e gjithë ajo rrugë degradon dhe nuk ka dalë nga një gjendje kandahariane dhe siriane. Cfarë ju kushton ta nderoni atë rrugë, përse e njollosni me disa segmente ende të dërmuara?

Te Ura e Dalanit, në Fushë Krujë, te Ura e Milotit qarkullimi një tmerr një vapë. Aty duhen investime! Lërini debatet për gjëra globale, për atlete si edhe për mizat në prapanicën e mushkës të komshiut!

Investoni! Se me ca punëtorë të lodhur rrugëve nuk ndërtohen e mirëmbahen dot ato. Një lopatë sot një mot prej dhjetra vitesh!

Asnjë afishe a poster elektoral të mbetur nëpër ura dhe mure nga Durrësi në Rrëshen. A thua se jetojmë në një vend të Big Brotherit dhe të heshtjes totale. Asnjë nuk është vendosur, me përjashtim të gjashtë posterave ngjitur pranë njeri tjetrit me portretin e Bamir Topit poshtë një ure aty ku ndahet rruga për Shkodër e për Han të Hotit, që si duket nuk i është bindur vendimit të shëmtuar të opozitës për të mos bërë fushatë elektorale këtë vit!

Cfarë keqkuptimi. Na rrofshin muret e panjollosura me ish afishe! Por, pa shprehjen e lirë publike, qoftë edhe politike, politika degradon, bëhet absurde, ku ministri zihet me kryeministrin, dhe kryeministri kundërshtohet nga ministri!

O Zot cfarë na dëgjojnë veshët o bashkëpatriotit im mirditor Gjon Dedaj!

E në Rrëshen rinia ka nevojë të mendohet për të, bibliotekë, qendër rinore, pishinë, qendra argëtimi, kënde lodrash, e gjithçka.

Përndryshe krahina do të shpopullohet drejt Lezhës e më tej.

Nuk duhet rinia të ndrydhet në fshatin e vet! Në kullën e vet. Në sinorin e vet!

Faleminderit Gjon Dedaj!

Mirëupafshin Mirëditë!