Aktualitet “Një djalë flori, tërmeti tragjik i mori jetën punonjësit tonë”, kompania angleze...

“Një djalë flori, tërmeti tragjik i mori jetën punonjësit tonë”, kompania angleze reagon për humbjen e Kelit

Klement Çupi është një prej viktimave të tërmetit të 26 Nëntorit që do të mbetet gjatë në kujtesë, jo vetëm për ata që e njohën, por edhe për të gjithë ata që dëshmuan betejën e tij 16 orëshe për të shpëtuar nga rrënojat e pallatit në Thumanë.

34-vjeçari u shua për shkak të gjakderdhjes, pak pasi ekipet e shpëtimit e nxorën nga rrënojat. Bashkë me të, në këtë tragjedi u shuan edhe prindërit e tij, Hajredin dhe Lutfije Çupi. I vetmi që mbijetoi ishte djali i vogël i familjes, Micoli, 31 vjeç.

Klementi kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Anglia, ku jetonte prej disa vitesh. Pikërisht nga Oksfordi, aty ku Klementi kishte vite që ishte vendosur, vjen një reagim nga kompania ku 34-vjeçari shqiptar punonte.

Në një postim në rrjetet sociale, 001 Taxis e përshkruan Klementin një djalë të mrekullueshëm, me zemër flori.

“Me hidhërim të madh duhet të njoftojmë se humbën një prej shoferëve tanë të mrekullueshëm, Klement Çupin, në tërmetin tragjik në Shqipëri. Klem ishte gjithnjë duke qeshur, gjithnjë duke bërë shaka dhe e kishte zemrën flori. Atë e donin të gjithë ata që patën fatin ta njihnin. Është një humbje e madhe për të gjithë stafin e 001, shoferët, përfshirë edhe klientët.

“Klementi shkoi në shtëpi në fundjavë që të kalonte kohë me familjen përpara sezonit festiv. Tragjedia i goditi teksa po flinin gjumë. Fatkeqësisht, edhe prindërit e Klementit u shuan gjithashtu”.

Për t’i ardhur në ndihmë kësaj familjeje, kompania angleze ka vënë gjithashtu në dispozicion një llogari online, për të mbledhur të ardhura, ku gjithsecili mund të kontribuojë.

“Tanimë ne po mbledhim donacione për të mbështetur pjesëtarët e tjerë të familjes, që humbën 3 prej tyre. Më poshtë keni një link ku mund të dhuroni për këtë kauzë që buron nga zemra. Duam gjithashtu të falenderojmë të gjithë shoferët dhe stafin që kanë dhuruar tashmë. Bujaria juaj ka qenë prekëse dhe familja ju është shumë mirënjohëse. Dhuroni: https://bit.ly/2OJBqUV“.

Kelment Çupi kishte emigruar drejt Oksfordit që në moshë të re. Ai kishte studiuar në këtë qytet dhe më pas kishte punuar në një lokal në Gloucester Green si menaxher. Disa vite më parë, ai kishte nisur punë si taksist për 001 Taxis.