Bota Një dorëheqje që pritet të ndikojë në rolin e helenizmit në SHBA

Një dorëheqje që pritet të ndikojë në rolin e helenizmit në SHBA

Në Greqi po e shohin si një vendim shumë të rëndësishëm zgjedhjen e kreut të ri të Kryepeshkopatës së Amerikës. Pas dorëheqjes së kryepeshkopit Demetrios, pak ditë më parë, Patriarku Ekumenik Bartolomeu duhet të zgjedhë një tjetër përfaqësues të Kishës Ortodokse në SHBA.

Bartolomeu, lideri shpirtëror i të krishterëve ortodoksë, e kishte kërkuar dy herë dorëheqjen e kryepeshkopit 90-vjeçar Demetrios, por ai e mori këtë vendim vetëm pesë ditë më parë.

Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike është parashikuar të mblidhet sot për të diskutuar në lidhje me emrin e pasuesit të kryepeshkopit Demetrios.

Në një opinion të botuar sot në gazetën “Kathimerini”, Alexis Papachelas e quan vendimin e pritshëm një moment me rëndësi të madhe për komunitetin ortodoks grek në SHBA.

“Ndryshimi është vonuar shumë dhe vonesa ka pasur një kosto të rëndë mbi diasporën greke në Shtetet e Bashkuara.

Përtej të qenit pa një lider efektiv, anëtarët e komunitetit iu nënshtruan gjithashtu një periudhe të zgjatur përkeqësimi dhe mosmarrëveshjesh.

Figurat e rëndësishme të komunitetit janë zhgënjyer dhe janë tërhequr nga çështjet qytetare. Mbështetja financiare për qëllimet që kanë të bëjnë me komunitetin grek ka rënë në zero. Ka thirrje për transparencë dhe për përballjen në mënyrë të hapur me atë që ka ndodhur vitet e fundit”, thuhet në shkrimin e tij.

Papachelas shprehet në shkrim se ndërsa do të jetë patriarku i Kishës Ortodokse ai që do të marrë vendimin, vihet re njëfarë mungese dëshire për të bërë kthesë.

“Ata që gjejnë rehati te inercia dhe ata që janë të kujdesshëm në lidhje me një ndryshim real po përkrahin një zgjidhje të tipit “e mesmja e artë”.

“Ata janë në favor të një zgjidhjeje të përkohshme që veçse do të sigurojë vijimin e status quo-së dhe do të bëhet mburojë për klerikët që nuk kanë treguar integritet”, shkruan ai.

Papachelas argumenton se nëse ky moment nuk bëhet një pikë kthese, Kisha Ortodokse do të dobësohet.

“Nëse diaspora nuk kthen faqen, helenizmi i Amerikës do të humbasë, Athina do të humbasë një gjenerator të rëndësishëm të fuqisë së saj dhe Kisha Ortodokse do të dobësohet.

Zyrtarët e Athinës janë të vetëdijshëm për problemin dhe ata duhet ta zgjidhin, edhe pse kjo nuk duket diçka me shumë rëndësi në dritën e zhvillimeve të tjera aktuale”, thuhet në shkrim.