Bota Një dush bërthamor? Rusia teston “Çernobilin” lundrues në qytetin “në fund të...

Një dush bërthamor? Rusia teston “Çernobilin” lundrues në qytetin “në fund të botës”

Një qytet i largët në Siberi po përdor me sukses një ministacion bërthamor për të siguruar ngrohje për banorët. Disa e shohin si një mjet për të minimizuar pasojat e ndryshimeve klimatike.

Ngrohja bërthamore për rezidentët është nisma më e fundit kompanisë shtetërore Rosatom, e vendosur në qytezën Pevek në rrethin Arktik. Energjia që shpërndahet nëpër banesa vjen nga një central bërthamor i ngritur mbi një anije gjigante, i pagëzuar edhe “Çernobili lundrues”.

Nxehtësia pompohet direkt nga reaktori bërthamor nëpër tubacionet e shtëpive, banorët e të cilave nuk janë të shqetësuar për rrezikun e një shpërthimi. Reaktorë të ngjashëm bërthamorë po mendojnë të ndërtojnë edhe kompani të tjera në SHBA, Kinë dhe Francë.

Nisma vlerësohet tepër emocionuese nga Jacopo Buongiorno, profesor në Massachusetts Institute of Technology (MIT). Në një intervistë për New York Times, ai thotë se këto reaktorë të vegjël mund të sigurojnë energjinë e nevojshme duke ruajtur zotimet për uljen e emetimeve të gazrave të dëmshëm.

Ngrohja e drejtpërdrejtë bërthamore ndryshon nga ngrohja e ujit me energji elektrike qe buron nga një reaktor bërthamor. Ngrohja e drejtpërdrejtë bërthamore e transferon nxehtësinë drejtpërdrejtë nga reaktori, ku bëhet edhe ndarja e atomeve të uraniumit. Mbrojtësit e kësaj ideje thonë që ajo ka përfitime të mëdha, sepse sasia e energjisë së çuar dëm është minimale. Por disa ekspertë janë të shqetësuar për rrezikun e ndonjë rrjedhjeje bërthamore, sidomos nëse reaktorë të tillë përdoren në mjete lëvizëse si nëndetëse apo anije akullthyese.

Profesori Buingiorno thotë se eksperimenti në Siberi mund të luajë një rol jetik në bindjen e shteteve të botës që të përdorin energjinë bërthamore për të luftuar ndryshimet klimatike. Profesori thotë se do ta bënte një dush bërthamor, me ujë të ngrohur nga ky reaktor. Por shtoi se me këtë teknologji duhet të ndihen rehat të gjithë në mënyrë që të funksionojë.

Kirill Toropov, nëndrejtori i impiantit bërthamor lundrues në Pevek, tha se përfitimet nga kjo nismë kanë filluar të shihen aty, duke filluar nga bora më e pastër, e pandotur nga qymyri. Pavel Rozhkov, një banor i qytezës, po e përdor prej një viti dushin bërthamor për vete dhe fëmijët e tij. “Nuk jemi të shqetësuar”, thotë ai. Ndërsa bashkëshortja e tij shton: “Vetëm mund të lutemi për sigurinë e qytetit tonë. Jemi në dorë të Zotit”, thotë ajo.