Kryesore Një emigrant shqiptar kandidat për deputet në Greqi

Një emigrant shqiptar kandidat për deputet në Greqi

Një emigrant shqiptar në Greqi ka shumë shanse të zgjidhet deputet në parlamentin grek.

Fatos Malaj, ndërmjetës ndërkulturor në qendrën e shërbimit të emigrantëve në Athinë, do të kandidojë me partinë “Lëvizja për Ndryshim”, që është një koalicion partish të qendrës së majtë.

Kandidatura e tij u shpall zyrtarisht, bashkë me emrat e tjerë që do të konkurrojnë për një vend në parlamentin 300 vendesh të Greqisë.

“Ishte ëndrra dhe dëshira ime prej shumë vitesh, si dhe me dëshirën e forcës progresive ‘Lëvizjes për ndryshim’, ish-PASOK-ut. Besoj se do jemi zëri i gjithë bashkatdhetarëve.”

Shpallja e kandidaturës së Malajt ka shkaktuar reagime të fuqishme nga ana e qarqeve të ekstremit të djathtë, që përgjithësisht e konsiderojnë si  të paprecedentë dhe krim kombëtar faktin që një emigrant shqiptar të ulet në karriget e parlamentit vendas.

Normalisht, zgjedhjet e radhës në Greqi duhet të zhvillohen shtatorin e ardhshëm. Por zhvillimet politike janë të tilla që bëjnë shumë të mundshme mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në fillim të vitit 2019.