Sport Një film i ri për Formula 1, yjet do të jenë Brad...

Një film i ri për Formula 1, yjet do të jenë Brad Pitt dhe Lewis Hamilton

Filmi i radhës për Formula 1 do të ketë si interpretues aktorin e njohur Brad Pitt. Sipas sitit “Deadline”, që ka dhënë lajmin, “Apple TV+” po përcakton detajet e fundit për të firmosur akordin me aktorin amerikan dhe menjëherë kanë nisur të qarkullojnë zërat se protagonist mund të jetë edhe Lewis Hamilton, piloti i Mercedesit.

Pitt do të luajë rolin e një ish-piloti të Formulës 1 në pension, që bën mentorin e një talenti të ri. Ai kthehet në pistë dhe pëson një humbje të befasishme nga “nxënësi” i tij, që është edhe shoku i skuadrës. Filmi i Hollivudit është planifikuar, por nuk ka ende një titull dhe një datë për nisjen e xhirimeve. Buxheti për realizimin e këtij filmi duhet të shkojë nga 130 në 140 milionë dollarë.

Një rol mund të jetë i rezervuar edhe për 7 herë kampionin e Formulës 1, Lewis Hamilton, që ka “debutuar” në filmin “Zoolander 2” në 2016-ën.

Gjithmonë sipas “Deadline”, skenari do të shkruhet nga Ehren Kruger, filmi do të drejtohet nga Joseph Kosinski (ka drejtuar edhe Top Gun: Maverick), kurse producent do të jetë legjendari Jerry Bruckheimer, i cili ka punuar edhe në vitin 1990 në një tjetër film të frymëzuar nga sportet motorike, “Days of Thunder”, me protagonist Tom Cruise, por edhe për Top Gun.

Një pasionant i madh i motorëve, Pitt ka punuar me Kosinskin në përgatitjen e “Go Like Hell”. Në vitin 2019 doli edhe “Le Mans ’66”, sfida e madhe e Matt Damon dhe Christian Bale. Brad Pitt duhej të merrte rolin e Carroll Shelby (i interpretuar nga Damon).

Interesi i Hollivudit për Formula 1 ka shpërthyer vitet fundit edhe falë suksesit të Netflix “Drive to Survive”. Në mars pritet të jetë gati sezoni i 4-t i “Drive to Survive”, një serial dedikuar aventurave të pilotëve dhe që do të paraqesë edhe betejën e madhe të 2021-shit mes Verstapen dhe Hamilton. Më 15 shtator ndërkohë ka dalë dokumentari i fundit dedikuar Mikael Shumakerit.

Në 2010-ën dhe 2013-ën kanë dalë respektivisht “Rush”, – kushtuar betejës historike mes Niki Laudës dhe Xhejms Hant në 1976-ën, – dhe “Senna”, dokumentari kushtuar kampionit brazilian.