Kulturë Një ftesë për në shpellën e Pëllumbasit

Një ftesë për në shpellën e Pëllumbasit

Entela Resuli

Tirana ka një fshat që quhet Pëllumbas. Ai ndodhet 20 km larg në juglindje të kryeqytetit. Mund të gjendet duke ndjekur rrugën nacionale Tiranë-Elbasan dhe të merrni kthesën në të majtë ku shihet dhe tabela e “Teatri Kame”. Nuk dihet pse nuk ka një tabelë në emër të fshatit!

Në këto 20 vite ky fshat është bërë i famshëm dhe ka pritur me qindra e mijëra vizitorë. Arsyeja është Shpella e Pëllumbasit, e cila është dy kilometra larg nga qendra e fshatit.

Nëse nuk do të kishim të njohur që na prisnin në fshat do e kishim të vështirë të ecnim nëpër shtegun gjarpërues drejt vendit që kërkojmë të shohim.

5Gëzim Duqi është vendali. Ai është lindur dhe rritur në Pëllumbas. E njeh shpellën më herët se arkeologët dhe e ka vizituar atë qysh fëmijë.

Sot është 66 vjeç, por mosha nuk e pengon që me një elektrik në dorë të na shoqërojë drejt vendit misterioz. Ecja në drejtim të shpellës bëhet nëpërmjet një shtegu në të cilin ecët vetëm me këmbë. Udhëheqësi ynë i rrugës na përgatit dhe na tregon se për të shkuar deri atje duhet të paktën një orë. Më tej, si për të na çliruar pak nga mendimet e para që na erdhën në mendje se, përse iu futëm kësaj nisme të vështirë nis e na tregon për këtë vend interesant ku ai ka lindur dhe është rritur. Ai njeh çdo gur dhe pemë rreth e qark fshatit.

Kur isha i vogël, sapo përfundova klasën e katërt, babai me heq nga shkolla dhe më jep një tufë me dhi. Detyra ime ishte të ruaja bagëtitë. Ia njoh relievet kësaj zonë me sy mbyllur”- tregon Gëzimi me krenari. “Por shpejt e kuptova që nuk isha për atë punë dhe i braktisa dhitë dhe nisa shkollën. Kam bërë shkollë muzike si fillim, për klarinetë, me pas e lashë muzikën dhe u bëra elektricist. Kam punuar në elektrifikim për 31 vite deri sa dola në pension”.

12Por shpellën e ka vizituar për herë të parë në moshën 11-vjeçare. “Në atë kohë qarkullonin shumë legjenda për këtë vend dhe prindërit na ndalonin t’i afroheshim shpellës. Por ju e dini, gjërat e ndaluara janë ato që tërheqin më shumë dhe me një grup shokësh vendosëm të hynim në të. U pajisëm me ndriçim, në atë kohë kishim vetëm kandil dhe u futëm në shpellë. Gjatë rrugës na shoqëronte frika por edhe kurioziteti. Ishim edhe të ekzaltuar që po hynim në një vend që na kishin thënë: mos! Kur shkova në shtëpi dhe i tregova nënës e babës, ata nuk më besuan. Vetëm kur dëgjuan edhe dëshmitë e fëmijëve të tjerë të lagjes e kuptuan që ajo që u kisha treguar ishte e vërtet. Më quajtën të çmendur, madje me dhanë edhe një dënim të vogël”- kujton Gëzimi me nostalgji.

Babai i tre fëmijëve, dy vajza dhe një djalë tregon se ka bërë një jetë të qetë familjare. Është bërë gjysh disa herë dhe prej një viti ka dal në pension. Por kjo nuk e pengon që herë pas herë, të shoqërojë turist. Për të paravera është stina më e bukur për të udhëtuar drejt shpellës, kjo për shkak se bimësia shpërthen nga gjelbërimi dhe ngjyra e po ashtu, gjatë gjithë ecjes shoqërohesh nga aroma e luleve të egra.

Ndërsa ecim duke shtrënguar këmbët në guriçkat e shtegut takojmë të tjerë turist që janë nisur të vizitojnë shpellën. Një çift me dy fëmijë të vegjël nuk tremben aspak nga terreni i vështirë. Kur u afruam e kuptuam mungesën e tyre të frikës: Ishin të huaj dhe të pajisur me çanta shpine.

3Gëzimi na thotë se përgjithësisht turistët vijnë të organizuar nga Tirana, me guidat përkatëse që i shoqërojnë. Ndërsa në fshat ende nuk ka një qendër turistike, e cila të shërbej jo vetëm për informim, por edhe në të qëndrojnë persona që mund të shoqërojnë vizitorët. Sipas tij janë bërë disa përpjekje në këtë drejtim kohët e fundit, por ende nuk ka diçka konkrete. Kur turistët vijnë, pyesin në fshat dhe kërkojnë ndonjë banor t’u tregoi rrugën. Çunat, ata që janë pa punë, të cilët janë të shumtë, i shoqërojnë, në këtë mënyrë edhe marrin ndonjë lekë. Ja kështu bëhet! S’ka formë tjetër, deri më tani.

Ndërsa i afrohemi shpellës, dëgjojmë ulërima të forta që vijnë prej andej. Guida ynë na thotë se është zëri i vizitorëve, që kur futem në shpellë, ulërasin dhe jehona duket sikur vjen nga fundi i tokës.

Në hyrje të shpellës na presin këmbëkryq disa dhi të bardha. Duket sikur janë vendosur aty për të na uruar mirëseardhjen. Një grup studentësh, gati te 50 persona janë futur në shpellë. Nxitojmë edhe ne drejt saj. Elektriku i dorës është i domosdoshëm. Ndryshe mund të thyesh këmbën me ndonjë gropë, madje jo vetëm kaq. Kujdesi duhet kur ecën pasi terreni është i rrëshqitshëm dhe ka prezencë balte. Por pamja që shohim përballë na bënë të harrojmë çdo vështirësi. Skulpturat natyrore të krijuar për mijëra e mijëra vite shfaqen përpara nesh si për të na kujtuar se natyra është “artistja” më perfekte. Si ka mundësi?- është pyetja që na shoqëron teksa ecim për në thellësinë që të fton në errësirë për të treguar mrekullitë e krijuar ndër shekuj. Asnjë galeri arti nuk mund të të ofroj një pamje të tillë.

18Guida jonë na përsërit herë pas here fjalën, kujdes! Terreni është i rrëshqitshëm dhe nëse je i pavëmendshëm, mund ta marrësh për kujtim një njollë balte në pantallona nga vizita në shpellë. Ndërsa ne ishim ende duke u zhytur në errësirën gjithë stalaktite dhe stalagmite, grupi i madh i studentëve ishin duke u kthyer. Me të qeshur na treguan se gjysma e tyre kishin rënë, por pa rrezik, më shumë duket sikur ishin argëtuar me këtë pjesë.

Nuk e zgjatëm shumë udhëtimin tonë për në thellësi të shpellës. Vështirësia me ndriçimin na detyroi të ktheheshim.

Në brendësi të saj nuk kishte asnjë rrezik. As kafshë as shpend nuk na u shfaqen. Është një shpellë e vizitueshme nga kushdo. Sikur dikush të mendonte për një ndriçim të instaluar në shpellë, i cili të ishte në funksion sa herë që të kishte grupe turistësh në të, do të ishte gjithçka më e thjesht. Drita do të ndihmonte të shijoje pamjen e shpellës.

14U kthyem për në fshatin Pëllumbas nga i njëjti shteg, duke diskutuar me njëri-tjetrin se çfarë mund të përmirësohej në infrastrukturë në mënyrë që t’ua u bënte më të thjeshtë vizitorëve shkuarjen deri atje. Por, siç ndodh shpesh, bisedën e mbyllim me shprehjen; më mirë mos të ndërtohet asgjë, se më pas ky vend do të shkatërrohet…

****

Shpella e Pëllumbasit

Sipas Institutit të Arkeologjisë, shpella ka formuar degëzime të shumta, përgjatë miliona vitesh, ku edhe janë formuar stalaktite dhe stalagmite të shumëllojshme. Në fund të shekullit të kaluar, Shpella e Pëllumbasit është përmendur në disa shkrime të Kostandin Kristoforidhit mbi Tiranën, të cilat kanë sjellë dëshmi për vendndodhjen e saj, por askush nuk ka ditur vendndodhjen e saktë, deri në zbulimin e saj në vitin 1995, nga specialistët e Shoqatës Didaktike Shkencore Speleologjike Shqiptare. Ekspedita gjithashtu arriti të zbulonte dëshmi të jetës së hershme humane, brenda kësaj shpelle. Ndonëse, nuk është përcaktuar saktë jetëgjatësia e kësaj shpelle dhe formimi i saj, në hyrje të Shpellës së Pëllumbasit gjenden edhe sot disa gropa të hapura ku u gjetën fosile, që sipas konfirmimit nga Muzeu i Shkencave të Natyrës të Universitetit të Firences, u përkisnin arinjve të shpellave (Ursus Spelaus), të cilët kanë jetuar në një periudhë më të hershme se 10 mijë vite më parë.