Kryesore Një histori e jashtëzakonshme mirënjohjeje pas prerjes së një peme

Një histori e jashtëzakonshme mirënjohjeje pas prerjes së një peme

Të presësh një pemë është gjithnjë pak e trishtë. Por ky rast bën përjashtim, sepse përfaqëson një gjest simbolik miqësie mes dy kombeve që rinovohet çdo nëntor prej 72 vitesh. Jemi në Norvegji, në një pyll pranë Oslos.

Dy gratë në fotografi janë kryetarja e bashkisë së kryeqytetit norvegjez dhe kryekëshilltarja e distriktit londinez të Westminster.

Janë aty sepse çdo vit, që nga 1947, Norvegjia i dhuron një pemë Britanisë së Madhe, si shenjë falenderimi për ndihmën që mori gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mes viteve 1940 dhe 1945, Londra mikpriti qeverinë dhe familjen mbretërore norvegjeze, që u detyruan të linin Oslon pasi ishte pushtuar nga nazistët.

Prej 72 vitesh, pema shërben për të përkujtuar atë faqe të vështirë të historisë, por edhe për të kujtuar miqësinë mes britanikëve dhe norvegjezëve.

Pema transportohet në rrugë detare drejt Britanisë së Madhe dhe vendoset në “Trafalgar Square” për festat e Krishtlindjes.

Këtë vit, Pema e Krishtlindjes do të ndizet zyrtarisht më 5 dhjetor. / Corriere della Sera/American Eye