Extra Një histori përrallash: Kur dashuria mund edhe Covid-in

Një histori përrallash: Kur dashuria mund edhe Covid-in

65 vite të kaluara së bashku deri në momentin që preken nga Covid-19.

Ivo Landi 92 vjeç dhe Livia Arrighini 88 vjeç janë një çift që jetojnë në Prato, Itali.

Para dy muajsh, Ivo u shtrua në qendrën shëndetësore La Melagrana pasi rezultoi pozitiv me Covid dhe shfaqi probleme.

Mbas tre javësh u shtrua dhe Livia, bashkëshortja e tij në të njëjtin spital por në dhoma të ndara. Fëmijët e tyre tregojnë se gjithmonë pyesnin për njëri-tjetrin dhe kishin shumë mall pasi kishin kaluar 1 muaj të ndarë. Për këtë, fëmijët Andrea dhe Marco bënë çmos që prindërit të jenë në një dhomë pasi “janë një çift që e duan shumë njëri-tjetrin dhe nuk janë ndarë kurrë.”

Pas disa kërkesash, çifti ishte sërish bashkë.

“Kur infermierët më dërguan foton e babait dhe nënës duke shtrënguar duart ishte me të vërtetë emocionuese, pothuajse nuk e besova. U përfshiva nga emocionet. Ishte një dëshmi e faktit që luftuan, dhe që kanë një dashuri të madhe për njëri-tjetrin”, tha për “La Nazione”, i biri i tyre, Andrea Arrigo Landi.

Dy bashkëshortët kishin një jetë të pavarur deri muajin e kaluar kur Ivo, që vuan dhe nga zemra e diabeti rezultoi pozitiv me Covid-19.

“Situata nuk ishte aspak e mirë; mjekët lanë të kuptohej se ai nuk do të dilte i gjallë nga e gjithë kjo”, rrëfen i biri.

E ëma nga ana tjetër kishte pësuar një ishemi e kishte rezultuar dhe ajo me Covid-19. I shtruan të dy në të njëjtën dhomë, e duket kjo i dha më shumë kurajë.

“Tani janë në rrugën e shërimit, dhe fotoja e tyre”, shprehet Andrea, “kërkon të jetë një mesazh pozitiv në një moment kaq të vështirë si ky për të gjithë”.