Aktualitet Një ish-polic në kërkim për grabitjen në Rinas, identifikohet dhe i plagosuri

Një ish-polic në kërkim për grabitjen në Rinas, identifikohet dhe i plagosuri

Një ish punonjës policie në Elbasan është shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në grabitjen që ka ndodhur në Rinas.

Nga ekspertiza që është bërë rezulton se nga telefonatat që kanë bërë autorët ky ka komunikuar me ta dhe ka elementë të bashkëpunimit.

Redaktori i RTV Ora, Trazhgim Sokolaj informon se ndaj ish policit është nxjerrë dhe një urdhërkërkim për të sqaruar pozicionin e tij.

Po kështu në furgonin që është gjetur në Rinas pranë të cilit është vrarë Admir Murataj ka rezultuar se kemi një person të dytë të plagosur.

“Sipas të dhënave që kam policia ka një emër për këtë person të plagosur. Pra deri tani kemi dy persona në kërkim të identifikuar”, tha Trazhgim Sokolaj në studion e  “360 grade” ne RTV Ora.

Sokolaj ka zbardhur të tjera detaje në lidhje me grabitjen e 10 milion eurove në Rinas, pasditen e dy ditëve më parë.

Sokolaj: Policia kur ka filluar ndjekjen, këta kanë pasur edhe një skenar rezervë. Këta kanë qenë të organizuar deri në detaje. Skenari i dytë i tyre ka qenë në makinën që është gjetur e djegur në Bathore e cila është përdorur për të shpërqendruar vëmendjen e policisë. Dy automjetet e tjera janë larguar, me paratë. Është mësuar se personat që janë në arrati natën e kanë kaluar në një tunel të ushtrisë në fshatin Drithas. Ku policia mbërriti vetëm të nesërmen.

Në Rinas janë thyer dy dyer, një kur hynë dhe një kur dolën. E kanë hapur në mënyrë të thjeshtë. Pasi është hapur dera, para saj ka pasur një beton, që Murataj e ka lidhur me zinxhir dhe e ka tërhequr me furgon. Është rikthyer në furgon dhe ku të paktën  kanë qenë 5 persona.

Kanë shtrirë përtokë të paktën 6 punonjës të kompanisë.

Kanë dalë nga dera fundore e aeroportit ku kanë hyrë në rrugën që të çon në drejtim të Tapizës. Aty kanë përdorur një rrugë dytësore fundi i së cilës të çon në Fushë Krujë.

Në këtë rrugë dytësore ka ndodhur vrasja e Admir Muratajt.

Thasët me para janë zhvendosur në makinën e dytë që priste në rrugën kryesore. Kjo makina është larguar me 4 persona të tjerë dhe me thasët me para, ndërkohë që Murataj ka qëndruar me makinë për të ndaluar policinë e cila po afrohej.

Pasi ka vrarë Murataj policia është vënë në ndjekje të makinës së dyt,ë por i ka humbur nga sytë.

Dyshimet është se autorët janë shpërndarë në dy makina të tjera dhe të dhënat janë se ata kanë kaluar natën në një tunel në fshatin Drithas, ku dhe policia ushtroi kontrolle një ditë më pas (10 prill).