Bota Një kardinal shpallet fajtor për agresion seksual mbi dy fëmijë

Një kardinal shpallet fajtor për agresion seksual mbi dy fëmijë

Kardinali australian George Pell, që ka ndihmuar në zgjedhjen e Papës dhe ka menaxhuar financat e Vatikanit, është shpallur fajtor për agresion seksual mbi dy fëmijë nga një gjykatë të martën, duke u bërë kleriku katolik më i lartë që dënohet për krime të tilla në histori.

Një gjykatë australiane tha se kardinali Pell ishte fajtor për një akuzë “abuzimi seksual” dhe 4 akuza për “sjellje të papërshtatshme”, kundrejt dy fëmijëve në Katedralen e Shën Patrikut në Melburn në vitet 1990.

Pell, tani 77-vjeçar, akuzohet se i kishte shtrënguar djemtë, asokohe 12 dhe 13 vjeç, të performonin një akt seksual me të. Kleriku, që ka qenë në liri me kusht, i ka mohuar akuzat dhe në një proces të mëparshëm gjyqësor, juria kishte qenë e ndarë në opinion.

Por, ai u dënua në një rigjykim më 11 dhjetor. Një urdhër i gjykatësit kishte ndaluar median të raportonte që nga maji. Urdhri u hoq gjatë leximit të vendimit të martën, kur prokurorët vendosën të tërhiqeshin nga një proces i dytë, në lidhje me akuza të tjera ndaj kardinalit.

Një seancë tjetër është përcaktuar për të mërkurën, para dhënies së vendimit përfundimtar, pas të cilës Pell pritet të dërgohet në qeli.