Sport Një portret për futbollistin e talentuar Bektash Caushi

Një portret për futbollistin e talentuar Bektash Caushi

Kontributi i futbollistëve memaliotë, që ka përfaqësuar rrethin e Tepelenës, ka qenë i jashtëzakonshëm! Në gjurmët e këtij kontributi, gjejmë edhe ato të futbollistit të talentuar, Bektash Caushi!

Bektashi Caushi u lind më 29 maj të vitit 1962, në Memaliaj, me prindër Rabushe dhe Karafil A. Caushi. Arsimin fillor, tetëvjeçarë dhe atë të mesëm, i kreu në vendlindje. Të gjithë memaliotët, mbarë rrethit të Tepelenës dhe më gjerë, e njohin me emrin Tashe.

Bektash Caushi

Tashja, u lind dhe u rrit në një nga familjet më të vjetra memaliote, sportdashëse dhe me tradita në sporte, sidomos në atë të futbollit. Babai i tij, Karafil Asllan Caushi, është themeluesi futbollit tepelenas dhe të disa sporteve të tjera, të cilat u çertifikuan, kultivuan, u zhvilluan dhe u trashëguan ndër breza, duke u bërë pjesë e traditës sportive të kësaj treve. Edhe i vëllai i tij, Namiku, njihet si një ndër futbollistët e brezave të parë të futbollit tepelenas, ku stërviteshin tek ekipi i “Minatorit”, që përfaqësonte rrethin e Tepelenës. Me këtë dashuri për futbollin, u rrit edhe Bektashi, duke luajtur futboll me topa letre e llastiku, nëpër rrugët e sheshet e qytetit, së bashku me moshatarët e tij.

Më vonë, ka luajtur me ekipet e klasave nëpër aktivitetet që organizonte shkolla 8-vjeçare. Talenti i tij, e çoi atë të përzgjidhej dhe të luante edhe në ekipet zinxhir të kohës, siç ishin ato me pionierët dhe të rinjtë. Duke shkëlqyer me vlerat e tij si futbollist i kalibrit profesionist, kaloi shumë shpejtë me ekipin e parë të “Minatorit”, dhe luajti derisa mbylli karierën e tij sportive.

Edhe përgjatë kryerjes së shërbimit ushatarak, të cilin e kreu në një brigadë ushtarake me vendndodhje në afërsi të qytetit të Tepelenës, i dha mundësi të vazhntoi rregullisht stërvitjen dhe të ishte pjesë e formacionit të ekipit “Minatori”.

Talenti Bektash Caushi, do të ishte më i njohur tek sportdashësit në shkallë vendi dhe me një karrierë më të suksesshme; nëse nuk do të pengohej nga njerëzit që i shërbenin politikës së sistemit monist, vegla këto që mbanin gjallë qëllimisht luftën e klasave, për të goditur njerëzit e ndeshëm, siç ishte edhe babai i tij, Prof. Karafil A. Caushi.

Memaliaj: Bektashi me babain e tij, Karafil A. Caushin

Edhe pse kontributi dhe përkushtimi i babait të tij, Prof. Karafil A. Caushit, ka qenë shumë i madh, duke filluar qysh në vitin 1942 me inkuadrimin e tij në Batalionin Baba Abaz, më vonë në radhët e Brigadës së 16- të Sulmuese; themeluesi e drejtuesi i parë i futbollit e disa sporteve të tjera në shkallë rrethi, pa harruar edhe disa vjet si Kryetar i Seksionit të Sporteve për rrethin, nuk u morën parasysh për të ndalur shpirtvegjlit e Partisë për ta përjashtuar atë nga Partia në vitin 1952, dhe ta dënonin me 9-muaj burg! Arsyen, vetëm një Zot e di, edhe pse në atë sistem, disa njerëz ishin të prirur të ngrinin kurthe dhe akuza nga më të ndryshmet, vetëm e vetëm për të shkatërruar njerëzit e drejtë dhe të ndershëm, që gëzonin respekt në komunitet dhe shoqërinë, ku ata punonin dhe jetonin së bashku me familjet e tyre. Kjo u përjetua akoma më tragjike, kur shpërfillën edhe kontributin e babait të tij, patriotin dhe atdhetarin, Asllan Caushi, i cili ka marrë pjesë me çetën e tij, në ruajtje të Ismail Qemalit, në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare në Vlorë; në 1920-n, kundra Italisë fashiste dhe më 1924-n, u bashkua me forcat e Fan Nolit, nën drejtimin e Riza Cerovës.

Këto ndikuan për të penguar realizimin e ëndrrave të të gjithë fëmijëve të familjes Caushi, ku bënë pjesë edhe Bektashi. Këtë rast e kam përmendur edhe tek shkrimi, “Karafil Asllan Caushi, përfaqësues i denjë i kulturës bashkëkohore për Tepelenën.”, të botuar tek gazeta “Tirana Observer” më 29 nëntor të vitit 2016, ku shprehem: “Ndërsa djalit tjetër më të vogël Bektash Çaushit, nuk i dhanë të drejtë konkurimi për të studiuar në shkollën e mjeshtërisë sportive. Jo vetëm kaq, por është fakt se edhe pas vdekjes së babait të tij të mirënjohurit Karafil A. Çaushi, Tepelena nuk e lejoi këtë djalë të talentuar që të luante me ekipin kryeqytetas Dinamo (veprime këto të luftës së klasave që tregon edhe njëherë injorancën e atij pushteti diktatorial) edhe pse Bektash Çaushin e donte i gjithë stafi, sidomos presidenti i klubit Iljaz Çeço dhe sekretari i klubit Stavri Lubonja njëkohësisht pedagog në Universitetin e Tiranës, të dy lojtarë të shquar të kombëtares.”

Memaliaj: Majtas, Ilir Xhemali, Bektash Caushi dhe Mihal Çimi

Futbollisti Bektash Caushi, me shtatlartësinë, elegancën, teknikën, atletikën, luftën në ajër, zotërimin, driblimet dhe xhonglimin me top, nëpër hapësira të ndryshme të fushës dhe inteligjencën në organizimin e lojës, e tregonin atë një mesfushorë organizatorë të nivelit profesionit dhe me tipare të rrezikshme sulmuese. Gjithashtu, mbahet mend edhe si një njohës i shkëlqyer i portës në distanca dhe situata të ndryshme, të cilin e kishin afirmuar atë, një golashënues të mirëfilltë dhe të rrezikshëm për ekipet kundërshtare.

Pasi përfundoi karrierën e tij sportive, krijoi familje me volejbollisten memaliote, Majlinda Taraj, ku jetën ja u ka bërë më të lumtur, ardhja në jetë e vajzës së tyre, Anastasia. Familja Caushi, emigroi për shumë vjet, në Athinë dhe kohët e fundit, është vendosur me banim në Angli!

Memaliaj: Ekipi i futbollit të “Minatorit”. Majtas, Ferman Haska, Çoti Lika, Selam Kocali, Vladimir Bushi, Ilir Seferi, Vladimir B. Hoxha, Bektash Caushi, Vladimir S. Shehu, Flamur Hoxha, Avdulla Muçi dhe Reshat Sala.

Futbollisti Bektash Caushi, gëzon një respekt të veçantë tek të gjithë bashkëqytetarët dhe më gjerë, jo vetëm si sportist, por edhe si një djalë xhentëlmen, kavalier, i komunikueshëm, ndjekës i modës së kohës, jo konfliktor, me humor të veçantë e tipik memaliotë dhe një prind shembullor!

Padyshim që të gjithë sportdashësit memaliotë dhe tepelenas, i janë mirënjohës për emocionet e bukura që ai u ka dhuruar me lojën e tij spektakolare nga ndeshja në ndeshje, vlera shpirtërore këto, të cilat na kanë bërë të ndihemi krenar në çdo kohë!

Faleminderit Bektash Caushi, për kontributin tuaj, në futbollin tepelenas dhe atë shqiptar, pasi do të ishit një ndër futbollistët më me zë ne botë, nëse vendi ynë do të ishte Republikë e lirë dhe demokratike, në kohën tuaj të artë!

Edmond Ismailati