Një sixhade e madhe me një përshkrim besnik të së famshmes “Guernica” të Pablo Picassos, e cila varej për dekada me radhë para hyrjes në sallën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe që u kujtonte diplomatëve se çfarë sjell lufta, u kthye javën e kaluar te pronari Nelson Rockefeller Jr.
Ajo u porosit në 1955 nga Nelson Rockefeller Sr. pasi Picasso nuk donte t’i shiste pikturën origjinale. Sixhadeja u end nga seminari francez i Jacqueline de La Baume-Dürrbach dhe është huazuar në KB që nga 1984.
Sundimtarët, presidentët, kryeministrat, ambasadorët dhe diplomatët që morën pjesë në seancat e Këshillit të Sigurimit, duhej të kalonin para saj për në sallën e KB-së, përgjegjës për paqen në botë.
KB nuk shpjegoi pse familja Rockefeller dëshironte që sixhadeja t’u kthehej atyre. Edhe familja e pasur s’e komentoi.
“Është e tmerrshme që nuk e kemi më. Ne u përpoqëm të bënim gjithçka që mundeshim për ta mbajtur por dështuam,” tha Sekretari i Përgjithshëm i KB Antonio Guterres.
“Guernica” është ndoshta piktura më e famshme anti-luftë në histori. Ajo përshkruan bombardimet e qytetit bask të Guernicas, i cili u shkatërrua nga Gjermania naziste dhe Italia fashiste më 26 prill 1937, me kërkesë të nacionalistëve spanjollë.
Origjinali ruhet në Muzeun Mbretëresha Sofia në Madrid, ndërsa sixhadeja e Rockefellerit është një kopje besnike e saj në të njëjtën madhësi.
Muri në të cilin ajo ishte në KB tani është bosh dhe vendet anëtare po përballen me një debat mbi atë që mund ta zëvendësojë denjësisht në të njëjtin vend.