Bota “Një rreze shprese drejt normalitetit”, Johnson: Vaksinimi për Covid-19 do të jetë...

“Një rreze shprese drejt normalitetit”, Johnson: Vaksinimi për Covid-19 do të jetë vullnetar

Kryeministri britanik, Boris Johnson, bëri me dije se vaksinimi për Covid-19 nuk do të jetë i detyrueshëm. Deklarata erdhi gjatë shpjegimeve në parlament pas aprovimit të përdorimit emergjent të vaksinës së zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTech.

Johnson tha se ky aprovim është një fitore globale dhe rreze shprese për kthimin e jetës normale.

“E di që i gjithë parlamenti dëshiron të më bashkohet mua në përshëndetjen e këtij lajmi fantastik, që Rregullatori i Shëndetësisë dhe Ilaçeve autorizoi zyrtarisht vaksinën e Pfizer për Covid-19. Vaksina do të bëhet e disponueshme në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar nga java e ardhshme. Dëshiroj të vlerësoj dhe falënderoj të gjithë ata që e bënë këtë të mundur. Mbrojtja që sjell vaksina do të na lejojë ne t’u rikthehemi jetëve tona dhe të lëvizim sërish ekonominë tonë. Nxis fuqishëm qytetarët që të marrin vaksinën, por nuk është pjesë e kulturës apo ambicies sonë në këtë vend që të bëjmë me detyrim vaksinimin, kjo nuk është mënyra se si ne i bëjmë gjërat”, u shpreh Johnson.

Speranza: Vaksina për Covid-19 do jetë falas për italianët

Italia do të nisë programin e vaksinimit në masë për Covid-19 në fillim të vitit të ardhshëm. Prioritet do të ketë personeli shëndetësor dhe të moshuarit.

Konfirmimi erdhi nga Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, gjatë një ndërhyrjeje në Senat, duke theksuar se vaksina do të jetë falas.

“Të nderuar kolegë, për stuhinë që po kalojmë, më në fund kemi një destinacion përpara nesh, ne kemi një rrugë të pastër dhe një strehë të sigurt. Tani është e mundur, pasi me shumë gjasë, duke nisur nga janari do të kemi vaksinat e para dhe më pas do të jemi në gjendje që të vaksinojmë një numër gjithnjë e më të madh italianësh.

Kjo është pika e kthesës, të cilën e kemi pritur dhe drejt së cilës kemi punuar për shumë muaj. Blerja e vaksinës do të centralizohet dhe shpërndahet falas për të gjithë italianët. E centralizuar dhe shpërndarë falas për të gjithë”, u shpreh Speranza.