Aktualitet Një sekret i ambasadorit Lu për gjuhën shqipe, që nuk e keni...

Një sekret i ambasadorit Lu për gjuhën shqipe, që nuk e keni ditur më parë

Ambasadori amerikan Donald Lu ishte në Korçë, ku festohej Dita amerikane, këtë fundjavë të ngarkuar me ngjarje politike për Tiranën.

Marrëdhënia e gjatë e Korçës me emigracionin në Amerikë, prej më se një shekulli, u festua me aktivitete simbolike në “Pazarin e vjetër” të qytetit, ku prania e diplomatit Lu ka tërhequr vëmendjen e të pranishmëve.

Ai vizitoi ekspozitën e hapur me materiale, foto dhe letra nga jeta e shqiptarëve në Amerikë ndër vite, ku edhe u njoh me historinë e hershme të emigracionit për disa prej familjeve të qytetit juglindor.

Lu ka vlerësuar shumë prej elementëve të spikatur në qytetin e Korçës.

“Mësuesja ime e parë në Amerikë për gjuhën shqipe ishte korçare dhe një nga fjalitë e para që kam mësuar ishte ‘Ja korçare, ja hiç fare’. Kam mësuar gjithashtu që ushqimi dhe muzika nga Korça janë më të mirat. E sidomos birra nga Korça, sigurisht më e mirë”, tha ambasadori Donald Lu.

Më tej, Donald Lu vizitoi edhe këndin e kuzhinës, ku simbolikisht ishin përgatitur gatime tradicionale amerikane.

Ambasadori pranoi jo vetëm të shijonte këto gatime, por nuk hezitoi që për pak kohë të ishte ai kuzhinieri.