Kulturë Një shëtitje nga “tregu çam”

Një shëtitje nga “tregu çam”

– Eja – më tha Rea, mikja ime e ngushtë, – i biem këtej nga tregu çam për t’i rënë më shkurt.

Ishte mesjavë paradite. Binte pak shi, por ende nuk e ndjenim nevojën për të hapur çadrat.

Morëm rrugën për andej dhe pas pak e pamë veten të rrethuara nga një pafundësi dyqanesh dhe tezgash. Pa bërë pak metra, ndeshëm përballë dy zonja që po blinin peshqirë.

– Të mira qenkan, po mall turk.

– Eh, – u hodh tjetra , – çdo gjë këtu nga Turqia vjen. Turku dhe kinezi po pushtojnë boten, moj motër. Mirë dhe lirë…

Nuk e di pse në atë çast më parakaluan përpara syve telenovelat e shumta turke që kanë mbushur ekranet e televizioneve shqiptare, të cilat janë kthyer në pjesë e jetës të familjeve tona, deri në absurditet.

E lamë pas bisedën e tyre dhe vazhduam rrugën.

Fjalët dhe bisedat e të tjerëve që flisnin me źë të lartë na vinin në vesh vetvetiu.

– Tani që iku Trampi, do iki edhe Corona!

– Po, mor po, – ia kthehu tjetri, – se e solli ai me vete… Shiko punën tënde, o njeri. Mos bëj politikën e botës…

– Pse, çfarë të dukem unë ty? – u indinjua tjetri.

As dy hapa dhe dëgjojmë një djalë që po na vinte pas, e po na fliste:

– Ju lutem, me merrni një pako fazoleta se nuk kam shitur fare sot.

– Na duhen? – pyeta Rean. Pasi pashe një ngritje supesh, e falenderova djalin dhe i thashë: – Mikesha ime i ka kepucet e sigurta.

Buzëqeshëm të dyja dhe vazhduam rrugën, ndërsa nga pas supeve ndjemë vështrimin e çuditur të djalit që pyeste me vete:

– Po fazoletat, çfarë lidhje kanë me këpucët?!…

Nuk bëmë as pak hapa dhe rrugën na e zuri një djalë tjetër që po shtynte një karrocë të vogël, të mbyllur me xhama, i cili mezi ecte nga pesha e saj. Ishte i veshur shumë keq dhe prej tij, si belbëzim, dëgjoheshin vetëm fjalët:

– Doni  freskuese, pasta te mira, patatina, biskota…

Dukej se lodhja kishte filluar ta mundte që atë orë të paradites. Nuk kishte fuqi as të fliste.

Sapo ishim ngritur nga kafja e nuk na hahej,  megjithatë u lekundëm  te dyja se na erdhi keq për peshën që mbante ai dhe nga meraku se nuk do fitonte gjë atë ditë te ftohtë dhe ne shi.

– Ndihem keq për këta njerëz , – i thashë Reas, – mezi sigurojnë bukën e gojës dhe tani në vitin 2021.

Veç keqardhjes që ndjemë të dyja, ndiheshim ligsht që nuk mundëm të bënim dot asgjë…

– Prej kahit je? – dëgjuam një zë të çjerrë në anën e majtë. Kthyem kokën dhe vumë re dy shitëse që kishin dalë nga dyqanet e tyre dhe po flisnin me njëra- tjetrën.

– Unë nuk jam ktej. Kam pak vite që kam ardh ,- tha njëra prej tyre, një grua e shkurtër dhe thatime, ndërsa tjetra, ndërsa tjetra, ishte shumë e përqendruar të degjonte fjalet e saj, a thua do ta ndryshonte atë dhe origjinën e saj . – Shpesh, më duket se bëmë gabim që erdhëm në Tiranë.

– Këtu është shumë e vështire jeta! Mezi e siguron lekun, – dëgjuam së largu fjalët e tjetrës se na duhej të ecnim me hapa te nxituar.

– Ku t’ i lë patatet? – u dëgjua një zë burri që hyŕi në një kolibe që vetëm dyqan nuk mund t’a quaje.

– Vëri aty tek ajo kutia e “Barcelonës”. Do i skuqim me fërgesë, për darkë. – Ia kthehu një grua, e cila po ta shihje me vëmendje e kalonte një kuintal.

Rea nxitoi hapat.

– Prit , – i thashë Reas, – më duhen nja dy varëse rrobash druri.

Dhe sakaq ndaluam te një zotëri që po shiste ngjitur me derën e  shkollës së  mesme që është në mes të tregut.

Hodha sytë brenda dhe pashë një burrë të ulur në një karrike te vjetër dhe një tjetër përballë tij, që po rrinte në këmbë, ndërsa mbi mjekër i dukej akoma shkëlqimi i yndyrës nga byreku që sapo kishte mbaruar së ngrëni. Të dy ishin zhytyr thellë në biseden e tyre, aq sa nuk na vunë fare re që po qëndronim në këmbë shumë pranë tyre.

– Është e gjitha rren , – tha burri qe ishte ulur ne karrike. – Të flasësh bukur nuk do të thotë që di të drejtosh… Ja , po vijnë zgjedhjet… Shiko kur të vërsulen të gjithë këtu, veç për vota. Veç për vete menojn, këta…

– Ç’ të keqe ke ti nga ky? Punën po e bën, rehat je, me biçiklet po vjen ne punë …. të duhet gjë tjeter ? Për të ngrënë, po ha… Çfarë do më nga keto ti?!

Tjetri hodhi sytë te një biçikletë e vjetër që qëndronte aty pranë, ndërsa këpucët e tij dukeshin tmerrësisht keq nga të dalurit boje.

Shitësi pa nga mua dhe me ton të acaruar më pyeti:

– Çfarë do?

U mata të mos i flas fare e të largohesha prej aty. Toni i tij i acaruar nuk më perkiste mua.

– Te lutem, më duhen disa varëse druri, mundësisht të plota. Do më pëlqente të ishin cilësi e mirë.

– Këto kam, – ma kthehu aty për aty. – Ky është malli këtu. Gjithandej njësoj janë.

– E kuptova, – u përgjigja nxitimthi e u largova duke marrë me vete dhe gjykimin për këta njerëz të cilët nuk shihnin varfërinë e tyre, por merren me politikën e një shteti, e ndoshta edhe me atë globale.

– Ka kush merret me politikë, nuk i pyet kush këta, – më tha Rea, e cila e kishte dëgjuar të gjithë bisedën nga shumë pranë.

Vazhduam rrugën, duke ruajtur veten të mos përplaseshim me të tjerët. Më shumë se gjithçka sytë e mi dhe të mikes time ndeshnin në fytyra të heshtura dhe të vrara.

Çdo hap na bënte te kuptonim se heshtja e njerëzve fliste vetë.

– Të lutem, më jep 100 lekë! – u dëgjua një zë i ulët aty pranë.

Njeriu që rrinte në një karroce invalidi, mbiu para nesh papritur me dorën e djathtë të zgjatur dhe po na kërkonte ndihmë dhe me sy.

– Duhet patjeter , – folëm të dyja në të njëjtën kohë dhe me shpresën që kishim ndihmuar sodopak te ky njeri, vazhduam rrugën.

– E di se çfarë do tē doja? – i thashë Reas.

– Ma thuaj, – ma kthehu menjëherë ajo.

– Tani do doja vetëm të dëgjoja muzikë. Nuk po ndihem mirë dhe në raste të tilla , muzika më ndihmon të kaloj sadopak këtë gjendje që më ka pushtuar që sa nisëm këtë shëtitje.

U larguam duke i kthyer kurrizin një realiteti që na takon dhe ne… Shiu kishte filluar te binte shtruar e na duhej te hapnim çadrat.

EDMIRA XHAFERI

Tiranë 17 janar 2021