Përzgjedhja e editorit Një shpjegim i detajuar për koronavirusin: Si ndikon ai tek organizmi i...

Një shpjegim i detajuar për koronavirusin: Si ndikon ai tek organizmi i njeriut

COVID-19 është koronavirus, pjesë e një grupi të madhe virusesh që përfshijnë si virozat që shkaktojnë ftohjen e zakonshme, deri tek ato që shkaktojnë sëmundje më të rënda si SARS-i, apo MERS-i.

(SARS – Sindromi Akut i Rrugëve të Frymëmarrjes)

(MERS – Sindromi i Rrugëve të Frymëmarrjes i Lindjes së Mesme)

Sa vdekjeprurës është COVID-19?

Covid-19 është më vdekjeprurës se gripi, që nuk është pjesë e grupit të koronavirusëve, por shumë më pak vdekjeprurëse se MERS-i apo SARS-i.

Dr. Anthony Fauci, shefi i Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive në Institutet Kombëtare të Shëndetit (NIH) krahasoi shkallën e vdekshmërisë mes COVID-19, gripit dhe llojeve të tjerë të koronaviruseve.

Vetëm 0.1% (një për çdo një mijë pacientë) e të prekurve nga viruset që shkaktojnë gripin sezonal vdesin si rezultat i komplikacioneve, krahasuar me 2% të atyre që preken nga COVID-19 (dy në çdo 100). Vdekshmëria nga SARS-i ndërkohë shkon nga 9% deri në 10% dhe nga MERS-i, që është më vdekjeprurësi, në rreth 36% e pacientëve.

Dr. Fauci thotë se virusi COVID-19 ngjason shumë me gripin, që përhapet më shpejt se sa u përhap SARS-i, por me një shkallë vdekshmërie më të ulët.

Si transmetohen koronaviruset?

Koronaviruset normalisht transmetohen nga kafshët tek njerëzit. Shpesh këto viruse fillojnë tek lakuriqët. Lakuriqët janë bartës të disa viruseve, përfshi koronaviruset dhe Ebolën, megjithëse këto viruse nuk duket se janë të dëmshëm për ta. Mbi 200 koronaviruse të reja janë identifikuar tek lakuriqët. Po ashtu mendohet se MERS-i kaloi nga lakuriqët tek devetë dhe pastaj tek njeriu, ndërsa SARS-i nga lakuriqët tek një kafshë (civet) e ngjashme me macen që gjendet në Azi dhe Afrikë.

Përhapja e koronavirusit nga njeriu tek njeriu

Një pacient amerikan është konfirmuar me koronavirus pavarësisht se pacienti nuk kishte kontakt me individë të tjerë të infektuar dhe nuk kishte udhëtuar në vendet ku është përhapur virusi. Nuk dihet se si ky individ u infektua.

Dr. Fauci thotë se ka njerëz që nuk shfaqin simptoma por që e kanë virusin dhe me shumë gjasa, mund të jenë transmetues të tij edhe pa patur vetë simptoma. Sipas mjekut të njohur, ky lloj transmetimi nuk është përgjegjës për përhapjen e tanishme. Ai shton se “kjo ndodh, por nuk është mënyra kryesore e infektimit.”

Çfarë i bën trupit të njeriut COVID-19?

COVID-19 është një virus i rrugëve të frymëmarrjes, që fillon dhe përfundon në mushkëri. Ka raste kur infeksioni është aq i lehtë, sa që pacienti nuk e di që është i sëmurë. Megjithatë, koronavirusi mund të shkaktojë simptoma që i ngjasojnë gripit: ethe, kollitje dhe gulçim që mund të kthehet në pneumoni në të dy mushkëritë.

Përse COVID-19 shkakton kaq dëmtime tek mushkëritë?

COVID-19 infekton dhe vret qelizat (cilia), që kanë formën e qimeve në mushkëritë e njeriut, roli i të cilave është të pastrojnë mushkëritë nga viruset dhe poleni. Pa këto qeliza, mushkëritë mund të mbushen me ujë dhe papastërti të tjera që nuk duhet të jenë aty. COVID-19 po ashtu sulmon qelizat e mukusit. Këto qeliza janë të rëndësishme sepse mbajnë lagështinë e duhur në mushkëri që ato të funksionojnë mirë. Qelizat e mukusit i mbrojnë mushkëritë nga bakteria apo viruset.

Kur mushkëritë infektohen, ato paralajmërojnë sistemin imunitar, i cili qelizat imunitare për të luftuar infeksionin. Por në disa raste, këto qeliza imunitare vrasin gjithçka, përfshi indet e shëndetshme. Për këtë arsye shumë pacientë të sëmurë vihen nën oksigjen dhe në raste më të rënda nën ventilim mekanik, për të mundësuar frymëmarrjen.

Përse COVID-19 sulmon organet e tjera?

Mushkëritë e dëmtuara e kanë të vështirë të dërgojnë oksigjenin e duhur në gjak. Meqenëse organet kanë nevojë për oksigjen që të funksionojnë, në rastet kur ai u mungon, organet pushojnë së funksionuari, duke filluar nga mëlçia dhe më pas veshkat.

Përse të moshuarit dhe të prekurit nga sëmundje të tjera kanë më shumë gjasa të vdesin?

Bashkë me plakjen, sistemi imunitar i njeriut dobësohet. Ata që pinë duhan mund të kenë rrezik më të lartë që të sëmuren ose të vdesin pasi duhani i dëmton mushkëritë dhe rrugët e frymëmarrjes. Ata që kanë sëmundje të zemrës, diabet apo sëmundje kronike të mushkërive, e kanë shumë më të vështirë të luftojnë virusin dhe të shërohen nga infeksionet./VOA