Sport Një shqiptar i vërtetë! De Biasi, nismë për të mbledhur fonde për...

Një shqiptar i vërtetë! De Biasi, nismë për të mbledhur fonde për Shqipërinë

Tërmeti i 26 nëntorit la pas shumë dhimbje e lot në vendin tonë. Goditja 6.4 ballë e shkallës Rihter shkatërroi çfarë gjeti para, ku nuk munguan as viktimat, të plagosurit dhe të pastrehët.

Solidariteti ishte i madh, e mes tyre edhe ish trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi. Tekniku që shkruajti historinë në drejtimin e kuqezinjve është bërë promotor i një fushate në Itali, në ndihmë të të prekurve nga tërmeti në Shqipëri.

Në një video-mesazh në rrjetet sociale, De Biasi shpreh ngushëllimet për viktimat dhe familjet e prekura rëndë nga ky tërmet, teksa i bën thirrje komunitetit në Itali që të dhurojnë sa më shumë për t’i ardhur sa do pak në ndihmë Shqipërisë.

“Përshëndetje të gjithëve! Miqtë e mi të “Bici E Solidarieta’ Carovigno” organizojnë të shtunën, më 14 dhjetor, një takim bamirësie në favor të njerëzve të goditur nga tërmeti në Shqipëri. Ju ftoj të merrni pjesë sa më shumë, për të dhënë edhe ne kontributin tonë. Edhe një herë faleminderit dhe forca Shqipëri!”

Italiani me pasaportë shqiptare drejtoi kuqezinjtë për 6 vite, mes vitit 2011 dhe 2017, ku kulmoi me kualifikimin dhe pjesëmarrjen në Euro 2016, hera e parë që kuqezinjtë kualifikohen në kompeticionet ndërkombëtare.