Kuriozitete Një shtegtar i ri regjistrohet për herë të parë në Shqipëri

Një shtegtar i ri regjistrohet për herë të parë në Shqipëri

Ornitologët vendas dhanë lajmin e mirë se regjistruan për herë të parë në Shqipëri një shpend shtegtar të quajtur Këmbëqirithi i përhimë (Xenus Cinereus).

Shpendi u pikas gjatë fundjavës nga vëzhguesit e natyrës në Kriporen e Skrofotinës, në zonën e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë.

Erald Xeka, koordinator projekti në organizatën AOS, (Albanian Ornithological Society) tregoi për Euronews Albania përjetimin e pikasjes së këtij shpendi të pazakontë për vendin tonë.

“Ky vrojtim, ndonëse në dukje rastësor është produkt e vijim i aktiviteteve tona kërkimore shumëvjeçare për shpendët shtegtarë e folezues. Mua si person më dha ndjesinë e gjetjes së një thesari, marrë parasysh se kishim vite që e kërkonim këtë specie,” deklaroi Xeka.

“Na u duk përnjimend një bukuri e rrallë që na solli shumë gëzim! Njëkohësisht vërtetoi bindjen se Kriporja e Skrofotinës në Ligatinën Vjosë-Nartë është me rëndësi unikale për shpendët shtegtarë dhe ata folezues. Kjo është vetëm një prej shumë surprizave që ofron Narta dhe ligatinat e tjera të vendit tonë,” shtoi vëzhguesi i shpendëve.

Vrojtimi i Këmbëqirithit të përhimë është rastësor në Shqipëri dhe shpendi duhet të konsiderohet si aksidental, sipas ekspertëve. Rruga e zakonshme e shtegtimit të tij nga Afrika perëndimore është ajo Mesdheut Lindor dhe Detit të Zi ndërkohë që vendet e folezimit ndodhen në skajin e Evropës Verilindore dhe Azinë Veriore.

Këmbëqirithi i përhimë ka si tipare karakteristike sqepin e lakuar përpjetë, këmbët ngjyrë portokalli, trupin e vogël, ngjyrën e përhime dhe sjelljen e veçantë krahasuar me baltakë të tjerë të ndodhur aty rrotull.

“Ngjyra e përhime dhe vija e errët në pjesën e sipërme të krahut na dhanë përshtypjen se individi është adult (i rritur, i pjekur seksualisht). Sikurse pritej, shpendi po kërkonte krustace të vogla, molusqe dhe krimba anelidë, që përbëjnë dhe ushqimin e parapëlqyer gjatë shtegtimit,” theksoi AOS me entuziazëm./ Euronews Albania