Politika Një tjetër deputet socialist largohet nga politika

Një tjetër deputet socialist largohet nga politika

Pas Vasilika Hysit, një tjetër socialist nuk do kandidojë më për deputet nga radhët e PS-së.

Besnik Bare nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale shkruan se këto zgjedhje nuk do kandidojë në listat e PS-së për tu bërë deputet.

Ai thotë se do u lërë vendin personazheve të reja për të dhënë kontributin.

Ndërkohë nuk lë pa falënderuar Edi Ramën.

Postimi i plotë:

Fundi i një kapitulli

Fillimi i viteve 90 e gjeti Shqipërinë të varfër e të revoltuar, por nuk mungonte idealizmi, ndershmëria dhe profesionalizmi. Këto tipare i gjeta të spikatura në mjaft kolegë të PS, bile nuk mungonin edhe te grupimi i PD, ku kisha mjaft miq nga universiteti. Si shumë të tjerë, edhe mua më ftuan të bëhem pjesë e politikës. Profesioni im nuk kishte të bënte me shkencat politike. Megjithatë pranova, sepse klima politike po ndërhynte në të gjithë jetën shqiptare, deri në familje. Për fat të keq edhe sot, politika fut hundët në familje dhe jetën personale. Shpesh u thoja kolegëve në Universitet, të mos rrinin mënjanë, sepse vendin e tyre do e zenë të tjerë, ndoshta me shumë më pak vlera. Të njejtën thirrje do bëja edhe sot, pasi kudo ka profesionistë të mirë e të ndershëm, për të cilët parlamenti, pushteti qendror e vendor kanë nevojë.

Tek i hedh një sy tranzicionit të tejzgjatur shqiptar, gjej të mishëruar Legjendën e Rozafës. Njera palë pësoi një metamorfozë e pati rol në shkatërrimin ekonomik, degradimin kulturor e arsimor, zhvillimin e anarkisë dhe tragjedive. Mosrespektimi i ligjit për motive politike ishte logoja e saj. Pala tjetër mori përsipër të ndërtojë, të ribëjë shtet, të vendosë rend dhe ligje e të paguajë borxhet e mëdha të trashëguara. Reformimi i drejtësisë është fokusi i saj. Dallim thelbësor kanë dhe në mbrojtjen e interesave dhe integritetit të Shqipërisë.

PS është një forcë progresiste, ajo ka ulur në karrigen e kryeministrit edhe 28 vjeҫarë, por njëkohëshit fton për deputete edhe një grua brilante, 78 vjeҫare, si Luljeta Bozo.

Sot ka mjaft të rinj të përfshirë apo që aspirojnë të përfshihen në politikë. Do uroja që tek ta të kultivohen tre elementët që përmenda, ndershmëria, idealizmi dhe profesionalizmi. Rendja pas fitimit, pasurimit abuziv është tipar kompromentues i shoqërisë tonë. Shoqëria jonë, partitë politike duhet të ngrenë mekanizma si të kultivojnë profesionalizmin, idealizmin dhe ndershmërinë tek të rinjtë në përgjithësi dhe ata të përfshirë në politikë, në veҫanti. Sigurisht, rol në këtë drejtim luan edhe një drejtësi e konsoliduar.

Nisur nga afrimet e reja në PS, e për t’u krijuar hapësira atyre, kam vendosur të mos plotësoj formularin për kandidimin si deputet. Shpresoj ta kem justifikuar besimin që më është dhënë në kryerjen e kësaj detyre e mos të kem zhgënjyer njeri. Jam përpjekur, me mundësitë e mija modeste, të jem pjesë e zërit të shqetësimeve dhe zgjidhjes së problemeve të komunitetit të zonave që kam mbuluar. Falenderoj antarësinë e PS në Tiranë, që dy herë më votëbesoi e u bë shkak që unë të kem angazhim maksimal në politikë. Ishte një privilegj dhe nder! Falenderoj kolegët deputetë për bashkëjetesën në këto vite. Këtu përfshij edhe një pjesë të deputetëve të opozitës, ku nuk kanë munguar zërat seriozë dhe profesionalë. Falenderoj Edi Ramën si kryetar i PS, i cili më ka bërë pjesë të ekipit të tij. Mirënjohje të veçantë banorëve të njësive 2 dhe 7, të cilët me mbështetjen e tyre ma kanë lehtësuar punën dhe komunikimin. Janë të panumërt emrat e kolegëve në strukturat e PS së Tiranës që do doja t’i falenderoja, por është e pamundur se pa dashje mund të harroj dikë. Do të doja të kisha bërë shumë më tepër për ta, por edhe mundësitë dhe hapësirat e deputetit nuk kanë qenë më të mëdha.

Në prag të zgjedhjeve i uroj suksese PS, duke qenë i bindur në intuitën e mençurinë e elektoratit shqiptar, për të dalluar atë që premton e gënjen, nga ai që premton, punon e realizon. Kush ka sy dhe veshë e bën dallimin!