Sport Një tren shkatërrues, Lukaku thyen rekordin e Bobo Vierit tek Interi

Një tren shkatërrues, Lukaku thyen rekordin e Bobo Vierit tek Interi

Thjesht shkatërrues. Nëse Napoli doli me “kocka të thyera” nga stadiumi “San Paolo”, një pjesë e mirë e meritës shkon për Romelu Lukaku, i cili ka mbizotëruar dukshëm, sidomos në planin fizik, ndaj mbrojtësve kundërshtarë. Këta të fundit ishin pothuajse të dorëzuar përballë shpërthimit të tij fizik. Dy gola në pjesën e parë për t’i dhënë ndeshjes një drejtim të saktë. Në sytë e të gjithëve, goli i dyti i belgut mbeti produkt i një gabimi të Meret, i cili, megjithatë, shikoi një top të hedhur për askund, me shpejtësinë 111 km / h, i vështirë për t’u kontrolluar.

Numrat nuk gënjejnë kur flasim për bomberin e Interit. Ai është golashënuesi më i mirë zikaltër në Serie A, me 14 gola, një rekord për klubin, pas 18 ndeshjeve të para. Thjesht për të kuptuar, edhe më mirë, se Lukaku ka vendosur një rekord. Ai ka mposhtur Christian Vieri, që në vitin 2000 shënoi 13 gola deri në këtë pikë të kampionatit.

Ky rekord shoqërohet nga një tjetër arritje jo më pak e rëndësishme: në pesë ligat më të mira europiane, dueti i belgut me Lautaro është më i frytshmi, sa iu përket ndeshjeve të luajtura jashtë (16 gola, 10 për Lukaku dhe 6 për argjentinasin). Një marrëdhënie që shkon përtej drejtkëndëshit të gjelbër, siç përcaktohet nga vetë Lukaku në mikrofonat e “Inter TV”, në fund të ndeshjes në “San Paolo”: “Jam i lumtur, sidomos për tifozët. Të gjithë kemi fituar. Këto tri pikë japin një sinjal për të gjithë. Unë nuk mendoj për rekorde personale, thjesht dua që të fitojë Interi. Duhet të vazhdoj të punoj për t’u përmirësuar. Kemi një frymë ekipi. Unë dhe Lautaro jemi miq shumë të ngushtë, tashmë njohim edhe familjet e njëri-tjetrit”.

Tani, sytë e zikaltërve janë drejtuar nga Atalanta, ndaj së cilës do të luajnë pa dy titullarë të rëndësishëm. Skriniar dhe Barella janë të skualifikuar, pas kartonit të verdhë të marrë në Napoli. Sidoqoftë, me një Lukaku të tillë, frika nuk duhet të ekzistojë…